Pasi u njoh me njoftimin për shtyp të një grupi deputetësh të paidentifikuar, Zëdhënësi i Kryeministrit është i autorizuar të sqarojë opinionin e gjerë publik për sa më poshtë: Sot
Pasi u njoh me njoftimin për shtyp të një grupi deputetësh të paidentifikuar, Zëdhënësi i Kryeministrit është i autorizuar të sqarojë opinionin e gjerë publik për sa më poshtë:
Sot paradite, Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryetari i PSSH-së Fatos Nano i ftuar nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Prof. Servet Pëllumbi, autoritet i shquar i PSSH, mori pjesë në një takim informal së bashku me disa deputetë të tjerë të PSSH-së. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe zotërinjtë Namik Dokle, Sabit Brokaj, Spartak Braho dhe Ilir Zela.
Gjatë takimit u diskutua në frymë shkëmbimi mendimesh për hapat që mund të hidhen në lidhje me kapërcimin e situatës së fundi të krijuar duke u mbështetur kryesisht në frymën e asaj çka prof. Servet Pellumbi deklaroi në konferencën e tij për shtyp dhe që kishin për bazë arritjen e një konsensusi sa më të gjerë për ndryshime të mundëshme në qeveri. Ky takim ishte në vijim të takimeve të njëpasnjëshme të realizuara nga Kryetari i PSSH dhe Kryeministri me të urtët dhe përfaqësues të ndryshem të Partisë Socialiste, si dhe me ekspertë dhe struktura të tjera të rëndësishme të shtetit.
Në këtë kuadër janë realizuar takime edhe me autoritete dhe personalitete të njohur në PSSH, në historinë dhe te sotmen e saj si psh. me shoket, Gramoz Ruci, Ermelinda Meksi, Namik Dokle, Ylli Bufi, Bashkim Fino, Ethem Ruka e shumë të tjerë. Në të gjitha këto takime zoti Nano i është përmbajtur parimit: jo bërjes pazare me grupe që bëjnë shantazh, insinuata dhe shpifje të cilat synojnë të dëmtojnë konsesusin e arritur nga KPD-ja e fundit dhe të përcajne grupin parlamentar.
Në takimin e sotëm, duke iu përgjigjur sensibiliteteve publike dhe politike brenda dhe jashtë PSSH Kryeministri dhe Kryetari i PSSH-së kerkoi që të mbështetet nga të gjithë arsyetimi se Kryesia e PSSH-së dhe Grupi i saj Parlamentar mund të krijojnë konsensusin e duhur për një zgjidhje të çështjes së përmirësimeve në qeveri, krahas plotësimit të vendeve vakante para kongresit të 12 dhjetorit në menyre që ky dhe konferencat të çlirohen nga tensionet e krijuara.
Për çdo rast Kryeministri dhe Kryetari i PSSH-se Fatos Nano thekson se asnjë takim informal, asnjë tavoline konsultimesh nuk mund të zëvendësojë strukturat legale përfaqësuese të zgjedhura të Partisë Socialiste. Gjithashtu zoti Nano gjen rastin të përsërisë se fjala e tij e mbajtur në mbledhjen e fundit të KPD-se është tashmë pjesë integrale e dokumenteve që u miratuan me konsensus në të.
Kryeministri dhe Kryetari PSSH Fatos Nano garanton se ashtu si deri më sot nuk do të lejojë as pazare për karrige, as fraksione dhe grupime për pushtet, as flirte të tyre me opoziten për të delegjitimuar mazhorancën socialiste dhe progresiste.