Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Kryeministri Fatos Nano ka mbërritur në Aeroportin e Sofjes sot, rreth orës 10:00. Delegacioni shjqiptar është pritur në Aeroport nga Kryeministri bullgar, S

Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Kryeministri Fatos Nano ka mbërritur në Aeroportin e Sofjes sot, rreth orës 10:00. Delegacioni shjqiptar është pritur në Aeroport nga Kryeministri bullgar, Simeon Sakskoburggotski.
Më pas, në Sheshin "Aleksandër Nevski" të kryeqytetit bullgar u zhvillua ceremonia e pritjes. Kryeministri Fatos Nano ka vendosur një kurorë me lule tek Monumenti "Ushtari i Panjohur" në këtë shesh.
Dy Kryeministrat kanë zhvilluar fillimisht një takim kokë më kokë, i cili ka zgjatur rreth 20 minuta e, më pas, është zhvilluar takimi mes dy delegacioneve.
Në fillim të takimit, Kryeministri bullgar Sakskoburggotski e vlerësoi takimin si shumë të dobishëm. Ai u shpreh se vizita e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Kryeministri Fatos Nano ishte pritur me interes shumë të madh.
Ai vlerësoi si shumë të mrekullueshëm bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, përsa i përket projekteve të rëndësishme si ai i Korridorit 8, Projekti AMBO për ndërtimin e Naftësjellësit Burgas-Vlorë, në infrastrukturën energjitike, etj. Kryeministri bullgar u shpreh për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Ndërsa Kryeministri Nano deklaroi se "mes dy vendeve ka ende mundësi të pashfrytëzuara, veçanërisht në fushën ekonomike dhe tregtare". Prania e 40 biznesmenëve në delegacionin shqiptar që po zhvillon këtë vizitë në Bullgari u vlerësua si një hap që do të japë rezultate konkrete në bashkëpunimin ekonomiko-tregtar.
Nxitjes së këtij bashkëpunimi ekonomik do ti shërbejë edhe pjesëmarrja sot, në Sofje, në një Forum ekonomik, ku të dy kryeministrat pritet të mbajnë edhe nga një fjalë përshëndetëse.
Më tej, Kryeministri Nano theksoi se "Qeveria Shqiptare është e vendosur të vazhdojë reformat në të gjitha fushat dhe kjo do të sjellë zhvillim dhe integrim të Shqipërisë dhe të rajonit dhe do të përcjellë stabilitet. Për këtë po punohet për forcimin e kapaciteteve të administratës publike për të çuar përpara reformën strukturore të ekonomisë dhe për të nxitur luftën kundër krimit".
Kryeministri Nano ka vënë në dukje se në Shqipëri po mbërrijnë tashmë kompani të njohura ndërkombëtare si "General Electric", "Lockeed Martin", si dhe banka prestgjioze si "Exim Bank" dhe "Deutche Bank", të cilat po realizojnë projekte me interes për rajonin dhe veçanërisht në kuadrin e Korridorit 8.
Të dy homologët biseduan mbi rritjen e bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, turizmit, agrobiznesit, në lëvizjen e lirë të njerëzve, në idenë dhe realizimin e një Shengen-i ballkanik, etj.
Ndërsa lidhur me mundësitë për bashkëpunimin në fushën e transporteve, të dy Kryeministrat theksuan se, meqenëse është shumë afër lidhja hekurudhore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, "është menduar që kjo ide të konkretizohet edhe me Bullgarinë".
Duke u ndalur në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian, Kryeministri i Bullgarisë tha se "Shqipëria do të ketë mbështetjen bullgare, përmes eksperiencës së saj në këtë drejtim".
Përsa i përket një aspekti tjetër të bisedimeve mes dy homologëve, luftës kundër trafiqeve të paligjshme, Kryeministrat Nano dhe Sakskoburggotski vlerësuan se në këtë drejtim "ka patur ulje të ndjeshme të këtyre trafiqeve dhe kjo është e dukshme tashmë në realitet". Ata u angazhuan për më shumë bashkëpunim edhe në këtë aspekt. Kryeministri bullgar vlerësoi se "Shqipëria ka shënuar arritje në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve".
Më pas, Kryeministri Fatos Nano dhe homologu i tij bullgar dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
"Shqipërinë dhe Bullgarinë i bashkojnë tashmë projekte dhe strategji të përbashkëta në të gjitha fushat, ndërsa po punohet për të rritur edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve", u shpreh Kryeministri Nano, gjatë konferencës për shtyp.
Të dy homologët theksuan rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e infrastrukturës, në të cilën po realizohen projekte konkrete, në fushën e turizmit, transportit, agrobiznesit, rendit, etj.
Në delegacionin shqiptar, krahas 40 biznesmenëve, marrin pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, zëvendësministri i Drejtësisë, Përparim Sanxhaku, zëvendësministri i Territorit dhe Turizmit, Artan Lame, si dhe zëvendësministri i Energjitikës, Arben Ahmetaj.
Pas takimit të zhvilluar mes dy homologëve dhe delegacioneve përkatëse, zv/ministri i Drejtësisë, Sanxhaku dhe Ministri bullgar i Drejtësisë, Anton Stankov, nënshkruan një marrëveshje dypalëshe "për ndihmë ligjore në çështjet civile".
Në vazhdim të vizitës së tij në Bullgari, z.Nano do të takohet sot edhe me Presidentin bullgar, Georgi Parvanov, ish-Presidentin e Bullgarisë, Zhelju Zhelev dhe të tjerë personalitete.