E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanos për vrasje me pistoletë të ëmën e së dashurës

05/08/2009  Ngjarja ka ndodhur në Yzberisht. Policia arreston Gentian Rukën

Kanos për vrasje me pistoletë të ëmën e së dashurës

TIRANE- Një 27 vjeçar ka kanosur me vdekje një grua, pasi kjo fundit nuk lejonte që ai të lidhej me vajzën e saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në Yzberisht, ku shtetasi Gentian Ruka ka hyrë i armatosur në banesën e një shtetaseje, emri i të cilës nuk bëhet i ditur nga policia, dhe e ka kërcënuar atë me vdekje në qoftë se ajo nuk do të lejonte lidhjen e tij me vajzën e saj. E ndodhur përballë këtij presioni psikologjik, gruaja nuk ka pritur më, por ka shkuar në komisariatin nr. 6 dhe ka bërë denoncimin në ngarkim të shtetasit 27-vjeçar Gentian Ruka. Menjëherë pas këtij denoncimi punonjësit e policisë së këtij komisariati kanë arrestuar Rukën dhe në të njëjtën kohë kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në banesën e tij. Gjatë kontrollit efektivat e policisë konstatuan një armë zjarri pistoletë tip “TT” si dhe dy krehra me 15 fishekë. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje fillimisht 27-vjeçari nga Laçi, por banues në Yzberisht, ka mohuar të ketë kërcënuar gruan, duke u shprehur përpara oficerëve të policisë gjyqësore se shtetasen që kishte kryer denoncim për të nuk e njihte fare dhe se gjithçka ishte e sajuar. Të njëjtën gjë ai ka thënë edhe kur policia ka bërë ballafaqimin midis të dëmtuarës dhe atij. Për të provuar autorësinë e krimit, ekspertët e policisë i treguan 27-vjeçarit armën me të cilën ai kishte kryer kanosjen dhe që e mbante pa lejë. I ndodhur përballë kësaj situate, 27-vjeçari Gentian Ruka ka pranuar krimin e bërë dhe pritet që së shpejti të dalë përpara gjykatës për masë e sigurisë. Ndërkohë për dokumentimin e çështjes policia ka pyetur edhe vajzën e të dëmtuarës, e cila ka pranuar lidhjen e saj me të arrestuarin. Aktualisht të gjitha materialet hetimore në ngarkim të Gentian Rukës do t’i kalojnë prokurorisë së Tiranës për veprat penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve dhe kanosjes, parashikuar nga nenet 278/2/3 dhe 84 të Kodit Penal.

Neni 84 i Kodit Penal

Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë që i bëhet një personi përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Ndërkohë që në nënin 83/a thuhet se kanosja serioze për hakmarrje apo për gjakmarrje, që i bëhet një personi a të mituri për t’u ngujuar dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›