Flamuri kryqëzohet për dështimin e mitingut në Tiranë
Dje ishte një natë e zezë për Flamurin. Mitingu, i cili duhet të niste në Tiranë në orën 19:00, u shty deri më 19.30 me shpresë mos mbushej sheshi. Por nuk ishte e thënë. Me shumë zor, edhe pse Zajmina Vasjari u torturua duke u zhveshur në shi para militantëve, sheshi nuk po mbushej as deri te shatërvani.
Flamuri i alarmuar e anuloi disa herë nisjen e atij burrit nga Kryeministria. Më në fund ai burri e humbi durimin dhe u nis.
- Flamur, unë po nisem. Duhet me mbajt përgjegjësi për këtë që keni bërë. Unë s’mund t’i lë njerëzit të presin. Mirë... mirupafshim.
Nuk e la as të fliste. Flamuri po dridhej i gjithi, s’dinte ç’të bënte. Filloi t’iu ulërijë deputetëve të rinj që nuk i njihte, me shpresë se do vendoste autoritetin, por asgjë s’ndryshonte. Njerëz nuk vinin që nuk vinin. Hodhi sytë nga turma, pa Santon dhe Elvanën që po qeshnin në qejf të tyre. “Këta e kanë në terezi, - tha, - bëjnë lekë me thasë në pushtetin tonë dhe s’paguajnë as 20 mijë vetë nga Bathorja të vijnë.”
I tërbuar zbriti poshtë ta priste atë burrin në shesh. I doli përpara. Ai burri nuk ia hodhi sytë. Megjithatë Flamuri iu afrua te veshi dhe i tha “të fliste shpejt e të ikte, se s’kishte shumë njerëz nga shiu.”
- Flamur, nuk mbulohet kjo gjë me shiun, po do flasim, mirë, ik tani, se janë kamerat…
I prishur në fytyrë mori fjalën. Sheshi i zbrazët e vrau shumë dhe frymëzimi i iku. Hapësirat e mëdha në mes të sheshit i kujtonin mitingjet e nxituara që bënte në vitet 1998-1999, sa herë që kishte probleme me qeverinë.
Foli 5 minuta dhe e la fjalimin në mes. Hodhi sytë nga ishte Liria. Atë e kishte kapur Mesila Doda, e cila kishte porositur kamerat ta fokusonin në krah të zonjës Berisha. U tërbua më keq dhe me të.
“Kësaj, - tha, - s’i mjafton KKRT, po na merr dhe kohën televizive këtu.”
I bëri me shenjë asaj dhe zbriti poshtë turmës. Flamuri s’dinte ç’të bënte. Ta përcillte apo jo? Dukej qartë që Berishës i kishte ikur truri.
- Flamur, dëgjo, kaq njerëz mo zotëri mua m’i mblidhte Shaban Memia me një njoftim në Radio Kontakt. Ti më ke marrë mijëra euro për postera te Visi dhe spote në TV dhe më ke sjellë më pak njerëz se ç’më binte Shabani, kur merrte njoftim në orën 1 për orën.
- Doktor, po ashtu ndodhi, se ti e di, njerëzit u kënaqën dje nga tuneli dhe thanë se e hape atje fushatën, u krijua si keqkuptim, d.m.th., se ne e kemi hapur disa herë fushatën, unë u thashë në fakt, po këta s’më dëgjuan, u thashë mo ta shoh….
- Flamur, kjo është një gjë e papërgjegjshme d.m.th., s’kam hapë ndonjëherë fushatë më zi unë, këtë s’ta fal kurrë, ky nuk ishte miting, ky ishte surrogat, d.m.th., të mbledhë Gramoz Ruçi në Qytet Studenti dhjetë herë më shumë se unë në sheshin “Skënderbej”, këtë s’ta fal kurrë dhe do mbash përgjegjësi.
Flamurit iu prenë gjunjët. S’dinte ç’të bënte. Ai burri hipi në makinë dhe iku. Flamuri i tërbuar iu turr operatorëve televizivë që transmetonin direkt.
- Ndërprisni transmetimin! - tha. - S’ka transmetim! S’keni të drejtë autori. S’keni punë, i kemi paguar ne paratë. Boll filmuat atë burrin, tani ikni. Mo t’u shoh më këtu!
Kameramanët mezi prisnin të mblidhnin kamerat. Aldo Bumçi, i vetmi që s’kuptonte fare se ç’kishte ndodhur, erdhi dhe iu hodh Flamurit në qafë.
- Shkëlqyer Flamur, e pe sa shumë njerëz?
- Po ç’njerëz mo budalla, - i tha Flamuri. - Ne kaq kemi mbledhur për 2 orë, kur arrestuan Safet Zhulalin, megjithëse nuk e donte asnjë në PD.
- Po pse mo Flamur, e ke gabim, shumë vetë kishte.
- Po për ty që je mësuar të llafosësh vetëm me gjyshen shumë janë o Aldo, po për partinë tonë është ditë e zezë. Po ik, mo të shof para sysh, se akoma po më dridhen gjunjët nga ato që më tha ai burri. Se prej jush na kanë braktisur njerëzit. Shikojnë Mesila Dodën, u kujtohet Ilir Meta, të shohin ty, u kujtohet Zhulali, shikojnë Lul Bashën, u kujtohet VEFA, shikojnë Fatmirin, u kujtohet Gërdeci, dhe pastaj i ha unë të sharat. Ik, mo të të shoh këtu!