Po shkrihen partitë pa identitet

Politikani i njohur, Sabri Godo, la të kuptohet dje se nuk ka hë për hë asnjë mundësi që PR-ja dhe PD-ja të shkrihen apo të bashkohen në ndonjë formë që do vendoste të njëjtën çati sipër kokave të të dyjave. Kjo sepse sipas tij, partitë satelite që po shkrihen me PD-në janë ato që s’janë më në gjendje të artikulojnë më politika të pavarura, për shumë arsye, ku kryesorja është ndryshimi i ligjit elektoral. Por përderisa PR-ja, parti në të cilën themeluesi Godo është ende president, nuk mund të konsiderohet një forcë politike pa identetit, atëherë edhe opsioni i “gëlltitjes” nga PD-ja mund të përjashtohet.
Godo i tha “Korrierit” në një analizë të pjekur, se janë dy arsyet që po i dërgojnë në shkrirje partitë e vogla. Arsyeja e parë është kur forca politike nuk e gjen më veten në atë që bën, ndërsa arsyeja e dytë, duke iu referuar edhe rastit konkret në vend, kur kjo imponohet nga ligji elektoral. Sipas republikanit Godo, në rastin e parë kur shkrirja vjen si pasojë e orientimit politik, është diçka pozitive, ndërsa për rastin e dytë kur shkrirja imponohet, atëhere është e kundërta. Duke folur për rastin konkret në vend, ku Partia Demokrate Reformatore kërkon të shkrihet me Partinë Demokratike, Godo thotë se kjo është diçka normale dhe që ndodh edhe në vendet e tjera. “Unë kam dëgjuar të flitet për një bashkim të PDR-së me PD-në. Arsyet e vërteta duhet t’i dijnë Pollo me Shehun, por duke gjykuar nga jashtë mund të them se ndoshta tani nuk arrijnë të formojnë më një politikë të tyren të veçantë nga PD-ja. Ata ka kohë që janë në koalicion dhe nuk mund të bëjnë më opozitë ndaj Partisë Demokratike. Me fjalë të tjera, nuk gjejnë më se çfarë të thonë, si të justifikojnë ekzistencën e tyre, mund të jetë kjo një nga shkaqet”, thotë Godo për “Korrierin”. Ndërkohë, i pyetur se sa mund të ketë ndikuar ndryshimi i sistemit elektoral në këtë orientim të PDR-së, Godo thotë se ky është një faktor për t’u marrë parasysh. Megjithatë, sipas tij po përgatitet një ligj elektoral që nuk u lë dhe rrugë tjetër forcave të vogla politike. Godo e cilëson këtë si një zhvillim negativ.“Ky ligji elektoral vërtetë që i vë në një shtrëngim të madh këto partitë e vogla. Shkon në dëm të tyre dhe në dëm të elektoratit që ata përfaqësojnë. Unë natyrisht jam kategorikisht kundër, ashtu si janë kundër dhe shumë të tjerë, gjithë politika tjetër, duke përjashtuar dy partitë e mëdha”, vijon Godo. Ndërkohë, ndërsa flet për ligjin e ri elektoral, Godo shprehet me tone të ashpra ndaj Partisë Demokratike, e cila nuk mbajti qëndrimin e saj. “Do të dëshiroja që Partia Demokratike t’i përmbahej qëndrimit që kishte formuluar më parë dhe jo t’i përulej presionit të Ramës dhe po bën diçka që duket sikur po e bën jashtë vullnetit të vet”, deklaron Godo. Sipas tij, ligji elektoral çon në likuidimin e pluralizimit parlamentar në Shqipëri. “Praktikisht do të kemi të bëjmë vetëm me dy parti, të cilat mund të rrëshkasin edhe në vendime të rrezikshme për vendin në një moment kur puqen interesat e tyre” thotë Godo, duke mbajtur një qëndrim kategorikisht kundër ligjit elektoral.