E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një gjerman drejt Shqipërisë

Ai qëndroi mjaftueshëm në Shqipëri, aq sa për ta dashur, njohur nga afër dhe aq sa për të vendosur të shkruante edhe një libër kushtuar vendit mikpritës, por edhe për t‘iu kundërvënë paragjykimeve dhe njohjes sipërfaqësore të këtij vendi. Jörg Dauscher vëzhgon dhe rrëfen jetën e përditshme në një fshat të veriut të Shqipërisë. Me përshtypjet e këtij udhëtimi, autori thur një mozaik poetik pamjesh të një vendi që ndryshon dita-ditës. "Drejt Shqipërisë. Shënime të një udhëtimi", (Nach Albanien. Bericht einer Reise) ka mbledhur dje pasdite në një takim letrar miq e të ftuar, të cilët kanë diskutuar mbi rrëfimin e gjermanit në Shqipëri, organizuar me rastin e aktiviteteve në kuadër të Tetorit Gjerman. Para disa viteve, Dauscher ishte mysafir në një familje shqiptare në veri të vendit dhe banoi atje për disa kohë. Njëkohësisht ai udhëtoi nëpër gjithë Shqipërinë, duke shkelur deri në brigjet jugperëndimore të tij. Përshtypjet e krijuara dhe eksperiencat, ai i mblodhi në rreth tetëdhjetë faqe në një raport udhëtimesh me tipare letrare. Libërthi i Jörg Dauscher, njësoj si edhe shumë autorë të tjerë gjermanë para tij, vjen si një rrëfim mbi Shqipërinë e kohës në të cilën ai vetë jeton. Ai paraqet përditshmërinë në një fshat të Shqipërisë Veriore, Nadaç, dhe rrëfen mbi jetesën reale të njerëzve të zonës. Ai na jep me veprën e tij letrare, plot vëzhgime e refleksione të mbarsura me figura poetike rreth një vendi në ndryshim. "Drejt Shqipërisë. Reportazh nga një udhëtim", nuk është vetëm një reportazh gazetaresk apo informativ, por një përmbledhje letrare që pretendon shumë më tepër; duke na dhënë me vërtetësi atmosferën dhe situatën që ai ka ndeshur në kohën që ka kohën ka zgjedhur ta kalojë në Shqipëri e veçanërisht, në

atë të Veriut. Dauscher sjell në vëmendje si anët e vështira, ashtu dhe ato të këndshme të situatës në një gjendje postindustriale. E aty dalin në pah edhe skena të shkurtra, vëzhgime e refleksione të mbarsura me figura poetike

rreth një vendi në ndryshim. Autori nuk lë pa përmendur dhe trajtuar edhe informacione në sferën ekonomiko-politike. Ai thotë se ekonomia shqiptare u rrënua tërësisht si pasojë e firmave piramidale në fund të viteve nëntëdhjetë. Ndodhën trazira me skena të ngjashme me ato të një lufte civile. Me mijëra vetë i kthyen vendit shpinën dhe u përpoqën të shkonin në Itali apo gjetkë në ndonjë vend të BE-së. E megjithatë në qendër të këtij libri, mbetet sigurisht fshati Nadaç. Ai nuk ka asnjë bërthamë fshatare. Madje nuk ka as ndonjë rrugë që ta përshkojë Nadaçin: në fshat kalojnë vetëm rrugë dytësore dhe jo kryesore. Për këtë arsye, Nadaçi në fakt nuk përbën një fshat, një fshat të mirëfilltë, por një koleksion të rastësishëm shtëpish të ulëta dhe kopshtesh të vegjël, të ndarë mes tyre nga gardhet dhe muret, të lidhur mes tyre nga rrugët- nëse do mund ta quanim kështu këtë sistem të kombinuar rrugicash e rrugësh. Fshati Nadaç ndodhet në Veri të Shqipërisë, jo larg qytetit venecian të Shkodrës dhe liqenit me të njëjtin emër. Një pistë e vetme e asfaltuar lidh - nga veriperëndimi dhe me atë që vjen nga Shkodra - fshatin Nadaç me botën e jashtme. Fillimisht rruga kalon drejt dhe pa kthesa në oborrin e parë fshatar që has përpara. Por sapo ajo kalon shkollën e fshatit, ajo merr një kthesë të fortë majtas dhe më pas thuajse humbet fare, derdhet në rrëmujën e mbetjeve të tokës së papunuar, të rrugëve të ashpra dhe lidhjeve të improvizuara

që kalojnë tërthorazi drejt shtëpive. Nadaç ngjeshet fort në truallin ku kalon, e prej së largu nuk shihet dot më, pasi asnjë minare dhe asnjë kishë nuk gjenden që të tregojnë se aty ka një

fshat. Shtëpitë nuk kanë qilar dhe rrallë kanë një kat të dytë, ndërsa shkolla e stilit të ndërtimit socialist, thyen horizontin:

ajo qëndron e lirë në hyrje, trekatëshe, e rrethuar nga barërat dhe fushat djerrë; një bllok në panoramën fshatare, e ngjyer me bojëra plot ngjyra, një pikë jashtëzakonisht tërheqëse dhe e dallueshme për fëmijët e rrethinave të afërta e të largëta dhe për më tepër e tejkaluar, e prekur nga një tjetër pjesëz historie; nga epoka e ardhshme, të cilën mjeshtrit e ndërtimit nuk e kishin parashikuar. Të gjitha këto gjenden në 76 faqet e librit të shkruar prej autorit bashkëkohor gjerman Jörg Dauscher i cili ka lindur në vitin 1975 në Vajsenburg dhe jeton në Berlin.

Pas kryerjes së studimeve në degën e letërsisë i hyri rrugës së krijimtarisë letrare. Përveç kësaj punon edhe si këshilltar.

a.h.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›