Flamur Bime, rrezik për Gjirokastrën, e mbron vetëm Edvini

Zbulohet skandali i KRRT-së së Gjirokastrës dhe i kryebashkiakut Bime. Shkaktarët e tragjedisë së Gjirokastrës e morën lejen e ndërtimit, ende pa u licencuar. Kryebashkiaku jep shpjegimet e para në prokurori, por refuzon t’i përgjigjet kërkesës popullore për dorëheqje, pasi është vënë nën presionin e drejtpërdrejtë të Edvinit
Një skandal është zbuluar së fundmi me dokumentacionin e firmës së ndërtimit që konsiderohet si shkaktare e tragjedisë së Gjirokastrës, ku humbën jetën 3 persona. Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë i ka dhënë asaj leje ndërtimi rreth një muaj para se të pajisej me licencë. Këto dokumente duket se përbëjnë edhe pistën kryesore të Prokurorisë së rrethit, e cila ka vënë nën hetim 10 persona deri më tani dhe që nuk përjashton akuzat ndaj personave të tjerë.
Sipas dokumenteve të zbuluara, në kontekstin e një skandali, mësohet se firma e ndërtimit “Arti” sh.p.k, ishte licencuar në datën 7 korrik, të vitit 2008, ndërsa lejen për ndërtimin e pallatit që shkaktoi tragjedinë, e kishte marrë e nde pa u licencuar. Këtë “të mirë”, KRRT-ja e bashkisë së Gjirokastrës, ia kishte bërë në datën 13 qershor të vitit 2008, pra rreth tri javë para licencimit të saj.
Ndërkohë, mësohet se vazhdojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Dje në Prokurorinë e Rrethit të Gjirokastrës ka qenë me cilësinë e dëshmitarit kryebashkiaku Flamur Bime dhe zëvendësi i tij Vangjel Muço. Ndërsa gjykata e Shkallës së Parë ka lënë po dje në burg, disa prej të arrestuarve, të dyshuar si shkaktarë të tragjedisë.
Prokuroria
Hetimet për shembjen e pallatit në Gjirokastrës, kanë bërë që dje të paraqitet në prokurorinë e Rrethit ët Gjirokastrës, kryebashkiaku i këtij qyteti, Flamur Bime dhe zëvendësi i tij Vangjel Muço.
Burime të kësaj prokurorie, bënë të ditur se, në cilësinë e kryetarit të KRT së qytetit, Flamur Bime ka dëshmuar në prokurori për ngjarjen e rëndë të ditës së diel, kur një pallat pesëkatësh u shemb duke sjellë tre viktima, ku mes tyre ishte dhe një vajzë 12-vjeçare.
Bime dhe Muço kanë ndenjur në prokurori rreth dy orë, ku ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me lejen e ndërtimit të dhënë për firmën “Arti” sh.p.k., që do të ndërtonte një pallat.
Burime të njëjta të prokurorisë së Gjirokastrës, bënë ët ditur se do të merren në pyetje të gjithë anëtarët e KRT, së këtij qyteti, në lidhje me lejen e ndërtimit që më pas solli dhe tragjedinë e rëndë. Mësohet se disa prej anëtarëve të kësaj KRRT-ëje, kanë votuar kundër dhënies së lejes së ndërtimit për firmën “Arti” sh.p.k.
Gjykata
Gjykata e Shkallës së Parë e Gjirokastrës vendosi dje masën e arrestit “me burg” për pesë nga nëntë të ndaluarit të cilët dyshohen si shkaktarë të shembjes së pallatit të lagjes “11 Janari” në këtë qytet, katër ditë më parë, ku humbën jetën tre njerëz dhe u plagosën disa të tjerë. Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Pëllumb Vehbiu, pasi shqyrtoi për më se pesë orë dosjet penale.
Gjergji Meçe, inxhinier zbatues i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k, Luan Bufi, inxhinier ndërtimi i kësaj shoqërie, Afërdita Papamihali, sekretare e Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT), pranë Bashkisë së Gjirokastrës, Alfred Mamani, shef i urbanistikës në Bashkinë e qytetit, si dhe Sotiraq Janora, president dhe drejtues teknik i shoqërisë së ndërtimit “Arti” sh.p.k., do të vazhdojnë të qëndrojnë në burg deri ditën e gjykimit.
Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati pesëkatësh i ngritur në një kodër, u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re, pranë tij. Deri tani për këtë ngjarje janë arrestuar 9 punonjës të Bashkisë së Gjirokastrës dhe të firmës që po ndërtonte pallatin e ri.
Shembet plotësisht pallati i tragjedisë
Dje është shembur plotësisht pallati pesëkatësh, i cili u rrëzua pjesërisht disa ditë më parë në qytetin e Gjirokastrës.
Prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, i cili ndoqi gjatë gjithë ditës operacionin e shembjes, i tha ATSH-së se ekskavatori dhe dy makineri të rënda kanë larguar tashmë nga vendi i ngjarjes pjesën më të madhe të rrënojave.
“Gjatë operacionit të shembjes nuk u shënua asnjë incident me familjet e prekura nga tragjedia dhe vetëm tani ata janë sigurt të shkojnë në gërmadhë për të mbledhur kujtimet e tyre”, tha Ksera.
I gjithë aksioni u ndoq nga policia lokale, e cila nuk lejoi kureshtarët t’i afrohen pallatit gjysmë të rrënuar.
Pallati pesëkatësh në lagjen ‘11 Janari’ të qytetit jugor të Gjirokastrës u shemb mesditën e së dielës duke shkaktuar tre viktima. Nga hetimet e deritanishme rezulton se pallati i ngritur në një kodër u shemb si pasojë e ndërtimit të një godine të re, pranë tij. Deri tani për këtë ngjarje janë arrestuar 9 persona, punonjës të bashkisë së Gjirokastrës dhe të firmës që po ndërtonte pallatin e ri.
...