E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmeni i rremë, dosja e plotë e mashtrimeve të Indrit Aliut

Nga Bledar Lumani

Indrit Aliu, supermashtruesi që mundi t’u vidhte 6 biznesmenëve të ndryshëm shumën prej 3 milionë eurosh, është njeriu më i kërkuar për momentin nga ana e oficerëve të policisë. Kjo, jo vetëm sepse arriti të kryente mashtrimin gjigant, por edhe sepse arriti që t’u ikte nën hundë oficerëve të policisë, duke u arratisur në Turqi. Sipas hetimeve të prokurorisë, Aliu është larguar nga vendi nga pika e kalimit kufitar në Qafë-Thanë, më datën 16 mars. Hetimet tregojnë se mashtrimi i Aliut është kryer nëpërmjet hartimit të kontratave me shoqëri të ndryshme sipërmarrëse, për kryerjen e punimeve në fushën e infrastrukturës, duke u marrë pagesa këtyre shoqërive në formën e sigurimit të kontratës.

Procedimi

Nga aktet e procedimit penal të prokurorisë, rezulton se në datën 24.9.2008, Indrit Aliu ka regjistruar në QKR shoqërinë “Dejs & Partners Consulting” sh. p. k., me ortak të vetëm shtetasin Indrit Aliu. Kjo shoqëri ka pasur si objekt konsulencën juridike dhe fiskale për individët dhe shoqëritë tregtare, si dhe të gjitha aktivitetet që lidhen me fushën e ndërtimit etj. Ndërkohë, pak muaj më pas, administratorët e shoqërisë “D & B Alb Union” sh. p. k., Bashkim Nikolla dhe Dimitrios Kontogiannis, kanë lidhur me Aliun një kontratë sipërmarrjeje, sipas së cilës pala investitore “Dejs & Partners Consulting” sh. p. k., e Indrit Aliut do të kryente punimet për rikonstruksionin e rrugës Sinanaj-Diga e Hec Kalivaç, Komuna Lopes në Gjirokastër, me vlerë të kontratës 7 milionë euro. Pasi është shpallur fituese për ndërtimin e rrugës, Aliu ka kërkuar sigurimin e kontratës në vlerën 3% të saj, duke marrë shumën prej 210.000 eurosh. Kjo pagesë, sipas hetimeve të prokurorisë, Aliut i është bërë në pará cash nga ana e firmës “D & B Alb Union”. Por, këtu kanë filluar edhe mashtrimet e Indrit Aliut, i cili me justifikime të ndryshme, përveçse ka bllokuar punimet e rrugës, ka arritur t’u marrë edhe një shumë tjetër parash Bashkim Nikollës dhe Dimitrios Kontogiannis. Kështu, brenda një dite, ai u ka marrë atyre shumën prej 50.000 eurosh, me arsyen se kishte një problem shumë urgjent. Për t’ia dhënë këtë shumë, përfaqësuesit e firmës “D & B Alb Union” kanë nxjerrë një kredi prej 50.000 eurosh nga Alfa Bank. Sipas hetimeve të prokurorisë, në total, si pasojë e këtij mashtrimi, Aliu ka mundur që t’u grabisë atyre shumën prej 323.000 eurosh. Pasi kanë kuptuar mashtrimin, Bashkim Nikolla dhe Dimitrios Kontogiannis kanë kryer kallëzimin penal në polici, çka solli dhe zbulimin e supermashtruesit.

Kallëzimet

Vetëm pak pas kallëzimit të përfaqësuesve të firmës “D & B Alb Union” ndaj Indrit Aliut, gjë që bëri të nisnin hetimet ndaj këtij të fundit, në polici mbërritën dhe pesë kallëzime të tjera ndaj tij. Kështu, një prej personave që kanë kryer kallëzimin është Artan Mirdita. Sipas këtij të fundit, Aliu ka nënshkruar një kontratë në zyrat e “Classic Volkswagen”, me qëllim blerjen e tri mjeteve të reja, “Passat”, “Touran” dhe “Golf”. Vlera e këtyre të fundit shkonte 33 mijë euro për “Passat”, 21 mijë euro për “Touran” dhe 16.500 euro për “Golf”. Nga këto, Aliu ka marrë vetëm mjetin tip “Passat”, duke premtuar se pagesën do ta bënte nëpërmjet bankës. Pasi kanë pritur disa ditë, përfaqësuesit e “Classic Volkswagen” kanë komunikuar në telefon me Aliun, teksa ky i fundit u ka thënë se e kishte kryer pagesën në bankë dhe se do ta dërgonte me faks dokumentin e kalimit të parave në llogarinë bankare të “Classic Volkswagen”, por që nga ajo ditë ai ka mbyllur numrin e telefonit, ndërsa paratë nuk kanë kaluar në llogarinë e firmës “Classic Volkswagen”. Viktimë e mashtrimit ka rënë edhe Alban Bitraj, të cilit Indrit Aliu i është prezantuar si drejtor i fondacionit “Dejs & Partners Consulting” dhe i ka ofruar nënshkrimin e një kontrate për punime ndërtimi me investimet e fondacionit. Pas bisedave me Alban Bitrajn dhe nënshkrimit të kontratës, ky i fundit ka marrë përsipër ndërtimin e rrugës së fshatit Dishnicë, me vlerë 70.000.000 lekë. Për këtë, Indrit Aliu i ka kërkuar Bitrajt të paguante fillimisht 3% të vlerës së kontratës, pra shumën prej 2.500.000 lekë, shumë të cilën ai e ka paguar cash. Me Bitrajn Aliu ka nënshkruar edhe disa kontrata për ndërtimin e rrugëve, duke i marrë edhe dy shuma të tjera, 37 dhe 88 mijë euro. Pasi ka marrë paratë, ashtu si dhe në rastin e mësipërm, Aliu ka mbyllur numrin e telefonit, duke humbur pa lënë gjurmë. Kallëzim ndaj Aliut është bërë edhe nga ana e Laert Kasajt, sipas të cilit, Indrit Aliu i ka kërkuar që t’i shiste kompjuterë, printerë, fotokopje etj., me qëllim pajisjen e zyrave të shoqërisë së tij. Në përmbushje të kësaj, ai ka instaluar në zyrën e Aliut, që gjendet në adresën: Rruga “Muhamet Gjollesha”, pallati 37 (pallati Vëllezërit Kajtazi), kati i 2, hyrja nr. 2, Tiranë, një sistem kamerash sigurie, të cilat i ka vënë në funksionim. Fatura e pajisjeve të instaluara kapte vlerën e 10.000 eurove, për të cilën Aliu i ka thënë Kasajt se do t’ia likuidonte brenda dy ditëve, por ndërkohë i ka kërkuar 25 copë kompjuterë dhe 10 laptop-ë. Vlera e gjithë pajisjeve të marra nga Aliu dhe shërbimeve të kryera ka qenë 73.120 euro, të cilat nuk janë kthyer nga ai. Kallëzim për Indrit Aliun ka bërë edhe shtetasi Ramazan Biba, të cilit Aliu ka mundur që t’i grabisë shumën prej 2.440.000 lekë. “Indrit Aliu dyshohet të ketë kryer veprën penale të “Mashtrimit”, me pasoja të rënda, e cila rezulton të jetë kryer nëpërmjet hartimit të kontratave me shoqëri të ndryshme sipërmarrëse për kryerjen e punimeve në fushën e infrastrukturës, duke u marrë pagesa këtyre shoqërive në formën e sigurimit të kontratës. Kontratat me këto firma janë lidhur vetëm me qëllimin për t’u marrë atyre shumën që ato paguanin për sigurimin e kontratës apo shuma të tjera të kërkuara nga Aliu, por që këto kontrata nuk kishte asnjë qëllim për t’i ekzekutuar. E gjithë kjo rezulton një skemë e parapërgatitur nga ky shtetas, për të mashtruar subjekte të ndryshme, duke krijuar fillimisht besueshmërinë tek ata si një fondacion serioz, me një staf punonjësish, nëpërmjet donacioneve të ndryshme, njohjeve personale, por që në fakt nuk rezulton të kishte asnjë lloj kapaciteti financiar, për të përmbushur gjithë këto transaksione”, - thuhet në dosjen hetimore të prokurorisë.

Largimi i Indrit Aliut nga Shqipëria

Sipërmarrësi i rremë, Indrit Aliu, i denoncuar gjashtë herë për vjedhje të shumave të mëdha me anë të mashtrimit ndaj disa biznesmenëve, u arratis nga Shqipëria vetëm pak pas fletë-arrestit të lëshuar nga ana e policisë. Largimi i “sipërmarrësit” të kërkuar nga prokuroria ndodhi më 16 mars të këtij viti dhe mendohet se ai tashmë strehohet në Turqi. Në kohën që ai është larguar nga Shqipëria, mësohet se ishin bërë katër denoncime në policinë e kryeqytetit. Gjatë arratisjes së tij drejt Turqisë, Aliu ka pasur edhe fatin me vete. Kjo, pasi ditën e 16 marsit, kur Indrit Aliu u arratis nga Shqipëria, rrjeti i menaxhimit total të informacionit, pra sistemi TIMS, ishte jashtë funksionit. Shkak për mosfunksionimin e këtij sistemi, që përmban fotot dhe listën e të kërkuarve, u bë një mosmarrëveshje mes policisë shqiptare dhe palës italiane që ofron sinjalin. Disa ditë më vonë, sistemi u rikthye në gjendjen e punës, pasi palët gjetën marrëveshje për pagesën, por kësaj here ishte shumë vonë për zbulimin e Indrit Aliut dhe kapjen e tij para se të largohej nga Shqipëria. Sipas të dhënave të mbledhura nga prokuroria e Tiranës, e cila po heton gjashtë denoncimet për vjedhje me anë të mashtrimit nga Indrit Aliu, ai është larguar nga vendi nga pika e kalimit kufitar në Qafë-Thanë. Policët e shërbimit kanë parë pasaportën dhe dokumentet e udhëtimit e më pas kanë lejuar largimin e “biznesmenit”, pasi nuk punonte sistemi që mund të sinjalizonte faktin se personi ishte në kërkim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›