E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për herë të parë: 75 themeluesit e Vllaznisë 1919

Nga Besnik Dizdari

Viti 2009 do të ketë disa jubile të mëdhenj sportivë. I pari është 90-vjetori i Vllaznisë së Shkodrës, e cila i përket periudhës 1919-2009. Plot 90 vjet, shkurt më shkurt të muajit. E, vetvetiu më lind një pyetje disi e vështirë: si e gjen klubin sportiv më të vjetër ky jubile i madh i tij? Nuk më duket një pyetje e lehtë. Dhe nuk do t’i përgjigjem. Vetëm sa do ta shtroj si të këtillë…

Dhe rropatem te aktualiteti, mirëpo shoh se ma mbyt historia, e cila më del tejet më e pasur se sa aktualiteti. Ndonëse më vjen mirë që Vllaznia e Shkodrës shkon te ky 90 vjetor mbasi për herë të parë ka përfshirë në historinë e saj edhe një Kampion të Botës: Erkand Qerimaj në peshëngritje për të Rinj 2006. Madje Kampion i Botës kësisoji edhe më 2007. Dikur, në rininë tonë, kurr nuk mendonim se mund të vinte një kohë që Vllaznia e Shkodrës do të mund të kishte një Kampion të Botës. Mirëpo erdhi, ndodhi, hyri në histori. Ndonëse nuk mundet që me një Kampion të Botës të ngrihesh në përjetësi.

Në të vërtetë Vllaznia është në përjetësinë e sportit modest të Shqipërisë. Sepse është e vjetër, tejet e vjetër, 90 vjeçe, gati një shekull. Kuptimin e moshës së saj gjithashtu nuk do ta përimtoj, sepse më duket se e kryen këte punë editoriali bashkangjitur shkruar në gegnishten “time” letrare për t’i bërë nder një epoke.

Duke iu kthyer aktualitetit, sepse tashmâ edhe Kampioni i saj i Botës, Erkand Qerimaj nuk i përket këtij aktualiteti, por historisë edhe ai, detyrohem të ngushtohem te sporti i futbollit dhe “zbuloj” se Vllaznia është “Kampione e Dimrit” në fuqi mu në 90-vjetor; dhe se është gjithnjë në kryesimin tërheqës të një Kampionati Kombëtar të Futbollit 2009, që për përkim historie edhe ai është një jubile: i 70-ti. Gjithnjë në duart e Vllaznisë, natyrisht me një ambicje të fortë për të mbërritur te titulli i saj që gjithashtu do të ishte jubilar; i 10-ti për te. Ndoshta…

Dhe prap historia. Jo thjesht sepse ajo është më e fuqishme se gjithçka tjetër, por edhe pse në një 90-vjetor, në fund të fundit je i detyruar të bësh, të tregosh, të shpalosësh histori.

Ndërkaq, do ta lë mënjanë futbollin, sportin më historik të Vllaznisë, e do të kujtoj se më 13 qershor 1920, Shoqnia Vllaznia ka organizuar garën e parë zyrtare të atletikës së lehtë që njeh Shqipëria.

“Sportismi në Shkodër âsht tue përparue për ditë e mâ tepër. Mbas lojës së topkambit prapë me 13 qershor u organizua nji vrap kambsorësh 25 vetësh 4 klm e 200”.

Kjo duket si një prehistori dhe tregon se përjetësia e Vllaznisë së Shkodrës, qëndron mu te kjo “prehistoria” e saj. I ka falë Shqipërisë sportet e parë: futbollin, atletikën, çiklizmin… Mandej kanë ardhur të tjerët.

Risia e këtij shënimi tim të shkurtër megjithate është diku tjetër. Po botoj për herë të parë mbas 90 vjetëve “anëtarët ndihmëtarë” të Vllaznisë së parë, asaj të 16 shkurtit 1919, të cilët me mbështetjen e tyre financiare ia përforcuan themelet e saj qysh në ditën e parë. Dhe vetvetiu këta janë edhe 75 themeluesit e klubit nobël të Shkodrës, që me përmendjen tonë po i nderojmë për herë të parë. Për fat, me një vonesë 90 vjeçare. Sepse për fat, ne gjithmonë vonohemi. Tek janë ashtu siç i renditi vetë Shoqnia Vllaznia më 1919:

Xhemal Ef. Naibi

Mihallaq Kamballuri

Musa Juka

Riza Beg Kopliku

Mustafa Nuri Pipa

Pashko Ashiku

Ilija Kota

Malo beg Melgushi

Zef Serreqi

Ymer Lutfi

Ibrahim Mandiqi

Selim Efendi

Nuri Borshi

Dan Hasani

Ndrek Kaçulini

Nush Guli

Zef Llupi

Dervish Sula

Myftar Tafili

Ferdi Kumbaro

D.Lehova

Selim Reçi

Lec Boriçi

Lazer Kraja

Cin Llupi

Idris Bylja

Caf Reçi

Riza Kaduku

Osman Shehi

Zef Mirdita

Sadik Anamali

Ibrahim Gjyrezi

Kol Shiroka

Malo Paçrami

Taqi Kazanxhi

Veli Rusi

Said Lika

Ndoc Radoja

Mati Gaspri

Zef Kodheli

Simon Dodmasej

Kol Serreqi

Dul Hasani

Ymer Kraja

Ibrahim Mirukja

Ismail Xhabija

Sulejman Dibra

Mahmud Ef. Shqarri

Luigj Vasa

Kol Kakarriqi

R.Jakova

P.Logoreci

Reshid Berberi

Jonus Akshija

Sel Hoti

Fetah Llazani

Dan Llazani

Qamil Gjyrezi

Sadik Lici

Abdyl Jashari

Abdyl Shiroka

Smajl Shurdha

Shaqir Miloti

Kol Guli

Vll.Heboviq

Marketa

Abaz Ramadani

Nuh Lika

Brahim Hysa

Shaban Jusufi

Hasan Akshija

Maliq Lahi

Said Hoxha

Jonuz Hamza

Jonuz Djepaxhia

Këta emra në rastin tonë janë kësisoji dëshmitarët e një historie. Edhe pse siç do të thoshte i dituri Mustafa Kruja, i cili në pesëvjetorin e parë të Shoqnisë Vllaznia qe Prefekt i Shkodrës: “Deshmitarët e gjyqit të historisë janë dokumentat, qi nuk flasin e prandej s’kanë as si betohen”. E rëndësishme është se nën këto 75 emra janë thuajse të gjitha familjet e vjetra qytetare të Shkodrës, (madje edhe familje të Toskërisë). Njera më e njohur se tjetra, njera më e shquar se tjetra, mbrapa të cilave fshihet një histori e tanë shkodrane e kombëtare. Pjesë e së cilës është dhe historia 90-vjeçare e Vllaznisë së Shkodrës, në të cilën u përshkuan familjet më të mira dhe më tradicionale të saj.

Kështu, historia vazhdon, duke u shndërruar gjithmonë aktualiteti në histori...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›