Flaken në rrugë mijëra punëtorë

Ristrukturimi që pritet të nisë në kompanitë publike të naftës “Armo” dhe “Albpetrol”, do të shoqërohet edhe me një shkurtim të fuqisë punëtore. Aktualisht, numri i punonjësve që pritet të shkurtohen vetëm në kompaninë “Albpetrol” është 1000, ndërkohë që reforma e shkurtimeve pritet të përfshijë dhe 5000 punëtorë të tjerë. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe i Energjetikës, Genc Ruli. “Reforma punëtore në këto kompani është e domosdoshme, për shkak se fuqia punëtore është më e madhe se prodhimi që nxjerrin në treg të dyja kompanitë”, ka shpjeguar ministri Ruli. Në këtë këndvështrim, është bërë i nevojshëm edhe ristrukturimi i numrit të fuqisë punëtore, i cili në të dyja kompanitë e naftës është më i madh, me qëllim që të mund të arrihet në një optimum të prodhimit dhe me kosto të pranueshme në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës. Plot 1700 punonjës të kompanisë shtetërore të naftës “Armo” dhe asaj “Alpetrol” do të trajtohen me një pagë shpërblimi për një vit. Fondi i vënë në dispozicion kap vlerën e 748 milionë lekëve të reja, apo rreth 9.3 milionë dollarë. Ministria e Ekonomisë ka përcaktuar mënyrën e shpërndarjes të përfitimit për punonjësit që dalin si të papunë. Sakaq, fondet që do të shpërndahen për këta punonjës do të përballohen nga likuiditet e kompanive. Sipas vendimit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, të gjithë këta punonjës do të përfitojnë pagesë me pagë bruto mesatare mujore individuale (pagë bazë+vjetërsi), të vitit të fundit të punës. Po ashtu, të gjithë ata punonjës të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike në formën e punësimit apo të vetëpunësimit, nuk do të përfitojnë nga kompensimi. Konkretisht, punonjësit e “Alpetrol” pritet të kompensohen me pagën mujore që kanë tërhequr vitin e fundit, e cila kap vlerën e 500 000 lekëve të vjetra, kurse për punonjësit e “Armos” kompensimi shkon në 400 000 lekë të vjetra në muaj. Periudha gjatë së cilës këta persona do të marrin pagesën e përcaktuar sipas këtij vendimi njihet si periudhë sigurimi, për efekt të përfitimit të pensionit të pleqërisë, të invaliditetit dhe atij familjar, kundrejt pagesës së kontributit në fondin e sigurimit të detyrueshëm shoqëror nga dy kompanitë “Armo” dhe “Albpetrol”. Periudha e mësipërme e pagesës do të shënohet në librezën e punës. Gjithashtu, në vendim përcaktohet se përfitues do të jenë të gjithë punonjësit aktualë të “Armos” dhe “Albpetrolit”, të cilët kanë qenë të punësuar në këto shoqëri për një periudhë jo më pak se 2 vjet pa ndërprerje. Të drejtën e trajtimit, në përputhje me këtë vendim, e përfitojnë ata punonjës të cilët nuk zhvillojnë veprimtari ekonomike në formën e punësimit apo të vetëpunësimit, pasi në rast të kundërt, do t’u ndërpritet ky kompensim. Fondi për 606 punonjësit që dalin të papunë nga ristrukturimi i “Armos” dhe për të 1100 punonjësit që dalin të papunë nga ristrukturimi i “Albpetrolit”, do të përballohen përkatësisht nga likuiditetet e këtyre shoqërive. Fondi i llogaritur për kompensimin e punonjësve të “Armos” është llogaritur në 376 milionë lekë të reja, kurse për punonjësit e “Albpetrolit” është llogaritur në vlerën e 370 200 000 lekëve të reja.