Ishte Këmba e Zotit

-Z. Skela, a e ndjetë para ndeshjes se kjo do të ishte një ditë e veçantë për ju?
“Si t’ju them. Ndjehesha krejtësisht keq para ndeshjes”.
-Përse?
“Pasi konkurrentët tanë fituan të shtunën, për ne (ndaj Hertës) ishte një ndeshje që duhej ta fitonim pa diskutim. Për fatin tonë, goditja ime e dënimit na dha 1-1. Zoti ishte në anën tonë. Pas kësaj fitoreje jemi në pozicion të mirë, por liga vazhdon të jetë krejtësisht e hapur. Ne vendosëm të luanim dhe fituam me dy prej aksioneve tona”.
-Një dhuratë. Ju ishit ai që vendosi rezultatin me dy aksionet.
“Për fat të mirë, kjo nuk ishte për herë të parë në karrierën time. Por do të gënjeja nëse do të thosha se kjo ndeshje nuk do të thotë gjë për mua. Ndeshja nuk ishte shumë e mirë. Herta nuk bëri shumë, por as ne nuk bëmë shumë. Ndaj, në raste të tilla, goditjet standarde mund të jenë vendimtare. Ishte Këmba e Zotit”.
-A patët dyshime në vetvete kur morët përsipër goditjen e penalltisë?
“Trajneri e kishte vendosur që para ndeshjes që penalltinë, nëse fitohej, do ta gjuaja unë dhe pas golit të parë unë ndjehesha edhe më i sigurt. Unë tashmë jam 31 vjeç dhe në një moshë të tillë njeriu duhet të marrë përsipër përgjegjësi”.
Përgatiti: B.Kuka
Ervini për “Bildin”: Jam më fatlumi në botë
“Goditja e dënimit ishte gjuajtja e së dielës”. Kështu e shpjegoi Ervin Skela golin e parë të tij në portën e Hertës, për gazetën më popullore të Gjermanisë, “Bild Cajtung”. “Ndaj Bajernit heroi quhej Branko Jeliç, - shkruan gazeta, - tashmë heroi në Kotbus është Ervin Skela, që bëri skuadrën e tij të vallëzojë me një fitore 2-1 ndaj Hertës. Me një goditje të çmendur dënimi nga 20 metra dhe një penallti”. “Jam njeriu më me fat në botë, - vazhdon shqiptari, - një armë e tillë (si goditja e dënimit) është vdekjeprurëse kur lufton për të mos rënë nga kategoria, sidomos kur nuk ke shumë raste për gol. Unë kam shënuar edhe gola të tjerë të bukur, por ky është më i rëndësishmi”. Skela pohon me siguri të plotë për “Bildin”: “Ne nuk do të biem nga kategoria”. Kotbusi shpreson që ai ta mbajë sërish fjalën, komenton gazeta.
Shqiptari në formacionin e javës në Bundesligë
Skela i bëri vend vetes në formacionin e javës në Bundesligën gjermane. Sipas medias së atij vendi, ky formacion përbëhej në këtë mënyrë: Nojer (Shalke), Dede (Dortmund), Bolman (Bilefeld), Simunek (Volfsburg), Kel (Dortmund), Grliç (Duisburg), Riberi (Bajern), Auer (Bohum), Ishiaku (Duisburg), Skela (Kotbus), Petriç (Dormund). Komenti për shqiptarin ishte: Shënoi të dy golat në fitoren e derbit të Brandenburgut ndaj Hertës. Kotbusi i detyrohet Skelës që doli nga zona e rënies prej kategorisë. “Kikeri” i dha notën shumë të mirë, 2, duke qenë pa diskutim më i miri në fushë për të dyja skuadrat.