Kryeministri Fatos Nano dhe Kryeministri bullgar Simeon Sakskoburggotski morën pjesë sot në punimet e Forumit të Biznesit Bullgaro-Shqiptar, që po zhvillohet në Sofje të Bullgarisë, me pjesëm

Kryeministri Fatos Nano dhe Kryeministri bullgar Simeon Sakskoburggotski morën pjesë sot në punimet e Forumit të Biznesit Bullgaro-Shqiptar, që po zhvillohet në Sofje të Bullgarisë, me pjesëmarrjen e biznesmenëve nga të dy vendet.
Forumi i zhvillon punimet në Dhomën Tregtare Industriale të Sofjes.
Në përshëndetjen e tij gjatë punimeve të këtij Forumi, Kryeministri Fatos Nano, falenderoi homologun e tij bullgar për këtë iniciativë të rëndësishme, duke e konsideruar zhvillimin e këtij Forumi një element që do të rrisë bashkëpunimin mes biznesmenëve të të dy vendeve.
"Është shumë e rëndësishme që kaq shumë biznesmenë nga të dy vendet mblidhen në një Forum, ku janë të pranishëm të dy kryeministrat e vendeve të tyre, gjë që tregon se sa shumë rëndësi ka për ne ky lloj bashkëpunimi", u shpreh Kryeministri Nano.
Ashtu si në Tiranë, në mars të këtij viti, kur Kryeministri bullgar Simeon Sakskoburggotski vizitoi Shqipërinë, ne patëm edhe kësaj here bisedime shumë të frytshme në li
dhje me bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, theksoi z.Nano, duke shtuar se ishte i lumtur që arriti të krijojë një delegacion me kaq shumë biznesmenë.
"Me 40 përfaqësues të sipërmarrjes shqiptare të pranishëm, sikur secili prej tyre të arrinte të realizonte një kontratë prej 1 milionë eurosh me një përfaqësues të sipërmarrjes bullgare, atëherë vëllimi i shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Bullgarisë do të dyfishohej padiskutim", u shpreh z.Nano.
Kryeministri Nano u bëri thirrje biznesmenëve të të dy vendeve që të rrisin bashkëpunimin midis tyre. "Detyra jonë është që të rrisim hapësirat dhe mundësitë për krijimin e zonave të tregtisë së lirë", shtoi ai.
Ndërsa, Kryeministri bullgar theksoi se "niveli i shkëmbimeve midis Shqipërisë dhe Bullgarisë nuk është në nivelet e mundësive tona dhe ne shpresojmë që ky nivel bashkëpunimi të rritet".
Ai theksoi se bashkëpunimi rajonal është i një rëndësie shumë të madhe dhe do të ketë ndikim në integrimin europian të vendeve tona dhe të gjithë rajonit. "Mendoj se kjo është kryesorja që duhet t'i urojmë njëri-tjetrit: Rritja e bashkëpunimit në të gjithë rajonin", u shpreh z. Simeon Sakskoburggotski.