E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrijnë reporterët e Këshillit të Evropës, interesohen për çështjen e gazetës “TemA”

Nga Armand Maho

Kanë mbërritur dje në Shqipëri dy reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), britaniku David Wilshire dhe finlandezi Jaakko Laakson, të cilët do të përgatisin një raport në lidhje me disa shqetësime të ngritura së fundi nga ky Këshill. Bëhet fjalë për zëvendësimin e kryetarit të delegacionit shqiptar në këtë Asamble, për ligjin e lustracionit, si dhe për çështjen e lirisë së shtypit. Reporterët janë interesuar dhe për çështjen e zgjedhjeve dhe përgatitjen e infrastrukturës për mbajtjen e tyre brenda standardeve.

Dy reporterët do të zhvillojnë takime intensive me palët politike, por dhe me struktura të shoqërisë civile dhe medias në lidhje me këto shqetësime.

Ata janë interesuar që ditën e parë të vizitës së tyre për çështjen e gazetës “TemA”.

Në përfundim të vizitës ata do përgatisin një raport që do i dërgohet Sekretarit të Përgjithshëm të KE, Terry Davis, dhe Asamblesë Parlamentare për të dhënë një konkluzion.

Çështja e shkarkimit të deputetit Biberaj nga delegacioni shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE u ngrit në këtë organizëm, megjithatë, kredencialet e delegacionit tonë të ri u miratuan. Rasti në fjalë ishte një precedent në Këshillin e Evropës, kur ndërhyhej në një vendim të parlamenteve të vendeve anëtare.

Por, edhe pse u miratuan kredencialet e delegacionit shqiptar, duke pasur dyshime në lidhje me mënyrën se si është bërë shkarkimi i Biberajt, në Shqipëri kanë mbërritur reporterët e KE.

Një tjetër çështje e rëndësishme ka qenë dhe ligji për lustracionin. KE ka shprehur rezerva të forta ndaj këtij ligji, çka ka shkaktuar dhe pakënaqësi te mazhoranca e sotme. Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë së KE, Terry Davis, theksonte se ligji mund të krijojë më shumë padrejtësi, se ai bie ndesh me ligjet e vendit dhe nuk respekton rezolutën e famshme të KE, të cilën kryeministri, Sali Berisha, e lakon në çdo kohë.

Në lidhje me këtë çështje, reporterët kanë biseduar me zotin Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste në opozitë. Zyra e shtypit e këtij të fundit bën të ditur se Rama e ka konsideruar ligjin e “Pastrimit të Figurave” si një përpjekje të kryeministrit Berisha për të përdorur krimet e së kaluar, në mënyrë që të mbulojë mëkatet e qeverisë së sotme. Zoti Rama e konsideroi miratimin e këtij ligji nga ana e qeverisë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet e Këshillit të Evropës, si një përpjekje të dëshpëruar të qeverisë Berisha për të bllokuar institucionet e drejtësisë, përkatësisht prokurorinë dhe gjykatat në aktivitetin e tyre, për zbardhjen e disa dosjeve korruptive, ku janë të implikuar ministra dhe familjarë të kryeministrit Berisha.

Lidhur me interesimin e tyre për çështjen Biberaj, kryetari Rama tha se ky është një shembull i qartë i arrogancës dhe arbitraritetit të kryetares së parlamentit dhe mazhorancës, që nuk njeh dallim me opozitën, por edhe kundër atyre që mendojnë ndryshe brenda radhëve të tyre.

Në fund, u diskutua edhe për cenimin e rolit të medias, presioneve të shumta që ekzekutivi ushtron ndaj saj përmes formave të ndryshme, duke theksuar në mënyrë të veçantë nëpërkëmbjen e vendimeve të gjyqësorit, që lidhen me të drejtat e medias, duke i referuar në mënyrë specifike, rastit të gazetës “TemA”.

Rama gjithashtu, ngriti shqetësimin për faktin se edhe Televizioni Publik Shqiptar, është vënë në dispozicion të qeverisë, duke shkelur haptas ligjin që rregullon veprimtarinë dhe garanton paanësinë e medieve publike, në mënyrë të veçantë, duke pasur parasysh se ndodhemi vetëm pak muaj larg zgjedhjeve parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›