E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Ministri i Piramidave, të vërtetën për financat


TIRANË- Partia Socialiste ka kundërshtuar deklaratat e ministrit të Financave Ridvan Bode sipas të cilit ekonomia vendase i ka kaluar tashmë pasojat negative të krizës ekonomike globale duke kërkuar nga ai që të tregojë të vërtetën për financat e vendit. Me anë të një konferencë për shtyp, deputetja socialiste Mimi Kodheli i ka kërkuar ministrit Bode që të japë përgjigje për faktin se përse futen në arkën e shtetit të ardhurat e përfituara nga privatizimet e ndërmarrjeve strategjike dhe se përse qeveria nuk i ka shlyer ende kompanitë që punojnë në ndërtimin e një serë aksesh rrugore në vend.

"Pse paratë e privatizimeve abuzive të pasurisë së përbashkët të shqiptarëve, po bëhen gati për të mbushur arkën e boshatisur nga fushata e grabitjes së votës, duke i zhytur çdo ditë e më shumë në borxh familjet shqiptare. Bode duhet t'iu thotë shqiptarëve nëse është paguar fatura mbi 60 milionë euro për rrugën e kombit dhe se a janë shlyer detyrimet e mëdha që u ka kjo qeveri, firmave të tjera të rrugëve të hapura nëpër Shqipëri. Sot ministri i Financave, ka bërë me dije për shqiptarët se e kaluam krizën ekonomike dhe se situata është e stabilizuar. Ai, më në fund ka pranuar se vendi ka pasur krizë, edhe pse Partia Socialiste e ka bërë me dije një fakt të tillë prej shumë kohësh",- tha ajo. Sipas Kodhelit, për t'u shqetësuar është edhe fakti se megjithëse nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka sinjale për krizë ekonomike ato nuk merren parasysh nga qeveria.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›