Flamuri diskuton për “besnikërinë” e Taçit
Flamuri iu hapën telashe dje me Taçi Oil. Atij burrit dikush i kishte dërguar një mesazh ku thuhej se për herë të parë ekipi i Gramozit kaloi në Superligë, ndërsa Partizani doli prej saj… Ja ç’do të thotë të sponsorizohesh nga Taçi Oil… Ai burri ia kishte bërë forward Flamurit. Pastaj e mori në telefon.
- Flamur, tani ky Taçi po na del nga kontrolli. Ka blerë arbitrin e Partizanit dje dhe arbitrin e Bylisit sot. Tani me thënë të drejtën, fajin e ka Armand Duka, por atij s’kam ç’i them tani se është ortak me Frangaj. Tani dhe këtij s’kam ç’i them se është kjo puna e ARMO-s nëpër këmbë, por duhet ta merresh pak me këtë çështje.
- Dakord, merrem. I kam thënë mo ta shoh më nëpër këmbë në fushatë dhe në televizor këto kohë, po s’ke ç’i bën.
- Flamur, si është ajo puna e dokumenteve që janë botuar sot që më 20 nëntor ai s’kishte asnjë lek dhe më 21 ia gjeti të gjitha ai Artan Santo. Flamur, ai Artani është njeri i mirë. Kam pasur gjithmonë respekt për të. Paska bërë një punë shumë të madhe. Si ia ka gjetur 77 milion euro për një ditë.
- E verifikuam doktor, ashtu është, merita e atij Artanit është. Tani punët janë në rregull.
– Flamur me gjyqin ndaj Temës ç’po bëjnë ata se s’kam folur me Elvanën.
- Gjyqi po ecën mirë. U kemi dhënë avokat avokatët e Delijorgjit. Bënë pak naze në fillim, po u thashë që është çështje simbolike. Duhet ta merrni patjetër. Dhe e morën.
- Shumë mirë Flamur. Unë vërtet kam dhënë urdhër mos të ketë gjyqe, po vetëm për pushtetin. Tani këta zotërinjtë duan të thonë që unë kam gjithë familjen në pushtet. Po nuk është e vërtetë. Se këta nuk e njohin Kodin e Familjes, Flamur. Mbesa nga gruaja nuk është pjesë e familjes. Jo, s’ka lidhje.
- Këtë e dinë të gjithë, tha Flamuri. Po të ishte ashtu, kushedi sa vetë do quhej Familja. Tjetër gjë që ti i respekton më shumë këta mbesat e gruas, se të tuat.
- Flamur, unë i respektoj njësoj. Por ca janë më të zonjat, ca më pak të zonjat. Duhet ta ndjekësh këtë gjyq dhe dua përgjigje çdo ditë. Dëgjo, Artan Santos duhet t’i bësh të fala.
- E takova doktor. Kishte shumë respekt për ty. Si s’e takova një herë, tha. E kam ëndërr. Paskësh bërë dhe libra doktor. Shkruaj kot në kohë të lirë, tha, se në Bankë s’kam ndonjë punë. Se kot më kanë vënë sa për të mbuluar pronarët.
- Flamur, është njeri i mirë. Duket si na e ka zgjidhur këtë hallin e ARMO-s. Tani ky Taçi është pak i papërgjegjshëm, d.m.th se nuk priti as tri muaj dhe i hoqi nga aksionarë ata që futi formalisht. Tani kanë të drejtë njerëzit që thonë se e ka blerë vetëm Taçi, por rëndësi ka që e zgjidhi këtë punë. Tani duhet të paguajë dhe paratë në tatime.
- Doktor, fola me atë të tatimeve dhe janë në hall të madh. Shuma paska shkuar 50 milionë euro me gjithë borxhet që i ka Albpetrolit. Punëtorët e Albpetrolit janë pa rroga dhe ai as po u bën pagesë. U ka hapur një kredi në Fier dhe po u jep rrogat pjesë- pjesë. I bie që veç ARMO-s të ketë marrë pa lek dhe Albpetrolin.
- E di Flamur, por ka qenë gabim që janë ndarë ato. Në kohë të komunizmit kanë qenë bashkë. Dhe s’e kanë pas keq. Më mirë bashkë, Flamur. E nxjerr nga toka dhe deri sa e shet është jotja. Më mirë ka qenë ashtu. Ky Taçi e ka kapur mirë si mekanizëm. Vetëm se duhet ta shesim sa më shpejt dhe atë. Jam i sigurt se e merr dhe me letra ai.
- Kanë bërë protestë këta të tjerët. Dhe atë gjyqin në Kushtetuese për naftën D2 e kanë fituar. Duhet t’i dëmshpërblejmë për atë çështje. Na ka hapë telashe.
- S’kemi ç’i bëjmë, do ta paguajmë. Na ka bë nder Flamur. Ka marr ARMO-s. Pa lek, pa lek, po nuk ishte lehtë. Ishte gërmadhe e madhe. Na ka nderu. Do t’ia paguajmë ato gjoba. Sa shkojnë ato në vit?
- Këta thonë nja gjashtëdhjetë milionë.
- Ashtu, qenkan shumë Flamur, kaq shumë paska fituar ky. Po mua më thanë 10 milionë. Nga studioja ligjore aq më thanë, ai do fitojë 10 milionë, ne do marrim 3 për qind. I paska gënjyer Flamur. Duhet parë ajo punë. Shiko Flamur se mund të na ketë gënjyer dhe në gjëra të tjera dhe s’e ka paguar pjesën tamam.
- Do ta verifikoj doktor. Bile desha të them që po furnizon me naftë dhe gjithë opozitën. Është lidhur dhe me ata prapë tani se mendon të luajë me dy porta.
- Ashtu ë, shikojeni mirë Flamur.