Fjala e z. Fatos Nano në shoqatën bullgare të Atlantikut Z. President Të nderuar pjesëmarrës Është një privilegi për mua të marr pjesë në këtë takim të shoqatës suaj të nderuar

Fjala e z. Fatos Nano në shoqatën bullgare të Atlantikut
Z. President
Të nderuar pjesëmarrës
Është një privilegi për mua të marr pjesë në këtë takim të shoqatës suaj të nderuar të Atlantikut të Veriut. E konsideroj po aq të vlefshme shkëmbimin e mendimeve në këtë takim, sepse ja vlen të diskutosh për një temë kaq të rëndësishme për vendet tona që e kanë aspiruar prej kohësh integrimin në NATO, duke u shoqëruar me përpjekje aktive, reforma komplekse si dhe partneritet e kontribut konkret për paqen dhe sigurinë.
Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se vendi im, Shqipëria, ashtu si Bullgaria, e ka konsideruar partneritetin aktiv dhe rrjedhimisht integrimin në Aleancën Euro-Atlantike si një prioritet të politikës së jashtme dhe objektiv strategjik në fushën e sigurisë e të mbrojtjes. Shqipëria e ka parë dhe e sheh anëtarësimin në NATO jo thjesht si një mjet për të përmirësuar sigurinë e saj momentale, por si një ndryshim epokal e afatgjatë që do ta fusë definitivisht vendin dhe shoqërinë shqiptare në rrjedhat e proçeseve integruese Euro-Atlantike, me të gjitha efektete shumë-dimensionale emancipuese që e shoqërojnë këtë proces.
Ju sjell në retrospektivë se Shqipëria ishte ndër vendet e para të Evropës Juglindore që kërkoi zyrtarisht anëtarësimin në NATO. Fillesat e bashkëpunimit me NATO-n datojnë në vjeshtën e vitit 1992, kur Republika e Shqipërisë u bë anëtare e Këshillit të Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC) dhe bëri kërkesë zyrtare për t'u anëtarësuar në NATO. Me lançimin e iniciativës së Partneritetit për Paqe (PfP), Presidenti i Shqipërisë nënshkroi në shkurt të vitit 1994, Dokumentin Kuadër të Partneritetit, ndërsa në shtator të po atij viti, dorëzoi Dokumentin e Prezantimit të Shqipërisë. Kjo datë shënon anëatrësimin e Shqipërisë si vend Partner i Aleancës. Në vitin 1995 Shqipëria paratiti Programin e Parë individual të Partneritetit dhe në gjysmën e dytë të 1995 vendi ynë u përfshi në procesin e Planifikimit dhe të Rishikimit të Partneritetit për Paqe (PARP). Gjatë vitit 1996, Republika e Shqipërisë zhvilloi dialog intensiv individual lidhur me zgjerimin eventual të NATO-s. Më tej, në MAj të vitit 1999 , në Samitin e Washingtonit, Shqipëria u deklarua vend aspirant, krahas Bullgarisë, Rumanisë, Sllovenisë, Letonisë, Lituanisë, Sllovakisë dhe Maqedonisë. Në tetor 1999 u dorëzua Plani i parë i Veprimit për Anëtarësim (MAP), dhe vetëm një muaj më parë ne dorëzuam Planin Kombëtar të ciklit të Pestë të MAP-it. Samiti i Pragës, krahas ftesës që ju bëri 7 vendeve aspirante, përfshi këtu edhe vendin tuaj, e ka lënë derën të hapur për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë për të vazhduar e koordinuar përpjekjet për integrim.
Në historinë e saj të bashkëpunimit me NATO-n, Shqipëria jo vetëm që ka përfituar në mënyrë të konsiderueshme në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, por edhe ka kontribuar në mënyrë modeste për Aleancën. Qeveria Shqiptare ka treguar në vijimësi se ka gadishmërinë dhe vullnetin e plotë politik për të marrë përsipër edhe ndarë me Aleancën rolet, përgjegjësitë, barrën, kostot dhe përfitimet e sigurimit të përbashkët dhe të mbrojtjes kolektive. Shqipëria ka vënë vazhdimisht në dispozicion të Aleancës insfrastrukturat kombëtare portuale, aeroportuale e stërvitore. Vlen për t'u përmendur kontributi dhe ndihmesa direkte që Republika e Shqipërisë ka dhënë në operacionet e drejtuara nga NATO në IFOR, SFOR në Bosnje-Hercegovinë dhe për kontribvutin e jashtëzakonshëm gjatë krizës së Kosovës, ku ajo, krahas të tjerash, menaxhoi një fluks prej një gjysëm milioni kosovarësh në vend dhe mbështeti me infrastruktura operacionet e NATO-s. Shqipëria vazhdon të kontribuojë me forca speciale komando në Bosnje me një kompani, në Afganistan me një togë, dhe së fundi në Irak me një kompani në mbështetje të Koalicionit të Vullnetit. Edhe në të ardhmen ne do të synojmë të dëshmojmë se nuk jemi thjesht konsumatorë, por edhe prodhues të paqes e kontribues të sigurisë kolektive.
Më lejoni t'ju njoh me realitetin shqiptar për dy nga elementët më me peshë në planin kombëtar përsa i përket integrimit në NATO: vullneti politik dhe opinioni publik. Konsensusi dhe vullneti politik si dhe opinioni publik në Shqipëri jo vetëm që nuk përbëjnë ndonjë pengesë në procesin e integrimit, por njihen si mbështetës dhe me përqindje nga më të lartat ndër vendet aspirante. Mund të konfirmoj se i gjithë spektri dhe forcat politike në vend mbështesin integrimin, ndërsa opinioni publik e mbështet në mbi 90 % integrimin në NATO.
Edhe ana organizative në nivel kombëtar e procesit të integrimit ka ardhur duke u konsoliduar, duke nxjerrë mësime nga vendet më të përparuara në këtë proces. Në nivelin kombëtar të vendim-marrjes, aktualisht ne kemi institucionalizuar një Komitet Ndërministror për Integrimin Euro-Atlantik, i cili aktivizohet në mënyrë periodike e që drejtohet nga Kryeministri. Për të asistuar këtë Komitet të nivelit të lartë është ngritur një Grup Ndërministerial në nivel ekspertësh, nën drejtimin e Zëvendës Ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes. Detyra e tij kryesore është që t'i paraqesë Komitetit të Lartë Ndërministror rrugëzgjidhje alternative e realiste të çështjeve të integrimit, të ndjekë ecurinë e proçeseve integruese e të bëjë analiza e konkluzione për rrugët më të efektshme e me kosto më të ulët, të përcaktojë prioritetet e proçesit të integrimit , të vlerësojë koston e të bëjë analizën e zbatimit të planeve e programeve integruese.
Nuk do të desha të lë pa përmendur edhe çështjen e mbështetjes financiare të procesit të integrimit, e cila megjithëse "kockë e vështirë" për të gjithë vendet aspirante, ka qenë në vëmendjen e vazhdueshme të Qeverisë Shqiptare. Krahas prioriteteve kombëtare të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se integrimi në NATO ka një kosto që duhet jo vetëm ta pranojmë por edhe ta mundesojmë në mënyrë sa më realiste në përputhje me mundësitë kombëtare. Përqindja e rekomanduar nga NATO për buxhetet e mbrojtjes së vendeve aspirante në masën 2% të GDP, parashikohet të arrihet nga Shqipëria në vitin 2010, nëpërmjet një rritje progresive prej 0,1 % çdo vit, të buxhetit aktual të mbrojtjes prej 1,27 % të GDP. Mendojmë se kjo është mënyra më e pranueshme për vendin tonë, e cila mund t'i hapë shanse integrimit në ciklet e ardhshme. Vetëm një rritje progressive e buxhetit për mbrojtjen do të siguronte zbatimin e reformës në Forcat e Armatosura dhe realizimin e 48 Objektivave tona të Partneritetit me Aleancën. Në këtë mënyrë do të arrihen gradualisht kapacitetet ndërvepruese të Forcave tona të Armatosura dhe përafrimi i tyre me standartet e NATO-s.
Të nderuar pjesëmarrës,
Më lejoni që në vijim të shpreh disa mendime për përshpjetimin e proçesit kompleks të integrimit në Aleancë nëpërmjet zhvillimit të një vizioni realist të bashkimit të përpjekjeve të vendeve të rajonit tonë për përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë rajonale.
Tashmë të gjithë e pranojmë se mbarimi i luftës së ftohtë dhe sidomos ngjarjet e 11 shtatorit kanë sjellë një ndryshim radikal të mjedisit të sigurisë kombëtare, rajonale, europiane dhe globale. Ky mjedis i ri ka sjellë në skenë faktorë të rinj për t'u marrë në konsideratë në zhvillimin e strategjive të sigurimit kombëtar. Ashtu si shumica e shteteve që dolën nga sistemet diktatoriale, megjithëse në një rajon të mbarsur me ngarkesa të së kaluarës, Shqipëria gjatë dekadës së fundit ka reaguar shpejt dhe me vendosmëri për të adoptuar një arkitekturë të re të sigurimit kombëtar, duke mbështetur nevojën për ndryshime në balancën e instrumentave të fuqisë së shtetit në përputhje me situatën e sigurisë. Është e natyrshme që gjatë gjithë periudhës së tranzicionit nga diktatura në demokraci, si pasojë e eksperiencës së pakët dhe të brishtësisë së demokracisë në vend, janë bërë edhe gabime që i kanë kushtuar jo pak sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. Kjo ka ndodhur për vetë faktin se për një kohë të gjatë në vend dhe në shumicën e vendeve të rajonit, kanë mbijetuar dhe janë mbartur nga sistemi i kaluar fryma e konfrontimit, mohimit, politizimit dhe e luftës së klasave, në vend të frymës së re të dialogut të bashkëekzistencës dhe të bashkëpunimit. Kam bindjen se do të na duhen akoma kohë e përpjekje të përbashkëta për t'i bërë këto elementë të rinj të predominojnë në skenën e sigurisë kombëtare, rajonale e më gjerë.
Reforma në fushën e sigurisë e të mbrojtjes imponon domosdoshmërinë imperative për ndryshimin e mentalitetit dhe harmonizimin më racional të faktorëve që e prodhojnë atë. Efektiviteti i sistemit të sigurisë e mbrojtjes së vendit matet dhe vlerësohet me shkallën e sigurisë dhe mbrojtjes që ai prodhon për qytetarët e vet, për shtetin, për rajonin e më gjërë. Thelbin e reformës në fushën e sigurisë e të mbrojtjes, si një proçes gjithëpërfshirës e ciklik, e përbën arritja e sigurisë dhe e mbrojtjes së vendit me forma të tjera të ndryshme nga ato të luftës së ftohtë. Nëse gjatë luftës së ftohtë siguria dhe mbrojtja e vendit synoheshin të arriheshin kryesiht me përdorimin e forcave të armatosuar dhe me parimin e mbështetjes në forcat e veta, reforma aktuale e sigurisë duhet të përmbysë këtë balancë. Sot, ne duhet të synojmë që të rrisim sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare nëpërmjet bashkëpunimit, ndërtimit të masave të mirëbesimit dhe sidomos integrimit. Është inkurajuese që, shtetet e rajonit tonë që vite më parë përbënin kërcënim direkt për fqinjët e tyre, janë tani vende aleate, aspirante apo partnere dhe po vazhdojnë të bëjnë progres në reformat demokratike. Shikoni situatën në rajonin tonë: ka me dhjetra organizma të bahkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë, të ekonomisë, të mbrojtjes, të kulturës, ka frymë më të mirë të bashkëpunimit rajonal e bilateral deri edhe një Brigadë të përbashkët të Europës Juglindore (SEEBRIG), e cila as mund të imagjinohej 10 vjet më parë. Se cila do të jetë situata pas dhjetë vjetësh, kjo do të jetë përgjegjësia jonë dhe do të përcaktohet në radhë të parë nga mënyra sesi do t'i orientojmë e menaxhojmë proçeset tani.
Sot, më shumë se ndonjëherë, po bëhet realitet sentenca se "asnjë vend nuk mund të realizojë sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare në izolim të plotë nga vendet e tjerë". Ajo që rezulton nga analiza e zhvillimeve të viteve të fundit të mjedisit të sigurisë rajonale dhe perspektiva analitike e zhvillimeve të tij në vitet e ardhshme është se të gjithë vendet e rajonit tonë po përballen, dhe ka shumë të ngjarë që të vazhdojnë të përballen në dekadën në vijim, me pothuaj të njëjtat sfida, rreziqe e kërcënime që po marrin gjithnjë e më shumë karakter transnacional. Vlen të përmenden këtu rreziqet transnacionale me karakter jo-ushtarak si fenomet e terrorizmit ndërkombëtar e rajonal, krimit të organizuar, sabotazhit, trafiqeve të paligjshme të të gjitha llojeve etj. Individët dhe grupet që qëndrojnë pas tyre do të vazhdojnë sofistikimin e metodave për t'i ushtruar këto veprimtari të paligjshme dhe në të ardhmen. Po ashtu, faktkeqësitë e ndryshme natyrore e industriale përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm për vendin ton dhe rajonin. Pas një kohe shumë të gjatë, vendeve të rajonit tonë të vuajtur e të drobitur nga konfliktet po u jepet një shans i vërtetë për të jetuar në paqe të qëndrueshme. Ky shans jo vetëm që nuk duhet humbur, por duhet shfrytëzuar më tej duke zhvilluar e koordinuar strategji të përbashkëta, duke përdorur burime të përbashkëta për të përballuar sfidat, rreziqet e kërcënimet e përbashkëta.
Unë jam për një reformë të thellë në sistemin e sigurisë e të mbrojtjes, por kjo reformë është e nevojshme të bëhet paralel dhe e koordinuar në të gjithë vendet e rajonit tonë. Pothuaj të gjitha vendet e rajonit synojnë integrimin në BE dhe NATO. Pothuaj të gjitha vendet e rajonit kërcënohemi nga të njëjtat rreziqe dhe po përballojmë të njëjtat sfida. Por, pothuaj asnjë nga kërcënimet, rreziqet apo sfidat që ne kemi përpara nuk kërkon përdorimin e avionëve luftarakë, raketave, topave apo tankeve. Reformë në çështjet e sigurisë e të mbrojtjes për mendimin tim do të thotë që t'i përvishemi zgjidhjes së sfidave reale që kanë komunitetet etnike në vendet tona, të përballojmë sfidat e zhvillimit ekonomik, të luftojmë terrorizmin, trafiqet e zeza dhe krimin e organizuar etj. këto sfida të reja kërkojnë zhvillimin e strategjive të reja në diplomaci, ekonomi, mbrojtje, rend, shërbimet informative etj. duke i reformuar institucionet përkatëse për të përballuar këto rreziqe. Gjithashtu mosekzistenca e rreziqeve imediate ndaj sigurisë kërkon që të përshpejtojmë reformat në reformimin e forcave të armatosuar, në heqjen dorë apo reduktimin e njësive të rënda tipike të luftës së ftohtë: ato të blinduara e tankiste, të artilerisë masive e të raketave, të avionëve bombardues, të anijeve luftarake të mëdha. Situatra e sotme nuk e justifikon mbajtjen e kësaj barre të rëndë për vendet tona, kur edhe reziqet dhe kërcënimet që ato do të përballonin nuk ekzistojnë më dhe nuk priten të shfaqen në të ardhmen e afërt. Ne përshëndesim gjithashtu të gjitha ato shtete të rajonit që po ecin me hapa të shpejtë në të njëtën linjë reformimi.
Reformat në sistemin e sigurisë e të mbrojtjes imponohen ndjeshëm nga proçeset integruese në strukturat kolektive europiane dhe euroatlantike, sidomos në BE dhe NATO. Duhet ta mbajmë mirë në konsideratë se përderisa synojmë integrimin në strukturat kolektive, sistemi i sigurisë dhe i mbrojtjes sonë kombëtare duhet t'u përshtatet organizimit dhe funksionimit të këtyre strukturave kolektive. Mbi këto principe, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia sëbashku me SHBA, nënshkruan në Maj të këtij viti në Tiranë, një Kartë Partneriteti A-3. Unë e vlerësoj këtë dinamikë Adriatiko-Amerikane të shekullit të 21-të. Themeli i mirëkuptimit për këtë Kartë Partneriteti konsiston në vizionin e përbashkët të të tre vendeve tona për integrimin në strukturat politike, ekonomike, të mbrojtjes dhe të sigurisë transatlantike, që ashtu siç thotë Presidenti Bush "synon të shtrijë më tej zonën e sigurisë, të lirisë e demokracisë në kuadrin e një Europe të lirë dhe të bashkuar, nga vendet Balltike deri në Detin e Zi". Nëpërmjet kësaj Karte, vendet tona shprehin vullnetin e përbashkët për përmirësimin e mëtejshëm të frymës së bashkëpunimit për përballimin e rreziqeve të përbashkëta, përshpejtimin e reformave demokratike dhe kthimin e rajonit tonë në një rajon ku mbizotërojnë paqja, siguria e begatia.
Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, më lejoni t'ju bëj të njohur se Shqiëpria ka zhvilluar pas vitit 2000 tre dokumenta madhore në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes: Strategjinë e Sigurimit Kombëtar, Politikën e Mbrojtjes dhe, së fundi, dhe Strategjinë Ushtarake të miratuar nga Parlamenti më 25 Korrik 2002. Po ashtu, jemi në përfundim edhe të një strategjie afatgjatë të integrimit në NATO. Këto strategji mbështetin sigurinë dhe mbrojtjen kolektive, frymën e bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit në Aleancë.
Qeveria shqiptare, gjithë spektri politik, si dhe opinioni publik mbështet pa hezitim ristrukturimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura mbi bazën e Planit të Implementimit Afatgjatë 2002-2010. Mendoj se plani që kemi bërë është realist dhe i orientuar: ai mbështetet, nga njëra anë, në misionet që duhet të përmbushin Forcat e Armatosuar në mjedisin e ri të sigurisë kombëtare e rajonale, si dhe nga ana tjetër, në resurse realiste që ka mundësi vendi ynë të vërë në dispozicion të mbrojtjes, tani dhe në të ardhmen e afërt. Kjo përqasje i jep këtij projekti një karakter realist e bindës se ai do të implementohet me sukses.
Faleminderit.