E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flakët djegin sipërfaqe të tëra me ullishte e kullota

TIRANE- Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të tëra me kullota dhe ullishte në disa qytete të vendit. Vatra zjarri janë raportuar në rrethin e Sarandës, në Gjirokastër, Tepelenë, Vlorë e Elbasan.

NEWS24 raporton se situata më problematike është në rrethin e Sarandës ku të dhënat zyrtare flasin për djegien e 30- 40 hektarëve kullota. Prej 3 ditësh vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive në fshatrat Markatë, Shkallë, Navaricë, Dhrovjan, Kardhikaq.

Dy vatra zjarri janë aktivizuar edhe në sipërfaqe me kullota pranë fshatrave Mamaj dhe Becisht të Tepelenës.

Burimet zyrtare bëjnë të ditur se vatrat e zjarrit fatmirësisht janë shënuar larg zonave të banuara.Ndërkaq një vatër zjarri u shfaq sot, në rrethana ende të paqarta, në kodrat me ullishta, që rrethojnë një pjesë të qytetit të Elbasanit. Zjarri ka djegur një sipërfaqe prej 2 hektarësh me ullinj. Nga hetimet paraprake policia ka arritur të zbulojë se zjarri i shfaqur në kurorën me ullishta të këtij qyteti ra në zonën pranë lagjes N.SH.U në periferi të Elbasanit, ndërsa dyshohet se ai mund të ketë qenë i qëllimshëm. Policia ka shoqëruar Luan Koçi, 41 vjeç dhe shtetasin me iniciale D.Koçi, 17 vjeç.

Ky është zjarri i dytë që shkakton dëme me pasoja të rënda në pemtari pas atij që u shfaq në fshatin Valas të Komunës Papër në qytetin e Elbasanit, ku zjarri dogji rreth dy hektarë pemë frutore.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›