E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ambasadori austriak dhe qeveria e tij të ndalojnë vjedhjen e kredisë shqiptare”

Nga Tema

Specialistët e Shëndetësisë i drejtohen diplomatëve për skandalin me tenderin për Sanatoriumin

Akoma mbeten të pakuptueshme rrethanat në të cilat është bërë tenderi i kredisë tregtare të sanatoriumit. Tenderi u bë në Austri me urgjencë me pjesëmarrjen e të njëjtit person që ka aprovuar specifikimet teknike, pasi askush nga mjekët e sanatoriumit dhe QSUT nuk di gjë rreth këtyre specifikimeve. Mendojmë që kjo është shkelje e hapur e ligjit austriak të prokurimit publik, ku ai që harton specifikimet (në këtë rast aprovon), nuk mund të marrë pjesë në tender gjatë procesit të vlerësimit. Gjithashtu, në ligjin austriak specifikimet i bëhen të ditura përdoruesit final. Në këtë rast, ku kemi një proces tenderimi, ku askush nga përdoruesit finalë nuk di asgjë rreth këtyre aparaturave, hijet e dyshimit janë shumë të mëdha. Në sanatorium, ku do të jetë baza e këtij spitali të ardhshëm, të gjithë ngrenë supet rreth teknologjisë që do vijë. Askush nuk i ka pyetur dhe askush nuk ka diskutuar me ta. Ajo që pëshpëritet në këtë tender të bllokuar ndërmjet konsulentit austriak dhe drejtorit të sanatoriumit është se aty janë futur shumë punime civile jashtë logjike, për t’u bërë me një kredi tregtare, kur në buxhetin e shtetit çdo vit ndahet buxheti për punimet civile në spitale. Gjithashtu spikat edhe një sasi e konsiderueshme parash për trajnim, sasi kjo asnjëherë e aplikuar më parë në grande dhe kredi të dhëna popullit shqiptar. Natyrisht, çmimet e aparaturave janë të blinduara, askush nuk di gjë në Shqipëri për këto çmime, por nga burime që nuk duan të konfirmohen, thuhet që një rezonancë magnetike 1,5 tesla është shitur me rreth 1 milion euro, kur çmimi është afërsisht 550-600 mijë euro. Një skaner 16 slice është shitur rreth 600 mijë euro, kur sot në treg e gjen për rreth 350-400 mijë euro. Këto krahasime janë marrë nga prodhime të firmave më të mëdha të botës si “General Electric”, “Philips”, “Toshiba”. Për të pasur disa elemente të tjera krahasimi (pasi gjithçka është e blinduar), mund të shtojmë që një spital i tillë pa këto prodhime Hi-Tech është tenderuar dhe bërë nga Ministria e Shëndetësisë disa vite më parë për 1.8 milionë euro. Shembull konkret është spitali i Durrësit me këto dimensione sallash operacioni, reanimacioni dhe të gjithë ndihmesat e tjera. Pra, i gjithë shpenzimi nuk mund t’i kalojë 3 milionë eurot, duke shtuar edhe 1 milion të tjera ndonjë material shtesë që logjika nuk na e kap se ç’mund të jetë, por që e pranojmë si të mirëqenë apriori, arrijmë në 4 milionë. Por nga këtu në 8 milionë e gjysmë euro, gropa financiare është shumë e madhe. Çudia dhe dyshimet shtohen, kur marrim vesh që urdhri i kësaj kredie ka dalë me një VKM cirkulare dhe që asnjë pjesë e kredisë akoma nuk është çelur për t’u shfrytëzuar dhe vetëm në pjesën e shëndetësisë kredia është bërë gati për t’u shfrytëzuar. Gjithashtu, na lind pyetja: Përse në këtë rast duhet të merret një kredi tregtare me VKM, kur ky është një buxhet normal që mund të zgjidhet fare mirë nga Ministria e Shëndetësisë ose mund të hyjë në projektet e Bankës Botërore ose Komunitetit Evropian?

Dhe hartuesit e këtij megakorrupsioni thonë që tenderi ishte i vlefshëm vetëm për firmat austriake. Të kontaktuara, firmat më të mëdha austriake, VAMED dhe A.M.I., respektivisht menaxherët që mbulojnë Shqipërinë, zotërinjtë Thomas Schantl dhe Mark Jabllanovski, as nuk dinë të bëhet fjalë për një tender të tillë. Si ka mundësi ky fakt zotëri Ambasador i Austrisë dhe qeveritar shqiptar, firmat austriake me eksperiencë ndërkombëtare, as nuk dinë të bëhet fjalë për një tender të tillë?! Në Shqipëri thuhet: “Është punë e austriakëve dhe në Austri, askush që merret me këtë punë, nuk di gjë”. A është ky korrupsion i pastër, në mënyrë që të vidhet gjysma e buxhetit? Sipas disa njoftimeve, në tender ka marrë pjesë vetëm një firmë që duhet të fitonte, emri i së cilës fillon me S dhe mbaron me S, si dhe një satelit i saj, që do të bënte një ofertë pak më të lartë se e para për të mos rënë në sy. Atëherë, z. Ambasador i Austrisë, “ku e keni shpallur këtë tender që as firmat tuaja nuk e dinë?”

Përse tenderi duhej të bëhej në Austri në kushtet e një mosinformacioni total, gjë që lejon kompaninë që duhet të fitojë të shesë me një çmim anormal, me paratë e taksapaguesve shqiptarë? Nuk duhet të harrojnë që Banka Botërore me 4 milionë euro ndërroi totalisht teknologjinë e QSUT që ka 10-fishin e numrit të shtretërve të sanatoriumit. Gjithashtu, lind pyetja: Përse duhet të përdoreshin VKM dhe urgjenca të tilla, kur sanatoriumi është një spital që funksionon? Nëse ky ishte një projekt i partisë në pushtet, si nuk pasqyrohet në programin e kësaj partie, por e vetmja gjë që e lidh me programin e partisë është moszbatimi i luftës së korrupsionit ose më saktë, zbatimi i një korrupsioni të pastër në shëndetësi?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›