Flamuri bën gati pyetjet për doktorin tek “Opinion”
Një problem i ri ka dalë për Flamurin çdo javë të dytë të muajit. Sondazhi i ZOGBY-it që jepet në Top Channel i ka prishur shumë punë fushatës elektorale, dhe për këtë është vendosur që ai burri, çdo të enjte që jepet sondazhi i ZOGBY-it, të jetë i ftuar tek emisioni i Fevziut. Flamuri me këtë rast është i angazhuar të bëjë pyetjet nga populli që do t’i drejtohen atij burrit, ndërsa me gazetarët merret Sandri.
I mërzitur që i caktojnë këto detyra jashtë profilit, Flamuri humbi dje gjithë ditën për të formuluar pyetjet.
Pyetjet e para që kishin të bënin me bllokun e parë të debatit mbi arritjet e qeverisë, i kishte të lehta. Formuloi disa variante, po më e mirë i dilte pyetja: “Si është e mundur që qeveria ka arritur gjithë këto suksese?”
Sa shumë do kënaqet, mendonte me vete. E përfytyronte, kur ta dëgjonte këtë pyetje ai burri dhe të fillonte: “Ne kemi arritur gjithë këto suksese, se jemi qeveria e burrave dhe grave të fjalës së mbajtur. Ne shembëm murin e korrupsionit dhe të krimit dhe ndërtuam një Shqipëri të re…”, dhe u ngazëllye pa masë.
Te blloku i dytë i pyetjeve që i kishte nisur Fevziu, ishte puna e aplikimit në BE. U mendua, u mendua dhe s’po i dilte një pyetje e saktë. Më në fund e vendosi. “Si shpjegohet që shumë vende evropiane mbështetën qeverinë në kërkesën për të aplikuar, kurse opozita në Shqipëri nuk e mbështeste?”
E përfytyronte pastaj atë burrin duke thënë: “Kjo opozitë, e cila izoloi Shqipërinë për 50 vjet dhe na ndau nga bota e qytetëruar me murin e krimit dhe korrupsionit, natyrisht është e shqetësuar nga aplikimi, pasi Shqipëria është tani e tutje vend evropian dhe këta nuk kanë vend në një shoqëri të till녔
Iku dhe kjo, tha, ndërsa mbërriti te blloku i tretë, ku do flitej për investimet e qeverisë dhe luftën kundër korrupsionit. Këtu ka porosi të ketë dhe ndonjë pyetje provokative. Po ku i bënte dora Flamurit për pyetje provokative. U mendua, u mendua dhe më në fund sajoi një pyetje gjysmë provokative nga populli: “Zoti kryeministër, ish-ministri Aldo Bumçi i ka raportuar me një faks djalit tuaj për komentet e ministrisë së tij për vendimin e Gërdecit. Si e komentoni ju?”
E përfytyroi atë burrin, teksa prishej pak në fytyrë. “Të falënderoj për pyetjen dhe u jam mirënjohës që më jepni shansin ta shpjegoj këtë shpifje të ulët, të dalë nga edvinët dhe mafiozët e këtij vendi që duan të mbajnë peng Shqipërinë. Është gënjeshtër dhe gënjeshtër, dhe vetëm gënjeshtër që ministri Bumçi i raportonte djalit tim. Ai më raportonte çdo ditë mua dhe nuk ka pas asnjë arsye ta bënte këtë punë me shkrim për djalin tim. Dhe nëse djalit i duhej një informacion, ai mund të më pyeste mua. Por këtë mund ta kenë bërë njerëz të lidhur me Partinë Socialiste në atë ministri, të cilët kanë dashur të hedhin në erë autoritetin e ministrit. Zoti Bumçi më ka treguar me ndershmëri dhe unë besoj te ndershmëria e tij, se atë faks e ka nisur sekretarja e tij dhe se ajo nuk është një shkresë zyrtare. Shkresa origjinale i është nisur zotit Mediu, faksi është nisur 4 ditë më vonë për tim bir, madje një ditë para marrjes së vendimit. Kjo do të thotë që im bir qenka informuar pas Mediut për shkresën, gjë që nuk ka asnjë mundësi. Unë ju siguroj se ajo që ka ruajtur këtë shkresë dhe ia ka dorëzuar prokurorisë është thjesht një nëpunëse socialiste, e mbetur në administratë, që ka marrë ndëshkimin e merituar më pas. Ia kam bërë vërejtje dhe zotit Bumçi, dhe zotit Mediu, madje vërejtja e vetme që kam për ta është se ata nuk kanë heqë asnjë socialist nga puna dhe ata u kanë bërë gjëmën. Por unë ju siguroj se im bir nuk ka pas arsye ta merrte atë faks [pasi e dinte situatën dhe pa ardhë ai faks]. Ai faks është bërë me qëllim që ai të implikohet në këtë histori. Ju falënderoj dhe një herë që më dhatë mundësi të shpjegoj këtë shpifje”.
Flamuri u ngazëllye shumë nga përfytyrimi i përgjigjes. A t’i bëj dhe një pyetje për këtë Rrahmanin, tha, që thonë se ka qenë përfaqësues i SAC? U mendua dy herë dhe e anuloi. Iu kujtua Qukapi që mund të nxehej dhe të keqkuptohej situata.
Atëherë vendosi të bëjë pyetjen e fundit te pjesa “Kush fiton?” Pyetja është: “Zoti Berisha, a mendoni se do të fitoni të vetëm si parti mbi 70 vende në zgjedhje dhe kujt ia dedikoni këtë?
Dhe pastaj përfytyroi përgjigjen: “Fitorja është e sigurt. Partia Demokratike do të marrë 78 vende në Kuvend dhe do të korrë një fitore historike. Do të jetë fitorja më e thellë në historinë e Shqipërisë. Ia dedikoj këtë fitore punës së kësaj qeverie, të këtyre burrave dhe grave të fjalës së mbajtur, të atyre që kanë ndryshuar historinë e këtij vendi, dhe natyrisht familjes sime që më është gjendur pranë në çdo hap të qeverisjes. Ju faleminderit”.
Flamuri fluturonte nga gëzimi, kur përfytyronte përgjigjen. I shkroi pyetjet në të pastër, i futi në një zarf dhe ia nisi me shofer Fevziut me shënimin: “Bëji gati për regjinë si pyetje nga populli. Flamuri!”