E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramozi në “qiellin e shtatë”

Kolonjarët në histori, midis 12 më të mirëve të Shqipërisë. Skuadra e Ilir Qirjakos në Superligë, ashtu si Tirana e Dinamo

Dash Frashëri

Në një “Qemal Stafa” entuziast, tribuna të nxehta e më një zonë “VIP” të dorës së parë, Gramozi shkatërroi 5-2 Bylisin në ndeshjen e dytë play-out, duke hyrë për herë të parë në historinë e klubit modest në Kategorinë Superiore. Një epilog i bujshëm i një aventure të pabesueshme. Gramozi në “qiellin e shtatë”, midis 12 më të mirëve të Shqipërisë, është një histori e madhe. E denjë për t’u treguar e rishkruar. Ishte Gramozi ai që e befasoi brenda katër minutave të parë Bylisin. Një pasim i zgjuar nga e majta i ish-lojtarit të Partizanit, brazilianit Jurandier Oliveia, e gjeti të lirë Bajollarin në zonë, i cili shënon, duke çuar në delir tifozerinë e shumtë kolonjare. Avantazhi i shpejtë shokoi Bylisin, megjithatë, skuadra ballshiote gjeti forca me Endri Bakiun për të realizuar golin e barazimit në minutën e 18-të. Dhjetë minuta më pas, me goditjen me kokë nga Alban Muça (28’), Bylisi kaloi në avantazh 2-1, me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.
Fraksioni i dytë i lojës ishte i tëri në dominimin e Gramozit. Trajneri i Gramozit, Ilir Qirjako, hodhi në fushë Leandron (në vend të Goçevskit) dhe Cacën (në vend të Islamit), ndërkohë që Kapaj futet në vend të Beshës për Bylisin. Braziliani Leandro u shndërrua në një motor të mesfushës, duke shërbyer me zgjuarsi për vijën e parë të sulmit të Gramozit e me topa në një harmoi perfekte me golashënuesin më të mirë të kolonjarëve, Dos Santosin. Në minutën e 73-të erdhi edhe goli i shumëpritur i Gramozit, Ardit Shaqiri krosoi në zonë dhe Peçi, i ardhur nga mbrojtja, goditi me kokë duke e zhytur topin në rrjetë. 2-2.
Teksa kohës shtesë së kohës së rregullt i kishin mbetur edhe 120 sekonda lojë nga fërshëllima e gjyqtarit Ervis Peza, në të
90+2’, Dos Santos u fut me shpejtësi në zonë dhe aty Polizoi Arbri i Bylisit e pengoi brazilianin e Gramozit, duke shkaktuar 11-metërsh. Kryesori Peza akordoi 11-metërsh, por për habinë e të gjithëve, e anuloi atë pas një konsultimi me anësorin Koka, edhe pse Peza ishte më afër aksionit. Vendimi i dhënies së penalltisë kthehet në faull jashtë zone, duke provokuar keq lojën. Shumë protesta nga ana e stafit dhe lojtarëve kolonjarë, por vendimi i gjyqtarit ishte përfundimtar për ta çuar lojën në shtesa. Tridhjetë minutat shtesë ishin një spektakël më vete: tre gola për Gramozin në harkun e 20 minutave dhe një penallti e parealizuar nga Roland Nënaj, kur rezultati ishte fiksuar 5-2 për Gramozin e duheshin vetëm tre minuta lojë. Në minutën e parë shtesë, 91’, pas dy tentativave të Dos Santos dhe të Shaqirit, topi shkoi në këmbët e Oliverës, i cili goditi rrafsh me tokën, duke shënuar golin e tretë për Gramozin. Pas dhjetë minutash erdhi radha e Lenës, që pas një kombinimi të bukur me Oliverën brenda zonës, e përballë Mircelovskit, e çoi topin atje ku portieri maqedonas i Bylisit nuk mund ta arrinte kurrë. Shtesa e dytë ka kohë edhe për pak spektakël më shumë. Minuta e 111-të.
111’ Një kundërsulm i shpejtë i Gramozit dhe emblema e sulmit kolonjar e një prej yjeve të padiskutueshëm të Kategorisë së Parë, braziliani Dos Santos, e kthen “Qemal Stafën” në një fushë tragjikomedie, kur i vetëm përballë portës e fut topin në mes të shalëve të Mircelovskit. Penalltia e humbur e Roland Nënajt për Bylisin ishte akti i fundit i ballshiotëve në këtë sezon. 5-2 dhe Gramozi në “qiellin e shtatë”. Në Superligë. Midis 12-të më të mirave të vendit. Me një tjetër mision. Atë të mbijetesës, por edhe me guximin për të synuar Europën...

Bylis-Gramozi 2-5
Shënues: Bakiu 18’, A. Muça 28’/ Bajollari 4’, Peçi 73’, Olivera 91’, Lena 101’, Dos Santos 111’

E shtunë, 30 maj 2009, ora 16:30, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës

Bylis: Mirselovski, A. Muça, Bedini, P. Arbri, Kule(Jiseke 50’), Hodo (Arapi 76’), G. Arbri, Dejan, Besha (Kapaj), G. Muça, Bakiu. Trajner: Gerti Haxhiu

Gramozi: Nuredini, Peç, Mata, Martins, Bajollari (Lena 67’), Goçevski (Leandro 46’), Shaqiri, Olivera, Dos Santos, Shupe, Islami (Caka 46’). Trajner: Ilir Qirjako

Gjyqtarë: E. Peza (Tiranë), E. Pjetrushi, G. Koka (Lezhë)
Kartonë të verdhë: A. Muça, P. Arbri, Dejan, Kapaj, Bakiu, G. Muça, Olivera

Golat
0-1. Goool Gramozi!
4’ Kundërsulm i shpejtë i kolonjarëve. Një pasim i Oliverës nga e majta gjen të lirë Bajollarin në zonë, i cili shënon

1-1. Goool Bylisi!
18’ Barazojnë ballshiotët pas një zbritjeje nga e djathta me anë të P. Arbrit, që gjen të lirë Bakiun në zonë, ky i fundit e shtyn topin në rrjetë

2-1. Goool Bylisi! 26’
Dejan ekzekuton një goditje dënimi nga e djathta e sulmit ballshiot. Topi gjen kokën e A. Muçës dhe Bylisi kalon në avantazh

2-2. Goool Gramozi!
73’ Shaqiri kroson në zonë dhe Peçi, i ardhur nga mbrojtja, godet me kokë duke e zhytur topin në rrjetë. 2-2

2-3. Goool Gramozi!
91’ Pas dy tentativave të Dos Santos dhe Shaqirit, topi shkon në këmbët e Oliverës, i cili godet rrafsh me tokën duke shënuar

2-4. Goool Gramozi!

101’ Lena kombinon bukur me Oliverën brenda zonës dhe përballë Mircelovskit e çon topin atje ku maqedonasi nuk mund ta arrijë

2-5. Goool Gramozi!
111’ Një kundërsulm i shpejtë i Gramozit dhe Dos Santos, i vetëm përballë portës, e fut topin në mes të shalëve të Mircelovskit

DYSHIMET

90+2’ Dos Santos futet me shpejtësi në zonë dhe aty është P. Arbri, që e pengon duke shkaktuar 11-metërsh. Akordon kryesori Peza, por pas konsultimit me anësorin Koka, vendimi kthehet në faull jashtë zone. Është fundi i lojës dhe ka shumë protesta nga ana e stafit dhe lojtarëve kolonjarë

117’ Faull i rëndë i mbrojtësit A. Muça në dëm të brazilianit të sulmit kolonjar, Dos Santos. Mbrojtësi i Bylisit shpëton pa u ndëshkuar me kartonin e kuq pas asaj ndërhyrjeje “horror” ndaj brazilianit

1 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›