E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiti 280 milionë lekë, prangoset

ARRESTIMI/ Policia ka ndaluar në Korçë Alban Skonjën, i akuzuar për grabitjen e një biznesmeni dhe një kambisti


Realizimi i vjedhjes ka qenë njësoj në të dyja ngjarjet, duke e ndjekur viktimën dhe duke e qëlluar me mjete të forta


DURRËS - Policia ka vënë në pranga në Korçë shtetasin Alban Skonja, anëtar i një bande që akuzohet për grabitjen e një shume prej 28 milionë lekësh (të reja) në Durrës dhe në Elbasan, gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, janë në kërkim dy persona anëtarë të bandës, ende të paidentifikuar, njëri me nofkën "Juristi".


Banda e grabitësve, sipas policisë, mendohet të ketë 7 anëtarë, prej të cilëve katër janë vendosur tashmë në pranga. Ka qenë policia e Korçës ekzekutuesja e urdhër-kërkimit të lëshuar për kapjen e Skonjës, i akuzuar për dy grabitje.


Pas një periudhe të gjatë nën përgjim, policia kishte arritur të siguronte itinerarin e lëvizjeve të Skonjës, duke e arrestuar në momentin që ka tentuar të kalojë kufirin në Kapshticë.


Grabitjet


Sipas policisë, Skonja akuzohet për dy grabitje në shuma të mëdha, të kryera në bashkëpunim. Dy vjedhjet me dhunë të kryera prej tij, si dhe bashkëpunëtorëve të tjerë janë realizuar në të njëjtën mënyrë, duke i studiuar viktimat e duke i goditur me mjete të forta në momentin e grabitjes.


Kështu, më 8 qershor të vitit të kaluar, në qytetin e Durrësit, tek Vila e Zogut, në bashkëpunim me dy persona ende të paidentifikuar, pasi kanë goditur me bisht druri në kokë biznesmenin Cezar K., i kanë marrë atij një çantë ku ndodhej shumë prej 25 milionë lekësh.


Vetëm tre muaj më pas, më 18 shtator, ngjarja është përsëritur, por këtë radhë në qytetin e Elbasanit. Viktimë ka qenë një kambist. Arben Kovaçin e kanë ndjekur një grup prej pesë personash, mes të cilëve Albert Qafa, Laert Mehmeti e Gentian Hoxha (të arrestuar), si dhe një person tjetër me pseudonimin "Juristi".


Kambisti është goditur me bisht druri në kokë dhe i është marrë shuma prej 3 milionë lekësh, të cilat i kishte në kasetën e motorit me të cilin udhëtonte. Pas hetimeve të kryera ka rezultuar se bashkautor në këto ngjarje ishte edhe Alban Skonja, 26 vjeç.


Policia


Për 26-vjeçarin Alban Skonja lindur në Burrel dhe banues në lagjen nr.6 Durrës, i dënuar më parë për "vjedhje me dhunë", ishte vendosur masa e sigurisë "arrest me burg". Ndërkohë, policia po kërkon që të identifikojë edhe 2 bashkëpunëtorët e tjerë, si dhe kush fshihet pas nofkës "Juristi".


Ky pseudonim ka dalë sipas specialistëve në përgjimet telefonike të të arrestuarve, por ende nuk është identifikuar, pasi edhe të akuzuarit për bashkëpunim, e kanë mohuar një person të tillë. Mësohet se i arrestuari nuk e ka pranuar akuzën dhe se së shpejti pritet që të organizohet nga hetuesia një ballafaqim njohjeje me të dëmtuarit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›