Vrau një shtetas, ndalohet në kufi
Policia kufitare ka prangosur 28-vjeçarin Miljan Buzi, i cili kreu një vrasje 12 vjet më parë në gjaknxehtësi
KAKAVIJË- Kthehet nga emigracioni për në vendlindje, por arrestohet nga policia pasi rezultonte person i shpallur në kërkim për "vrasje me dashje".
Uniformat blu të policisë kufitare të Kakavijës kanë ndaluar mesditën e së hënës një 28-vjeçar, i kërkuar për një vrasje.të ndodhur 12 vjet më parë. 28-vjeçari Miljan Buzi, lindur në fshatin Petovë të rrethit Fier dhe banues në Kombinat, Tiranë, pasi kishte kryer disa vite burg për vrasjen e një bashkëfshatarit të vet, ndoshta nuk ishte njoftuar për një tjetër dënim që Gjykata e Apelit e Qarkut Vlorë i kishte dhënë.
Pas disa kohësh qëndrimi në Greqi, Buzi ka vendosur të kthehet në atdhe nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijës. Kontrolli rutinë në sportel ka nxjerrë se 28-vjeçari ka qenë i shpallur në kërkim pikërisht për akuzën e "vrasjes me dashje".
Shenjat e gishtave dhe informacione të tjera në sistemin TIMS kanë vërtetuar gjithçka dhe uniformat blu të kufirit kanë bërë edhe ndalimin e tij për llogari të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.
Burime zyrtare të policisë së Gjirokastrës kanë bërë të ditur se gjithçka zë fill në muajin shkurt të vitit 1997, kur në fshatin e tij të lindjes, vëllai i të arrestuarit ka pasur një grindje dhe është rrahur prej njërit prej bashkëmoshatarëve të vet, 19- vjeçarit M. L. Kaq është dashur që Buzi në gjaknxehtësi e sipër ta vriste të riun dhe menjëherë pas krimit të arrestohet.
Por, pas trazirave të asaj periudhe, arrin të arratiset nga burgu për t'u riarrestuar në vitin 2004. Pasi kryen 30 muaj burg lirohet nga Gjykata e rrethit Fier, por në përfundim të gjykimit Gjykata e Apelit Vlorë ka marrë vendim të formës së prerë duke e dënuar këtë shtetas me 8 vjet burg. Pas ndalimit, 28-vjeçari Miljan Buzi është marrë në dorëzim nga policia e Tiranës.