Berisha: FMN nuk po e beson kush, sepse po i zhyt më keq vendet në krizë
Në një intervistë telefonike për revistën e njohur amerikane, “Business Week”, kryeministri shqiptar ka sulmuar ashpër Fondin Monetar Ndërkombëtar duke theksuar se skemat e tyre po refuzohen nga qeveritë, për shkak se i fusin vendet në krizë më keq. Duke folur si lideri i një vendi që drejton ekonominë botërore, Berisha i është drejtuar FMN, duke u thënë se G20 u ka dhënë një rol të ri dhe ai është i kënaqur për të. Berisha ka rrëzuar pretendimet e FMN se ekonomia jonë është e brishtë dhe lehtësisht e rrezikuar nga kriza, duke thënë se vendi ka një ekonomi reale. Berisha ka pranuar se po bien remitancat e emigrantëve, por ka deklaruar se po e zgjidh këtë çështje duke zhvilluar turizmin.
Më poshtë vijon intervista që botohet me shkurtime.
Fondi Monetar e quan Shqipërinë si shumë të brishtë. Tani ajo është një nga të paktat ekonomi në botë që nuk pritet të bjerë gjatë këtij viti. Si po i reziston vendi krizës financiare? A po bien remitancat (paratë që dërgohen nga emigrantët sh. t.), e shqiptarëve që janë jashtë vendit?
Kam respekt të madh për FMN. Por ata nuk duhet të inkurajojnë përhapjen e panikut. Nuk është një gjë që ndihmon, sipas meje. U kam thënë atyre: “Shikoni, ju jeni një institucion, shumë, shumë i rëndësishëm. Jam shumë i gëzuar që G20 (ekonomitë më të zhvilluara në botë sh. t.), u kanë dhënë një rol të ri”.
Por shumë qeveri po hezitojnë të punojnë me ta, për shkak se skema e tyre në kohë të trazirave sociale, më shumë krijon probleme se sa i zgjidh. Nuk e konsideroj ekonominë shqiptare si shumë të brishtë. Është një ekonomi reale. Remitancat nuk po vijnë në atë nivel për shkak të humbjes së vendeve të punës në Greqi dhe Itali. Por ne po inkurajojmë turizmin.
A është anëtarësimi në NATO i drejtë? Rusia, teksa kundërshtonte pavarësinë e Kosovës, ka kundërshtuar ashpër dhe anëtarësimin në NATO të Gjeorgjisë dhe Ukrainës, dhe e ka bërë këtë kusht për marrëdhënie të mira me Perëndimin.
Për vendin tim, anëtarësimi në NATO është arritja më e rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë. Shqipëria ka vuajtur më shumë se çdo vend tjetër problemet e sigurisë. Ka vuajtur nga izolimi dhe vetizolimi. Ka qenë një komb jetim. Tani është pjesë e një Aleance. Ne kemi të gjithë potencialin për të ndërtuar lirinë. Kjo do të thotë më shumë kredibilitet për Shqipërinë në botë. Më shumë siguri për investitorët. Shqipëria nuk do ecë kurrë e vetme.
A është anëtarësimi në NATO i drejtë?
Për një komb të lirë, po. NATO ka provuar se është një mburojë për kombet. NATO nuk ka patur vështirësi për t’u përshtatur me situatat e reja. Ka sjellë liri kudo.
Faktori vendimtar për të vendosur, nëse do të jesh anëtar i NATO-s, është që të dërgosh trupa për të mbrojtur një vend anëtar, sipas Nenit 5 të Kartës së NATO-s. A do e mbronte NATO Ukrainën apo Gjeorgjinë, nëse do ishte nevoja?
A ka Rusia synim që të sulmojë Ukrainën apo Gjeorgjinë? Nëse Rusia synon të ndërmarrë ndonjë sulm, NATO duhet të qëndrojë fuqishëm, për shkak se kjo do të thoshte një rusifikim i ri i Evropës.
Cili është këndvështrimi juaj për Luftën e gushtit mes Rusisë dhe Gjeorgjisë?
Se kush sulmoi i pari, është e paqartë. Por skenari rus ishte për të pushtuar Gjeorgjinë. Ata hynë në Abkhazi dhe më pas drejt Tbilisit. Rusia ka shumë mundësi që donte të pushtonte Gjeorgjinë. Reagimi i komunitetit ndërkombëtar funksionoi.
Si do i përgjigjet Shqipëria thirrjes së presidentit Obama për të dërguar më shumë trupa të NATO-s në Afganistan?
Shqipëria do të dërgojë një kompani të re, duke dyfishuar numrin aktual të trupave. Ne do dërgojmë gjithashtu 20 infermierë dhe doktorë.
A është Afganistani një kërcënim për vendet e NATO-s?
Afganistani dhe Pakistani duhen ndihmuar. Është një terren i vështirë. Politikat në shtëpi nuk janë të lehta. Por mendoj se strategjia do jetë efektive. SHBA ka dërguar një njeri atje që është jashtëzakonisht i zoti në negociata.
Holbrooke?
Po. Holbrooke. Është shumë e rëndësishme të promovohet paqja atje.
Si askund në Evropë, presidenti Bush u duk shumë popullor, kur vizitoi Shqipërinë në vitin 2007. A mund ta shpjegoni pse?
Së pari, ai ishte presidenti i parë amerikan që vizitoi vendin tim. E dyta, ne kemi vuajtur më shumë se çdo vend tjetër nga diktatura. Kështu që ne përfundimisht mbështesim rrëzimin e diktatorëve, përfshi Sadam Hyseinin dhe liderin e talebanëve, Mullah Omar. Së treti, ai erdhi me mesazhe të mëdha këtu - mbështetje për pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin në NATO për ne.