E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri, i shqetësuar për Lul Bashën që qau në debat

Nga Antena brenda familjes

Lul Basha i zënë ngushtë në debatin me Blushin, u detyrua të qante. I pafuqishëm për të përballuar debatin dhe përfshirjen e djalit të kryeministrit në tragjedinë e Gërdecit, Basha tentoi të qante, me shpresë që Fevziu të fuste reklamat. Kjo kishte bërë shumë përshtypje te njerëzit dhe Flamuri nuk dinte si t’ua shpjegonte. Emisioni kishte qenë dhe me regjistrim dhe nuk ka patur mundësi të ndërhynte as ai burri që rri në telefon me Sandrin non stop.

Më në fund ai burri e mori në telefon nga Franca. Kishin qenë në takim me Kushnerin. Pastaj Sarkozinë. Me Kushnerin takimi kishte kaluar shumë mirë. Ai burri po ia tregonte në telefon të gjitha. Në fillim të takimit Berisha i kishte prezantuar Bashën.

- E mban mend këtë? - i tha. - E ke pasë në punë në Kosovë?

- Si s’e mbaj mend, - i tha Kushneri. - Jo vetëm këtë, po të gjithë ata që kanë ardhur me këtë në qeverinë tënde. Kanë qenë grup i mirë. Kam punuar mirë me këta. Më kanë thënë miqtë e mi në Kosovë. Që kur fitoi Berisha në Shqipëri, kemi ngelur keq. Na kanë ikur gjithë përkthyesit. Mos u mërzisni, u thashë. Ka plot të tjerë. Mjafton që ata kanë gjetur punë tjetër. U gëzova shumë që i ke respektuar. Më thanë që disa i ke marrë dhe këshilltarë, Lulin ministër, shumë mirë, shumë mirë. Kam reflektuar gjatë për këtë çështje. I kam pas talentet para sysh dhe s’i kam njohur. Ti i zbulove. Jam ndjerë keq që s’i kam vlerësuar kaq shumë. Madje më kujtohet ky Luli. Natën punonte DJ, ditën në zyrë të përkthimeve. Tani që e shikoj koleg me mua, ndjehem keq…

Flamuri po e dëgjonte me vëmendje dhe një moment ai e ndërpreu.

- Flamur, ç’ka ndonjë gjë të re? - i tha.

- Asgjë, - i tha Flamuri. - Ja, vazhdon kjo jehona e debatit të Lul Bashës në TV “Klan”. Janë tronditur pak këta njerëzit që Luli qau në emision prej Blushit. Duhet t’ia kishte treguar vendin atij.

- Flamur nuk e kam pa, se është ba me regjistrim, por Blushi është njeri mizor. I përmendi Lulit Gërdecin. Tani, Flamur, ti e di që Luli është i ndjeshëm. Po i përmende Gërdecin, ai qan. Ai e respekton Kodin e Vdekjes, Flamur. Blushi nuk e respekton. Shiko librin e tij si tallet me Kodin e Vdekjes. Ata janë ateistë të pashpirt. Ata vetëm Kodin Penal njohin, aty e kanë mendjen.

- E di, e di, - tha Flamuri. - Po ky Sandri ka filluar flet lart e poshtë, se, kur ka futur reklamat Fevziu në mes, Luli ka qarë dhe Blushi i ka thënë: “Mos qaj, po deshe të blej një akullore.”

- Gënjejnë Flamur, nuk thotë Sandri nga këto gjëra. Më mori mua në telefon dhe më tha: “Luli është mërzitur pak.” I thashë mos të mërzitet, shqiptarët e dinë mirë kush është Blushi. Më tha, ç’është e vërteta që “po deshe, e presim këtë pjesë”, por i thashë jepeni, se kisha besim që Luli di të qajë bukur.

- E di, e di, - tha Flamuri, - po na ka bërë shumë dëm, se thonë njerëzit që Luli po paguan dhe për Gërdecin. Mezi po mbyll hallet e veta.

- Flamur, mos u mërzit. Luli e rikuperon veten. Ka fushatën përpara. Në Elbasan e duan shumë. Por ti e kupton. Ai ka dhe Fahriun aty. E ka në krah çdo ditë. Dhe s’mund të mos qante për Gërdecin. Se i thonë njerëzit, pse nuk i del zot Fahriut. Flamur, ai ka ndërtu fabrikën, por s’ka pas qëllim të keq me vra njerëzit. Ata spekulojnë me vdekjen. Ai e ka bërë atë fabrikë për të mirë të njerëzve. Ka punësue njerëz aty. Luli s’mund ta braktiste Fahriun në ato momente. Përlotja e tij është mbrojtje e drejtpërdrejtë për njeriun që ka në fushatë. I duhej ajo përlotje për Elbasanin.

- Po Fahriu nuk është në Elbasan, doktor. Ka ikë në SHBA, dhe dje ka shkuar në një mbledhje të Partisë Republikane në Nju-Jork, se po riorganizohen pas humbjes. U ka rekomanduar të hapin gazetën “55” dhe të rikthehen në pushtet pas tetë vitesh. Ka takuar dhe ata të kompanisë së SAC që ishin në Gërdec. Se kush i ka futur frikën këtej që do ta arrestojnë dhe ka shkuar tek ata të bien dakord për dëshminë. I thashë disa herë që kot je trembur, se nuk të fut njeri në burg, por nuk beson. Ka shpresë mos takon atë Diverolin, t’i japë ca lekë dhe të thotë që nuk është bërë takimi te shtëpia e Fahriut. Ai takimi mes Diverolit, Pinarit, Delijorgjit dhe Fahriut që ishte paraqitur si djali yt. Po unë mendoj se kjo është e rrezikshme. Kam frikë se ai kalamani, Diveroli, mund ta keqpërdorë këtë takim.

- Flamur, i di vetë punët e veta ai. I sqaron vetë. Unë kam hallin e Lulit. I duhet Lulit në Elbasan, ndaj e mbroj. Se ndryshe s’ka ç’më duhet.

- Jo, kam frikë se del ndonjë fakt tjetër për Gërdecin, se kushedi ç’kanë këta, dhe na prish punë. Them që duhet bërë kujdes. Njerëzit janë tronditur shumë pse Luli qau dhe e humbi aq keq debatin. Dhe nuk e dinë këtë punën që atij i kujtohet Fahriu në Gërdec dhe qan.

- Flamur, s’di ça me të thënë. Ne këtu në Francë po e kalojmë mirë. Luli e ka marrë veten, është i qeshur dhe e ka harruar debatin. Për fat të mirë s’e kemi pa dhe jemi të qetë. Kushneri na dha fjalën se po aplikuam për BE, Franca nuk do bëjë zë, pra nuk do të thotë ndonjë gjë kundër. Kishte shumë respekt për këta që kanë punu me të në Kosovë. Ma përsëriti disa herë. “Si nuk i kuptova çfarë talentesh ishin?” Kishte respekt për të gjithë. Dhe për Petraq Milon, madje u çudit shumë, kur i thashë që e kam këshilltar ekonomik. “E kam pas ditur ushtarak, - tha, - dhe më ka pas ndërhyrë Paskal Milo ta merrja në punë. Mezi i sajova një vend, s’e mbaj mend se ku.” Po më vret ndërgjegjja që s’e paskam vlerësuar edhe atë. Flamur, ishte i çuditur se si unë kisha marrë gjithë njerëzit e tij në UNMIK dhe kisha bërë pushtetin. Kjo e befasoi shumë dhe ia tha disa herë dhe Sarkozisë në takim. Ai u gëzu shumë, kur prezantoi Lulin, Kushneri.

- Më bëhet qejfi që je mik me Kushnerin, - tha. - I kam qejf socialistët që tradhtojnë për t’i shërbyer pushtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›