E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjalim për fëmijët

Tueini për gazetarinë dhe çështje të tjera


Kjo më pëlqen. Të gjithë ne s'kemi pasur fat të kemi qenë ndonjëherë gra. Ne s'kemi qenë të gjithë gjeneralë ose poetë, ose burra shteti.


Por kur është fjala për të pirë një dolli për fëmijët, ne të gjithë jemi njëlloj. Është turp që në gostitë e të gjithë botës, gjatë mijëra vjetëve, fëmijët janë lënë mënjanë sikur të mos peshonin asgjë.


Në rast se do të mendoni një minutë, - në rast se do të ktheheni prapa pesëdhjetë ose njëqind vjet, në ditët e martesës, dhe të soditni edhe një herë fëmijën tuaj të parë, - do t'ju kujtohet që ai peshonte shumë dhe bile më shumë seç pandehnit.


Ju, ushtarët, e dini të gjithë se kur ju erdhi shoku i vogël në komandën familjare, juve ju është dashur të jepni dorëheqjen. Të tërë komandën e shtëpisë e mori ai. Ju u bëtë sejmenët dhe shërbëtorët e tij dhe i rrinit gjithnjë më këmbë.


Ai nuk ishte një komandant që të llogariste kohën, largësinë ose çdo gjë tjetër. Ju ishit të detyruar të zbatonit urdhrat e tij, pa u menduar në se kish apo s'kish mundësi. Dhe në taktikën e tij kishte vetëm një lloj marshimi me hap të shpejtë.


Ai ju trajtonte me rreptësinë më të madhe dhe me përçmim, as më trimi nga ju nuk guxonte t'i thoshte një fjalë. Ju mund të përballonit sulmet e betejave të përgjakshme të Donelson dhe Viksburg dhe të kundërsulmonit; po kur ju gërvishte ai mjekrën, ju shkulte flokët apo ju përdridhte hundën, ju duhej ta duronit.


Kur gjëmimet e topave buçisnin në veshët tuaj, ju e kthenit fytyrën drejt baterive dhe përparonit me hap të vendosur; po kur ju vinte përpara ai me të këlthiturat e tij, ju tërhiqeshit prapa.


Kur ai ka kërkuar ndonjë shorop për qetësi, a kini guxuar të lini pa kryer edhe shërbimet që do të ishin të pahijshme për një oficer edhe zotëri? Jo. Ju jini ngritur dhe e kini bërë. Kur ju ka kërkuar shishen e qumështit dhe ky ka qenë i ftohtë, a kini bërë llafe? Aspak. Ju keni shkuar menjëherë e keni ngrohur.


Bile, ju keni shkuar aq larg në detyrën e të mëkuarit, sa ta thithnit vetë qumështin nga shishja për të provuar nëse u ngroh, ta shijonit vetë mamen, për të parë nëse ishte e mirë me tri pjesë ujë e një qumësht, me pak sheqer për të qetësuar dhembjen e barkut ose dy pika mendër për t'i pushuar lemzën. Shija e asaj llape mua më kujtohet edhe sot.


Dhe sa gjëra keni mësuar duke kryer këto punë! Njerëzit e ndjeshëm besojnë edhe sot në atë thënien e lashtë popullore, se kur fëmija qesh në gjumë, i kanë ardhur engjëjt e i pëshpëritin.


Shumë bukur, po kjo ndodh shumë rrallë, - kur ka gazra në stomak. Në rast se foshnja ka kërkuar të bëjë një shëtitje, në orën e zakonshme, më dy pas mesnate, a nuk jeni ngritur menjëherë dhe keni thënë me vete se tamam këtë gjë kishit ndër mend të bënit edhe ju?


Ju keni qenë nën një disiplinë të fortë dhe, duke ardhur vërdallë nëpër dhomë, me rrobat e natës, jo vetëm keni gugatur si fëmijë, por keni çelur edhe zërin tuaj prej ushtaraku dhe ia kini marrë këngës! "Nani, nani djalënë", për shëmbëll. Ç'pamje kjo për një ushtarak të Garnizonit të Tenesisë!


Dhe çfarë bela e madhe për fqinjët! Sepse njerëzit që banojnë ndonjë milje rreth e rrotull, nuk kanë qejf të gjithë të këndojnë këngën e një ushtaraku qysh në orën tre të mëngjesit.


Dhe pasi e patët bërë këtë punë për nja dy a tri orë me radhë, dhe kur mendja ju tha se më tepër se zhurma dhe ushtrimet përjashta nuk e kënaq asgjë tjetër fëmijën, ç'bëtë atëherë? ("vazhdo!") Vazhduat punën deri sa u rrëzuat në hendek.


Ja, pra, ideja e atyre që mendojnë se fëmija nuk peshon asgjë! Një foshnje është barazi me një familje dhe me një oborr plot. Një foshnje mund të hapë aq punë sa ju me gjithë Departamentin e Brendshëm nuk mund ta përballoni.


Ai të nxjerr punë të pambaruara, të padrejta dhe të pafrenueshme. Bëj ç'të duash, po atë nuk e mban dot kurrë në një vend. Një foshnjë është i mjaftë të të mbajë me punë gjithë ditën.


Prandaj, deri sa kohë e keni mendjen në vend, mos u lutni të keni binjakë. Dy binjakë janë mjaft për një trazirë të pasosur. Ndërsa tre bashkë do të mjaftonin për një kryengritje.

Kjo është koha më e përshtatshme për një dollibash për të kuptuar rëndësinë e fëmijëve. Mendoni pak të ardhmen e këtij brezi!


Pas pesëdhjetë vjetësh ne do të kemi vdekur të gjithë, besoj, dhe atëherë ky flamur, në qoftë se do të rrojë ende (edhe shpresojmë se do të rrojë), do të valojë përmbi një republikë, e cila do të ketë 200.000.000 njerëz, në varësi të ligjeve të shtimit tonë. Anija jonë shtetërore do të rritet gjer n'atë kohë e do të bëhet një vigan politik.


Fëmijët që sot janë në djep do të marrin në dorë gjithçka. Le t'i edukojmë pra, si duhet, meqenëse do të lëmë në dorën e tyre një kontratë të madhe.


Midis tre ose katër milionë djepesh që kemi tani, ndodhen edhe ata që do t'i ruanim si gjëra të shenjta sikur t'i dinim se cilët janë. Në një nga këto djepe, Farragutit të panjohur të së ardhmes po i dalin dhëmbët në këtë çast, - mendon pak, - dhe nuk ka për këtë botë as përfilljen më të vogël.


Në një tjetër djep, astronomi i ardhmë, i përmendur, pulit sytë përpara dritës së Rrugës së Qumështit, i lodhur e i kapitur, - e gjora foshnje - dhe habitet se ç'u bë ajo tjetra që quhet Infermierja e Re. Në një djep tjetër, shtrihet historiani i madh i së ardhmes, dhe padyshim do të qëndrojë i shtrirë deri sa të mbarojë detyrën e foshnjërisë.


Në një tjetër, Presidenti i ardhshëm është zënë jo me ndonjë problem shtetëror aq të rëndësishëm sa ç'janë flokët e tij, dhe në një sërë të gjatë djepesh, ndodhen të shtrirë 60.000 njerëz që kërkojnë punë dhe po bëhen gati që ta përballojnë edhe një herë këtë problem të madh.


Dhe nën një djep tjetër, diku nën hijen e flamurit, i famshmi Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara është kaq pak i zënë me madhështinë dhe përgjegjësinë e së ardhmes, sa të gjithë strategjinë e mendjes së tij në këtë çast e ka përqendruar në një përpjekje për të gjetur ndonjë farë mënyre se si ta futë në gojë gishtin e madh të këmbës, - fitore kjo, (nuk e them për mungesë respekti), e cila ka tërhequr të gjithë vëmendjen e mysafirit tonë të shquar në këtë gosti, nja gjashtëdhjetë e gjashtë vjet më parë; dhe në rast se fëmija është profecia e së ardhmes, pak njerëz do të dyshojnë që ai ia ka dalë në krye.


*Dollia e pesëmbëdhjetë e mbrëmjes ishte: Fëmijët të cilët na lehtësojnë dëshpërimet, le të mos i harrojmë në festat tona.
Fjalim mbajtur në Çikago, në nëntor 1879, në një gosti të dhënë nga Garnizoni i Tenesisë për nder të komandantit, gjeneralit U. S. Grant.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›