Henning Lohner: Muzika në film
Kompozitori amerikan i ftuar në Festivalin Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, hap programin e ri të këtij edicioni, "Tingujt e muzikës"
Festivali Veror Ndërkombëtar i filmit në Durrës ngriti siparin dje në amfiteatrin romak, me filmin fitues Oscar 2008 "Slumdog Millionaire". Sot fillon dita e parë e konkurrimit për dy seksione "Vizione bashkëkohore" dhe "Botë ballkanike". Nga i pari projektohet në mesditë në Teatrin "Aleksandër Moisiu" filmi "Të lumtur së bashku", i regjisorit Enthoven Geoffrey (Belgjikë, 2008, 93 min.), ndërsa nga programi i dytë shfaqen po në këtë teatër "Rruzarja e gabuar," nga Mahmut Fazil Coskun (Turqi, 2009, 90 min.), "Pa krahë" nga Ivo Trajkov (Çeki/Maqedoni, 2009, 90 min.) dhe "Të zinjtë" nga Goran Devic&Zvonimir Juric (Kroaci, 2009, 75 min.)
Në orën 10.00 shfaqet jashtë konkurrimit premiera e filmit nga Kosova, "Ama dorën", i regjisorit Ismet Sijarina.
Dita e nesërme do të ketë në fokus muzikën e filmit. Programi "Tingujt e muzikës", i konceptuar këtë edicion dhe që mendohet të mbetet program special i përhershëm i festivalit, i kushtohet rolit që luajnë kompozitorët në emocionet e gjalla të filmit. Është menduar si një forum kompozitorësh, ku çdo vit do t'i dedikohet si homazh një kompozitori të ftuar, i cili do të mbajë një masterclass në Durrës, duke i ofruar audiencës filmat e tij të preferuar. Prandaj është ftuar kompozitori Henning Lohner për në takim "Mbi muzikën në film".
Po kush është Lohner? U lind më 1961-shin dhe u rrit në Kaliforni nga prindër emigrantë gjermanë. U rikthye në Gjermani që të studionte muzikë, histori arti në Universitetin e Frankfurtit, ku u diplomua si MA më 1987-ën. Gjatë kësaj kohe, më 1984-ën, kompozitori grek Iannis Xenakis u bë mentor i përhershëm i Lohner-it. Më 1985-ën, ai është asistent i kompozitorit gjerman Karlheinz Stockhausen, i cili e prezantoi në median vizive, ndërsa punonte në La Scala në Milano, me operën "Licht" (Stockhausen). Punuan bashkë deri kur Lohner do të lidhet me regjisorin Louis Malle (1989-90), për muzikën e filmit "Maji i të çmendurve" (me aktor Michel Piccoli).
Henning Lohner ka qenë që në fillim i fokusuar në audion dhe median vizuale.
Tani punon në mënyrë permanente në fushën e muzikës, teatër dhe film, ka marrë pjesë në projektet "Shpella" dhe "Trena të ndryshëm" të Steve Reich-it dhe në spektaklin teatral të Giorgio Strehler "Fausti i Gëtes I & II". Bashkëpunimet me Frank Zappa-n në "Peefeeyatko" (1991) dhe "Peshkaqeni i verdhë" (1992), me John Cage në "One11 dhe 103" (1992), çuan në realizimin e filmave muzikorë "Hakmarrja e indianëve të vdekur" (1993), dhe "In a metal mood" (1996). Vepra "Rrow material, vol. 1-11" (1995) i Henning Lohner-it ka bërë turin në Evropën Kontinentale, përfshirë Muzeun Gemeente, në Hagë, Sonic Art Festival në Romë dhe Festivali i Videove Artistike në Berlin. Kjo punë u frymëzua dhe nga miqësitë dhe nga piktori i talentuar Gerhard Richter. Qysh më 1996-ën, Henning Lohner jeton në Los Anxhelos dhe ka punuar në "Media Ventures" studio e filmave muzikore të themeluara nga kompozitori Hans Zimmer.
Programi
Nesër
Teatri "Aleksandër Moisiu"
10:00 - "Autobusi i natës" Davide Marengo, Itali, 2007, 104 min. (Programi "Takime të ngushta")
12:00 - Master Class nga kompozitori Henning Lohner, "Roli i muzikës në Film"
18:00 - "Vajza më e lumtur në botë" Radu Jude, Rumani/Holandë//Francë/Japoni, 2009, 90 min. (Botë ballkanike)
20:00 - "Helsinki" Aleksi Mäkelä, Finland, 2009, 133 min. (Vizione bashkëkohore)
22:00 - "Bota është shumë e madhe dhe shpëtimi fshihet diku afër" Stephan Komandarev,
Bullgari/Gjermani/Hungari/Slloveni, 2008, 105 min. (Vizione bashkëkohore)
Amfiteatri romak
21:00 - "Pa krahë" Ivo Trajkov, Çeki/Maqedoni, 2009, 90 min.
23:00 - "Vajza më e lumtur në botë" R. Jude