E Diel, 1 Nëntor 2026

Si i shtypin qeveritë mediet

Nga Barbara Frye, “Christian Science Monitor”

Pragë, Republika e Çekisë - Ishte një telefonatë shqetësuese, por aspak e habitshme. Në linjë ishte një kontribuese e rregullt e “Transitions Online” (revista redaktore e së cilës jam). Ende e tronditur, ajo më telefonoi të më tregonte se i ishte dhënë një muaj leje largimi pa pagesë nga gazeta e saj në Rusi.

Ajo ishte e vetmja reportere e mbetur nga stafi.

Lexuesit në SHBA janë mësuar tani me historitë e gazetave që mbyllen. Por, ndërsa në Perëndim ky fenomen është rezultat kryesisht i rënies së shitjeve dhe konkurrencës nga botimet në internet, në Rusi dhe vende të tjera është ndihmuar në shumicën e rasteve nga qeveritë. Ndërsa zërat e pavarur po heshtin, bota po përballet me vende të tjera, nga Shqipëria në Zimbabve, ku politikanët e opozitës kanë akses të kufizuar në media dhe ku mendimet ndryshe mund të imponohen vetëm me anë të dhunës dhe ekstremizmit. E pavarur dhe shpesh kritike ndaj Kremlinit, gazeta e kontribueses sonë nuk merrte reklama të pasura qeveritare dhe për shkak të krizës, reklamat e kompanive private u larguan të gjitha. Që atëherë gazeta është tkurrur, e mbështetur shumë te shërbimet në internet, por e ardhmja e saj mbetet e dyshimtë. Siç kishte shkruar ajo në një artikull të fundit për ne, “zyrtarët e qeverisë në gjithë Rusinë kanë lidhje të ngushta me komunitetin e biznesit, dhe, për kompanitë mediatike private, përplasja me njerëz të pushtetshëm rezulton me humbje financiare direkte. Redaktorët rusë kanë mësuar t’i lexojnë shenjat paralajmëruese.”

Në një raport të shpallur në janar, Qendra e Ndihmës për Mediet Ndërkombëtare (CIMA), vëzhgonte problemin e “censurës së butë” në rritje: qeveritë që përdorin fondet e reklamave, ose bërja presion ndaj kompanive private që të përdorin fondet e tyre, për të shpërblyer mediet dashamirëse dhe për të ndëshkuar mediet kritike. Korrespondenti ynë në Shqipëri, Besar Likmeta, shkroi për qasjen e shkopit dhe karotës që përdor qeveria e këtij vendi ndaj medieve. Shkopi: dhunë, fatura taksash të papaguara të zbuluara rishtas dhe gjoba të drejtpërdrejta. Karota: “Përfitimet për mediet shërbëtore përfshijnë fushata të gjata reklamash me financime publike që prezantojnë arritjet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe në ndërtimin e shkollave dhe infrastrukturës”, - shkruante zoti Likmeta. Në shumë nga këto vende, gazetat janë të vetmet zëra të pavarur, kështu që më shumë vihet në shënjestër shtypi. Në Rusi, para shumë kohësh Kremlini mori kontrollin direkt të disa medieve televizive dhe u sigurua që të tjerat ishin në duar miqësore. Interneti nuk mund t’i zëvendësojë mediet. Në shumë nga këto vende përdorimi i internetit është shumë i vogël. Në vendet më të shtypura, faqet e internetit bllokohen ose pronarët e internet-kafeneve duhet të ofrojnë identifikim, kur hyjnë, kështu që në rastin më të mirë ata frikësohen, me qëllim t’u shmangen faqeve të internetit kritike ndaj qeverisë. Ndërsa në rastin më të keq, mund të identifikohen më vonë. Raporti i CIMA-s citon një shembull të sjellë në dritë në shtator nga Qendra e Meksikës për Gazetari dhe Etikë Publike (CEPET): “CEPET nxori fjalë se guvernatori Mario Marin Torres i shtetit të Pueblas nuk i dha kontrata reklamash tre faqeve interneti lajmesh që ishin kritike ndaj administratës së tij, të cilat kishin raportuar për lidhjet të dyshuara të tij me një biznesmen të implikuar në një rrjet pedofilie. Rodolfo Ruiz Rodríguez, drejtori i njërës nga këto tri media në internet, “e-consulta”, i tha CEPET se “është e padrejtë, ata u lidhin kontrata medieve që nuk kanë matshmëri dhe nuk mund të japin shifra të tirazhit të tyre, dhe na përjashtojnë ne, sepse jemi kritikë.” Disa komentatorë argumentojnë se rrënja e problemit janë vetë reklamat e qeverisë. Sigurisht, propaganda e reklamimit të sukseseve qeveritare që Likmeta përmend në Shqipëri është shpërdorim parash. Por në faqet e gazetave ka vend për fushata arsimi dhe shëndeti publik, ashtu si edhe për lajmërime publike dhe tenderë. Pa reklama të tilla, qeveria është më pak e hapur dhe me më pak përgjegjëse karshi qytetarëve të saj. Shumë media në vendet, ku sektori privat dhe reklamat komerciale nuk janë të zhvilluara, do të mbeten të varura nga reklamat e qeverisë. Raporti i CIMA-s ofron disa zgjidhje të mundshme, si promovimi i transparencës në shpërblimin me kontrata reklamash qeveritare, duke u kërkuar qeverive të reklamojnë në media që mbërrijnë tek audienca e synuar, organizimi i medieve të pavarura si organizata jo-fitimprurëse ose, në vende ku ligjet e lirisë së shtypit ekzistojnë, por nuk zbatohen, çuarjen e çështjes në gjyq. Lajmi i mirë është se vendet që duan të anëtarësohen në NATO duhet të kenë qeveri demokratike dhe Bashkimi Evropian kërkon përshtatjen - dhe zbatimin - e një pakete ligjore që garantojnë liritë bazë. Megjithatë, Komisioni Evropian duhet të njohë problemin e censurës së butë. Po për pjesën tjetër? Në vendet e varfra shumë pak ndihmë e huaj ofrohet për reforma në lidhje me praktika të tilla. Edhe në vendet që kanë shenjat e demokracisë - në gjithë Evropën Lindore, për shembull - qytetarët kanë shumë pak histori shtypi të shkruar dhe kanë prirjen të reagojnë me habi ndaj çështjeve si manipulimi i medieve apo frikësimi.

Pastaj vjen Rusia. Në raportin më të fundit të Indeksit të Qëndrueshmërisë së Medieve të saj, Bordi i Shkëmbimit dhe Kërkimeve Ndërkombëtare jofitimprurës, i cili punon për zhvillimin e medieve të pavarura dhe shoqërisë civile, citoi një sondazh të shtatorit 2007 që zbulonte se vetëm 2% e rusëve e konsideronin lirinë për të marrë informacion në mënyrë të ligjshme si një nga të drejtat e tyre më të rëndësishme kushtetuese. Shumë rusë e kanë kthyer kokën në anën tjetër, për sa kohë standardi i tyre i jetës dhe prestigji i Rusisë ishte në rritje. Ndoshta kjo mund të ndryshojë, kur zëra të tjerë të pavarur do të heshtin ose nëse gjendja financiare e njerëzve ngrin gjatë kësaj krize. Rusia ofron një model se si mund të mbijetojnë mediet e pavarura. “Novaya Gazeta”, ku punonte derisa u vra në 2006 kritikja e përhershme e Kremlinit, Anna Politkovskaya, botohet falë xhepave të thellë të pronarëve të saj, Mikhail Gorbachev dhe oligarkut Alexander Lebedev. Më tepër, në gjithë Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, botime të vogla, të financuara me donacione, kryesisht në internet që, si kjo imja, funksionojnë edhe si qendra trajnimi gazetarie, po joshin reporterët e lodhur me gazetarinë e përdredhur që shikojnë në vendet e tyre. Ndihma për mediet e pavarura në gjithë globin do të bëhet një veprimtari filantropie. Një ndryshim i ligjeve ose në qëndrim duhet të ofrohet për shpërthimin e disa prej këtyre medieve, përndryshe kriza ekonomike do t’i japë fund një pune që e nisën qeveritë e tyre.

Barbara Frye është gazetare në Pragë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›