E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fjalor për termat arkeologjike", për herë të parë në shqip

Publikohet për herë të parë në gjuhën shqipe "Fjalori për termat arkeologjike", i cili u paraqit dje me mbështetje të Fondacionit Trashëgimia Shqiptare (Albanian Heritage Foundation). Botimi i ri mban autorësinë e Ardit Mitit dhe Eglantina Serjanit. Ky libër mbi terminologjinë në arkeologjinë shqiptare, vjen si iniciativë për të futur konceptet e shekullit XXI në fushën e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Libri shënon iniciativën e parë për publikimin e një fjalori të plotë të termave arkeologjikë në Shqipëri. Për këtë arsye, edhe pse është bërë përpjekje për të sjellë formën më të mirë, nuk mund të thuhet se janë mbuluar dhe trajtuar njësoj të gjitha termat. Fjalori përfshin 1983 fjalëterma ose zëra të cilët variojnë që nga periudhat historike dhe ato gjeologjike, faktet dhe ngjarjet, fiset dhe popujt, evolucioni njerëzor dhe besimet e ritet, biografitë mbi jetën e mbretërve, perandorëve, koleksionistëve, studiuesve etj., shtetet dhe institucionet, qendrat arkeologjike dhe kulturat, arti dhe arkitektura, elemente, monumente dhe artifakte, teoritë dhe praktikat deri në shkencat dhe disiplinat ndihmëse, disa prej të cilave i prezantohen për herë të parë lexuesit shqiptar, veçanërisht studentëve dhe specialistëve të rinj. Libri nuk ka vetëm një natyrë përshkrimore, por tenton të shkojë edhe më tej, duke sjellë një frymë interpretative, e në mënyrë të veçantë për ato terma që lidhen me trashëgiminë arkeologjike dhe kulturore shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›