E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe zgjedhjet parlamentare 2009: Përgatitje për manipulimin e zgjedhjeve?

Nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Ballkanike dhe për Lindjen e Mesme (IFIMES)

Në fillim të viteve 1990, Shqipëria i dha fund një regjimi komunist ksenofobik dhe hyri në një sistem shumëpartiak. Periudha e tranzicionit ishte e vështirë dhe qeverive që kanë drejtuar Shqipërinë me pak ose shumë sukses që nga viti 1990, u është dashur të merren me papunësinë e madhe, korrupsionin e kudogjendur, krimin e organizuar dhe infrastrukturën e keqe.

Sipas një regjistrimi të popullsisë, të bërë në vitin 2001, Shqipëria ka 3.069.275 banorë, nga të cilët 1,294,196 jetojnë në zona urbane dhe 1,775,079 në zonat rurale. Përllogaritja e vitit 2001 ishte dhe regjistrimi i parë i popullsisë, i organizuar që pas rënies së komunizmit. Mes viteve 1923 dhe 1989 janë bërë gjithsej 10 regjistrime të popullsisë.

Fenomeni i rolit pozitiv të korrupsionit

Në vitin 2009, pas pothuajse dy dekadash pas rënies së regjimit komunist, disa ndryshime politike dhe ekonomike mund të vihen re në Shqipëri, edhe pse krimi dhe korrupsioni vazhdojnë të rriten akoma si një kancer në shoqërinë shqiptare.

Megjithatë, korrupsioni luan një rol pozitiv në Shqipëri, për shkak se grasaton mekanizmat e ndryshkura burokratike.

Derisa të thjeshtohen procedurat administrative, vendi nuk do jetë në gjendje që të zhdukë korrupsionin. Kryeministri, Sali Berisha, e ka sulmuar korrupsionin më intensivisht se paraardhësit e tij, por ai është marrë më shumë me pasojat e tij më shumë sesa me arsyet.

Sipas të dhënave të korrupsionit nga Transparency International (Perceptimi i Indeksit të Korrupsionit 2008), Shqipëria renditet në vendin e 85 nga një total prej 180 vendesh të marra në studim, afër vendeve të tilla si India, Madagaskari, Mali i Zi, Serbia, Panamaja dhe Senegali. Në një letër të datës 21 janar, Transparency International informon direkt kryeministrin, Sali Berisha, për format e ndryshme të korrupsionit dhe për presionin e bërë nga qeveria shqiptare.

Shumë vonë për anëtarësimin në NATO

Në vitin 2008, gjatë një samiti të NATO-s në Bukuresht, Shqipëria dhe Kroacia morën ftesa për t’u bërë anëtare me të drejta të plota në vitin 2009. Pasi të gjitha vendet anëtare konkluduan procedurën e ratifikimit, Shqipëria do të bëhet anëtare më të drejta të plota në NATO, e në këtë mënyrë do të kontribuojë në stabilitetin politik dhe sigurinë në Ballkan.

Përveç stabilitetit politik dhe zhvillimit ekonomik, anëtarësimi i plotë do të sjellë dhe investime të huaja në Shqipëri dhe do të përmirësojë standardet e jetesës për qytetarët e saj. Nga maji 2009, flamuri shqiptar do të valëvitet në oborrin e selisë qendrore të NATO-s në Bruksel.

Rrethi i kryeministrit, Sali Berisha, nënvizon se 18 vjet më përpara nuk ishin të shumtë ata që besonin se Shqipëria do të bëhej anëtare e NATO-s në vitin 2009 dhe një vend kandidat për anëtarësim në BE në vitin 2010, çka do të thotë normalizim i situatës në Shqipëri dhe hyrje në familjen e vendeve që janë anëtare të dy organizatave.

Megjithatë, intelektualët dhe gazetarët shqiptarë besojnë se realiteti është i ndryshëm - 18 vjet është një kohë e gjatë, e cila ka zhgënjyer të gjithë ata që kanë ëndërruar për Shqipërinë evropiane që në fundin e viteve ’80.

Ata argumentojnë se Shqipëria ka humbur trenin dhe tani nuk ka një strategji dhe një plan zhvillimi kombëtar, përfshi anëtarësimin në organizata të ndryshme multinacionale.

Publiku shqiptar ka përshtypjen se qeveria sillet si një korporatë, e cila operon vetën në bazë të kompensimit, duke kompensuar një anëtarësim për një tjetër.

Bashkimi me BE përmes Çekisë ose Suedisë

Në mars 2008, Partia Socialiste në opozitë përmes liderit të saj, Edi Rama, i bëri thirrje qeverisë që të plotësojë kërkesën për statusin e vendit kandidat për në BE në fund të vitit 2008. Qeveria shqiptare ende nuk ka shpallur se kur planifikon të plotësojë kërkesën e aplikimit - gjatë presidencës çeke apo gjatë presidencës suedeze.

Sipas rrethit afër Berishës, Shqipëria do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE gjatë këtij viti duke parashikuar se Shqipërisë do i jepet statusi i vendit kandidat gjatë fundit të vitit 2010 dhe mund të nisë negociatat në fund të vitit 2011 ose në fillim të vitit 2012.

Greqia ka ratifikuar së fundmi si shteti i fundit Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit me Shqipërinë. Dy ditë më vonë, ministrja shqiptare e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se Shqipëria do të aplikojë për anëtarësim në mesin e vitit 2009.

Instituti Ndërkombëtar IFIMES përllogarit se do të ishte më realiste, nëse Shqipëria do të aplikojë për statusin e vendit kandidat gjatë presidencës suedeze. Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri janë programuar të mbahen më 28 qershor 2009 dhe shumica e vendeve anëtare të BE duan të binden se ato do të zhvillohen në përputhje më të gjitha standardet përkatëse. Nëse zgjedhjet do të plotësojnë standardet e OSBE/ODIHR, kjo do e bënte më të lehtë për Shqipërinë që të realizonte një proces anëtarësimi. Megjithatë, nëse zgjedhjet do të jenë të pandershme dhe të manipuluara, kjo do komplikojë më tej problemet e brendshme në Shqipëri dhe do të pengojë rrugën e saj drejt integrimit në BE.

Zgjedhjet parlamentare dhe manipulimi zgjedhor

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, shpalli që zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 28 qershor 2009. Shqipëria do të organizojë për herë të parë zgjedhjet e ardhshme si anëtare e re i NATO-s, prandaj ato do jenë një gur kyç në rrugën drejt integrimit në BE.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, Partia Demokratike, e drejtuar nga Sali Berisha, arriti një fitore deçizive, duke u angazhuar se do të reduktojë krimin dhe korrupsionin, duke promovuar rritjen ekonomike dhe garantuar zhvillimin demokratik.

Katër vjet më vonë, situata, për sa i përket krimit dhe korrupsionit, nuk është përmirësuar. Madje, dhe analistët afër të djathtës mendojnë se qeveria nuk ka bërë sa duhet. Disa ministra dhe vetë anëtarët e familjes së kryeministrit, Sali Berisha, janë lidhur me korrupsionin.

Sipas analistëve, krahu i majtë, i dominuar nga Partia Socialiste, synon të eliminojë kundërshtarët brenda bllokut të majtë politik, kryesisht Lëvizjen Socialiste për Integrim, e drejtuar nga ish-kryeministri, Ilir Meta, e cila zakonisht merr 7 deri në 8 për qind të votave. Nëse krahu i majtë fiton zgjedhjet, këto vota mund të përdoren prej tyre për të bërë presion për të marrë postin e kryeministrit. Analistët afër të djathtës thonë se kryetari i PS, Edi Rama, ka vendosur të krijojë konflikte, në mënyrë që të eliminojë LSI nga skena politike. Megjithatë, një krah i majtë i pabashkuar mund të shërbejë për liderin e PD, Sali Berisha, për të fituar sërish zgjedhjet.

Instituti Ndërkombëtar, IFIMES vlerëson se krahu politik i djathtë nuk ka qenë kurrë më parë i bashkuar siç është tani, ndërsa e majta politike është e përçarë.

Sali Berisha e kontrollon skenën që prej vitit 2007, kur dhe fitoi zgjedhjet lokale në zonat rurale, ku e majta ka qenë tradicionalisht më e fortë. Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, Partia Demokratike fitoi 47.86% të votave, ndërsa Partia Socialiste mori 43.74% të totalit prej 1,314,633 votuesish të vlefshëm që kishim marrë pjesë në votime.

Në fund të nëntorit 2008, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste ranë dakord për amendime në Kodin Zgjedhor. Zgjedhjet do të mbahen në qershor 2009. Sipas marrëveshjes së dy forcave politike, do të ketë një sistem të ri elektoral - modeli proporcional që do të zëvendësojë modelin e mëparshëm mazhoritar. Kjo ka sjellë reagime të forta nga ana e partive të vogla, të cilat besojnë se modeli i ri elektoral do i mbajë ato jashtë parlamentit.

Deputetët e 10 partive të vogla hynë në grevë urie për këto arsye, por nuk u arrit asnjë rezultat. Dy partitë kryesore insistojnë në atë që kanë pranuar.

Partitë e vogla, si LSI, e drejtuar nga Ilir Meta dhe të tjera parti kanë akuzuar Partinë Socialiste dhe atë Demokratike se po përgatisin manipulimin e zgjedhjeve. LSI pretendon se, sipas ligjit të ri elektoral, komisionet do të formohen me përfaqësues të PS dhe PD, çka do të rrisë kontrollin bipolar në numërimin e votave pa ndërhyrjen e partive të tjera që janë në garën zgjedhore.

Kjo e bën manipulimin zgjedhor më të besueshëm dhe rrezikon zgjedhjet e lira dhe procesin demokratik në Shqipëri. Ligji i ri zgjedhor quhet gjithashtu dhe “ligji i mashtrimit” të regjimit autokratik të Sali Berishës, që për fat të keq është mbështetur dhe nga Partia Socialiste në opozitë.

Duhet të theksohet se pragu elektoral për partitë politike është 3 për qind dhe për koalicionet është 5 për qind.

Analistët kanë theksuar mundësinë që Partia Demokratike të përgatisë një manipulim zgjedhor në procesin e pritshëm në Shqipëri. Në zgjedhjet e fundit të vitit 2005, manipulimi zgjedhor ishte përgatitur nga Partia Socialiste, por u arrit të parandalohej.

Partia Demokratike e Sali Berishës ka përmirësuar deri diku imazhin, por pyetja është, nëse kjo është e mjaftueshme për të fituar zgjedhjet. Pavarësisht një perceptimi negativ publik, është e mundur pak a shumë që Berisha të fitojë rreth 40 për qind të votave dhe të formojë qeverinë me një nga partitë e vogla politike.

Lustracioni politik

Në fund të vitit 2008, parlamenti shqiptar kaloi ligjin për lustracionin pa pjesëmarrjen e opozitës, ligj që u kundërshtua ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.

Ditën që kaloi ligji, një reaksion i fortë mbërriti nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, John Withers, që denoncoi ligjin si një dokument të Partisë Demokratike që hap probleme serioze legjislative dhe ngre dilema kushtetuese dhe i bëri thirrje qeverisë të tërhiqet dhe të konsultohet me ekspertë ndërkombëtarë. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terry Davis, nënvizoi se ligji i lustracionit nuk ka qëllime të mira dhe mund të shkaktojë padrejtësi të mëdha.

Ligji i lustracionit është kritikuar gjithashtu nga Freedom House që trembet se ligji mund të dhunojë lirinë në Shqipëri, çka do të reflektohet negativisht në raportin e vitit 2009 për Shqipërinë.

Shqipëria momentalisht është nën peshën e përfshirjes së qeverisë së Sali Berishës në probleme korruptive. Berisha për këtë arsye nxitoi të miratojë ligjin e lustracionit që të zëvendësojë disa njerëz në poste të rëndësishme, veçanërisht në administratën e gjyqësorit dhe në prokurori, të cilat po e sulmojnë atë personalisht dhe qeverinë. Sipas Berishës, këta njerëz mbanin poste të larta gjatë regjimit komunist.

Edhe pse ligji për lustracionin shkaktoi shumë reagime të forta brenda dhe jashtë vendit, Berisha është i vendosur që t’i shkojë deri në fund. Shpresa e fundit ishte presidenti Bamir Topi që ka të drejtën kushtetuese ta kthejë ligjin në parlament për rishqyrtim, por ai nuk reagoi. Berisha duket i kënaqur, por pyetja është: Dhe për sa kohë?

Pavarësisht pretendimeve të tij se ligji i lustrimit do të jetë i drejtë dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 do të jenë të lira dhe të ndershme, konfliktet e Berishës me ambasadorin amerikan, delegacionin e KE dhe përfaqësuesit e OSBE janë shumë domethënëse.

Analistët thonë se personaliteti i Sali Berishës është ai i një njeriu pasionant, duke shtuar se ai i jep tone të panevojshme psikologjike të gjitha çështjeve, dhe është gati të sfidojë çdo kundërshtar, përfshi dhe komunitetin ndërkombëtar. Problemi i tij, e rrjedhimisht dhe i PD, është se atij i mungon një platformë e detajuar, e qartë dhe koherente për zgjidhjen e problemeve, me të cilat përballet Shqipëria. Berisha në vend të kësaj ofron përgjigje duke pretenduar se komunizmi është akoma i fortë. Berisha do të bëjë gjithçka dhe do të përdorë çdo mjet për të mbetur në pushtet.

Për momentin, ndërtimi i një autostrade që do të bashkonte Shqipërinë me Kosovën po kthehet në një fushatë që më shumë po përçan shqiptarët, në vend që të jetë një projekt i bashkimit të kombit.

Si në shumë vende në tranzicion, Shqipëria po përjeton rikthimin e totalitarizmit, e plotësuar me autokraci në nivele më të ulëta. Për shembull, çdo lider është një person autoritar dhe çdo parti është totalitare, çka krijon kushtet për rritjen e numrit të fraksioneve dhe krijimin e forcave të reja politike.

Shumë shqiptarë kanë përshtypjen se ngjarjet aktuale të kujtojnë ato të vitit 1996, (një vit më vonë - në vitin 1997- Shqipëria rrëshqiti në kolaps), kur Sali Berisha dhe Partia e tij Demokratike fituan 90 për qind të votave. Frika është prezente mes njerëzve, çka tregon se viti 2009 do të jetë një vit shumë intensiv për skenën politike në Shqipëri.

Analistët theksojnë se ligji i lustracionit, si dhe gjithçka tjerë është projektuar mbi bazën e disa kapriçove të një partie politike. Nuk është e kuptueshme se pse shpenzohet kaq shumë energji në diçka që nuk luan më rol domethënës në Shqipëri.

Berisha po lufton çmendurisht, a thua se dilema është që të zgjidhet mes komunizmit dhe demokracisë, ndërsa dilema reale është të zgjedhësh mes demokraturës dhe demokracisë.

Instituti Ndërkombëtar IFIMES beson se viti 2009 nuk është si viti 1996, as në terma të politikës së brendshme apo asaj të jashtme. Gjithçka është shumë ndryshe, vetëm Sali Berisha është i njëjti.

* Instituti Ndërkombëtar për Studime Ballkanike dhe për Lindjen e Mesme (IFIMES), me qendër në Ljubljanë, Slloveni, analizon rregullisht ngjarje në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan. IFIMES ka përgatitur një analizë për situatën politike aktuale në Shqipëri në dritën e zgjedhjeve të pritshme parlamentare, të programuara për t’u mbajtur më 28 qershor 2009. Disa nga pjesët më të rëndësishme dhe interesante të analizës së plotë me titull “Përgatitja për manipulimin e zgjedhjeve?” jepen më sipër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›