E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flakë në ish-repartin ushtarak, shpërthime në Fier

Rreziku/ Zjarre të tjera kanë përfshirë vendin përgjatë së premtes. Në shumicën e rasteve, nuk dihen shkaqet


FIER - Një tjetër zjarr i fuqishëm ka përfshirë rrethin Fier mbasditen e djeshme. Flakët kanë rënë në kodrat e qafës së Lalarit, komuna Portëz, në një ish-repart ushtarak, bazë raketash. Kjo vatër është përhapur me shpejtësi në të gjithë kodrën aty pranë duke kaluar edhe në kodrat e Krapsit. Gjithçka është diktuar rreth orës 14:00 nga vetë banorët që kanë lajmëruar më pas zjarrfikësit. Flakët kanë përpirë një sipërfaqe të konsiderueshme rreth 50-60 ha, kryesisht shkurre, ullishta, pyje me pisha etj. Në vendin e ngjarjes mbërritën katër mjete të repartit të zjarrëfikësve Fier, si dhe erdhën në ndihmë mjete nga rrethi Mallakastër dhe Lushnjë. Në ndihmë të tyre kanë qenë edhe forca të shumta të policisë së rendit. Zjarri ka pasur mjaft intensitet, i ndihmuar si nga era, ashtu dhe temperatura e terreni i thyer.

Mes flakëve janë dëgjuar edhe shpërthime mbetjesh luftarake, që sipas specialistëve kanë qenë mbetje nga trazirat e vitit 1997, të hedhura nëpër kodër. Këto shpërthime dhe terreni i thyer nuk kanë lejuar fillimisht zjarrfikësit të futen në brendësi të vatrës së zjarrit. Ish-godina e repartit ushtarak të raketave është përfshirë nga flakët, por pa pasoja pasi aty nuk ndodhej asnjë municion luftarak, që ishin larguar prej shumë vitesh. Gjithsesi, rreziku qëndronte për disa depo municionesh që aktualisht mbartin armatime të llojeve të ndryshme, por ato ishin rreth 800 metra larg zjarrit dhe pikërisht aty ndodhej në gatishmëri edhe një mjet zjarrfikës.

Policia, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, mori në mbrojtje banorë të zones, të cilët kishin banesat e tyre shumë pranë vatrave të zjarrit. Janë larguar bagëtitë. Ndërkohë, dhjetëra hektarë të mbjellë me pemë, vreshta janë djegur ose janë shpëtuar nga vetë banorët dhe policia, ku të gjithë së bashku me mjete rrethanore, për shkak edhe të terrenit të vështirë, kanë luftuar për më shumë se dy orë që zjarri të largohej nga këto territore të banuara. Banorët janë shprehur se janë ndier të rrezikuar nga zjarri dhe shpërthimet.

Flakët kanë vijuar të djegin në majë të kodrave masive pishash të reja dhe ullishta, ndërsa zjarrfikësit kanë shuar flakët përreth banesave dhe të mbjellave duke mbajtur situatën nën kontroll. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe krerë të lartë të pushtetit vendor në Fier. Ky është rasti i tretë brenda dy ditëve i vatrave të zjarrit në rrethin Fier dhe është shënuar si zjarri më i fuqishëm prej specialistëve kundër zjarrit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›