E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri konsultë me Bogdanin për sulmet ndaj familjes

Nga Antena brenda familjes

Flamuri dje ishte zot shtëpie. Ai burri kishte ikur në Kroaci dhe ai ishte i lirë të komandonte. Thirri Gert Bogdanin për konferencë shtypi.

- Më ka thënë ai burri, tha, të dalësh në konferencë për shtyp. Shifrat e sondazhit i kam unë. Do denoncosh këta që nuk i besojnë. Ai burri tha: “Duhet t’i përmendësh me emra ata dhe familjarët e tyre.”

- Shef Flamuri, - i tha Gerti, - sikur të heqim dorë nga kjo punë e grave, se mërziten ata të shtëpisë së gruas time?

- Pse mërziten ata, çfarë kanë?

- Po ja, atë ditë që thashë unë se i ka premtuar gruas së një drejtuesi lajmesh për deputete, ata ishin mërzitur shumë. Më tha vjehrri: “Ky Edi Rama qenka mashtrues i madh!” Mashtrues është, i thashë unë….i gëzuar. Më në fund u kthye dhe vjehrri im me ne, thashë. Po ai e paskësh pasur ndryshe mërzitjen. Ai ishte mërzitur, se Edi Rama i paska premtuar dhe gruas sime që do bëhet deputete. Se ti e di që gruaja ime dhe unë kemi qenë ca kohë në FRESH. Unë nuk kam qenë anëtar, po shkoja pas gruas, kur bëheshin aktivitete. Kemi pas dalë dhe në foto bashkë atëherë. Unë vetë s’kam dëgjuar gjë, po vjehrri më tha që ai i paska premtuar gruas sime për deputete. Dhe mund ta ketë bërë ai, se mashtrues është. Kujt nuk i premton.

- Po në ç’vit ka ndodhur kjo?

- Nuk e di mirë, po më 2005 më duket. Aty para fushatës së 2005. Pastaj i kishte thënë, sipas vjehrrit, “që s’kam mundësi këtë radhë, se po i bën Fatos Nano listat, po herën tjetër kur t’i bëj unë.” Dhe vjehrri im është mërzitur shumë, kur më dëgjoi mua që i paska premtuar dhe dikujt tjetër. “Ky është skandal”, - tha. Iu luta të mos e bënte të madhe, po nuk mbahej. “Jemi familje e vjetër socialiste, - tha. - Do shkoj të bëj namin në Parti Socialiste për këtë gjë. Ku e gjen të drejtën ai të na hedhë poshtë kontributin tonë në PS? Jemi të angazhuar si familje pro tyre. Do na detyrojnë të ikim me Ilir Metën, se jemi dhe skraparllinj…” Nuk mbahej fare. Ishte tërbuar, shef Flamuri, më beso.

- Keq e paske punën Gerti, po ai burri është mirë mos t’i dijë këto. Madje, që të shpëtosh dhe nëse i merr vesh më vonë, më mirë vazhdo e bë ç’të thotë ai, se pastaj do dyshojë që je i infiltruar nga Edi Rama brenda PD. Se disa shenja i ka. Kur dhashë unë dorëheqjen nga Forumi, d.m.th., nga Sekretar, thashë një herë të të propozoj ty. Desha ta testoja. I thashë, vëmë këtë Bogdanin në vendin tim…E di ç’më tha? “Jo Flamur, - tha. - Duhet të japë prova akoma. Ka disa hezitime të çuditshme. P.sh., - tha, - kur lexon ato që i jap unë, i mban sytë ulur. Do të tregojë që s’i ka shkruar vetë. Jo, kjo e dëmton shumë mesazhin. Duket fals. Nuk i thotë me zemër.” Me zemër i thotë doktor, i thashë unë. “Jo, jo, - tha. - Ka nevojë akoma të mësohet, që t’i bëhet e natyrshme. Kur t’i them unë, sulmo gruan e filanit, ta sulmojë. Kur i them unë, sulmo filanin në media, ta sulmojë. Kur i them unë që ka vjedh kaq milionë dollarë filani, ta thotë pa iu dridhur zëri. Nuk dua lojëra unë. Ka nevojë të japë prova ai.”

- Po unë po përpiqem, - tha Bogdani, - po çdo ditë nuk zë dot në gojë mediet dhe familjarët e gazetarëve, se na kthehen dhe ata, na bëjnë problem.

- S’kanë çfarë thonë. I kanë thënë të gjitha. Argitën e nxorën hajdute. Shkëlzenin e nxorën hajdut, gjobaxhi, shok me trafikantë droge. Jamarbërin, që është si nuse, e nxorën të korruptuar. Vetëm për gruan e Shkëlzenit s’kanë thënë gjë deri tani. Për atë le të thonë po deshën, se shtetase e huaj është, nuk mbajmë përgjegjësi. Kështu që ai burri nuk toleron në këtë pikë. Duhet të përmendësh çdo ditë mediet kundër tij. Kështu më tha. Më mori nga Kroacia. Ishte takuar me atë kryeministrin që e ka emrin si ky Frangaj. S’di si e ka, Sandër a Sandor, s’e di mirë. Dhe ai kështu i kishte thënë. “Kishim një gazetar që na bezdiste, - tha, - po shyqyr vdiq vetë. Pati një shkëndijë elektrike në makinë. Sa u bë gati të hynte ai, makina shpërtheu dhe ai vdiq.” “Interesante Flamur, - më tha, - si shpërthejnë këto makinat nga shkëndijat elektrike. S’e kisha besu. Më kishte thënë ai bodyguard-i Shkëlzenit që shpërthejnë vetë, po s’e kisha besuar. Sot m’u mbush mendja. Më tha që dhe ai kryeministri kroat ishte në hall. Po e akuzojnë për korrupsion. I ka keq punët dhe me presidentin. “E kanë inat, - Flamur, më tha, - se ka bërë rrugë.” Interesant, po bënte autostradë me “Bechtel”- in, shumë të madhe. Dhe e kishin paguar si ne. “E kanë marrë inat të gjithë”, - tha. Çfarë s’më tregoi. Njësoj si ne dhe ata. Po e kishte merak këtë punën tënde. “Të dalë përditë, - tha, - dhe ta përsërisë atë që ka thënë.” E di që e paske siklet këtë punën e gruas tënde, po s’ke ç’i bën. Duhet të japësh prova.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›