Flamuri mban sekret ngatërresën e policisë me gazetën “TemA”
Antena brenda familjes
Dita e djeshme nisi mirë. Për herë të parë ai burri e mori Flamurin që në 7 të mëngjesit.
- Zotëri, - tha, - atij të gazetës ia zgjatëm shumë. Më ka nxjerrë sot vajzën në faqe të parë, dhe citon një raport britanik, një mashtrues marksist-leninist, që thotë se ligjin këtu e bën Argita. E ka botu në faqe të parë, e ka thënë dhe në televizion. Tani e mbushi kupën. Dua t’i dërgoni policët urgjent tani.
- Tani s’janë në punë ata, po t’ia dërgojmë pasdite, - tha Flamuri.
- Dërgojani tani dhe mos t’i lënë të futen pasdite.
- Po ata më duket kanë fitu gjyqin, - tha Flamuri.
- Nuk ka gjykatë zotëri që të dalë mbi urdhrat e mija. Unë nuk marr parasysh vendime gjykatash komuniste që kanë lyer duart me gjak….
- Të drejtë ke, - tha Flamuri. - ǒpunë kemi ne me gjykatën. Po flas me Bujar Nishanin, - tha Flamuri. - Ai e bën shpejt këtë punë.
Pas një orë gjithçka ishte në rregull. Bujar Nishani urdhëroi forcat e policisë të shkonin në bllokonin gazetën. Arsyeja që iu dhanë ishte se ishin rrezik për territorin.
Policia, e cila mbërriti në territorin e Tipografisë, konstatoi ku ishte vendosur reparti i shpallur si i rëndësisë së veçantë dhe menduan se reparti në krah ishte gazeta “TemA”. Kështu, policët rrethuan shtypshkronjën e letrave me vlerë dhe një repart pune tjetër. Për tri orë ata mbanin të bllokuar derën e tyre, pasi iu kishin thënë se gazeta “TemA” është ngjitur me repartin ku bëhen kartat e identitetit. Por, pas tri orësh roje kot, policia shikonte se gazetarët kalonin dhe iknin tutje. Më në fund konstatuan se redaksia nuk ishte ngjitur, por 1000 mijë metra më tutje. Pas kësaj i lanë dy repartet kot që kishin bllokuar dhe bllokuan redaksinë e gazetës. Por, ndërkohë që e kishin bllokuar, shumë gazetarë ishin futur brenda dhe jashtë ishte vetëm drejtori i gazetës dhe disa gazetarë. Pas disa sherreve me policët ata arritën të hyjnë.
Të gjitha këto policia ia raportoi Nishanit, dhe Nishani Flamurit. Kur po ia tregonte, iu lut të mos ia tregonte atij burrit këtë ngatërresën e policëve, se nuk ishte faji i tyre, pasi këta nuk i kishin instruktuar. Vetëm u kishin thënë se është ngjitur me kartat e identitetit dhe kaq. Ata e kishin marrë si të vërtetë dhe kishin bllokuar dy reparte të tjera. Kur u mor vesh e vërteta, ishte vonë dhe gazetarët kishin hyrë.
Flamuri i dha fjalën që nuk do t’ia thoshte. Mori në fillim i kënaqur Genc Rulin. Ky i fundit nuk ia hapte telefonin. Kur arritën të lidheshin, Flamuri nisi t’ia tregojë me një frymë. Ruli i gëzuar i tha: “Përsërite pak, tregoja dhe këtij mikut” dhe ia dha dikujt tjetër telefonin.
Flamuri vazhdoi t’ia shpjegonte dhe atij tjetrit.
Pastaj e pyeti Rulin kush ishte ky tjetri.
- Është Rezart Taçi, - tha. - E kam në zyrë. U gëzua shumë që ia çuat policët dhe më tha që do të të blejë një kostum. I thashë, e bën që e bën, të të blejë dhe këpucët, dhe këmishën, dhe kravatën, se atë të parin që ta ka blerë, të kishte parë një ditë që e kishe veshur me atlete. Ka shumë respekt për ty.
- Bëji ta fala, - tha Flamuri.- Është pak mashtrues ai, po mbaje në zyrë çdo ditë, se do na ikë nga duart. I thonë 160 milionë dollarë që po ia japim, mos ta kalojë me një kostum ai. Ja, dhe këtë që e kishte merak, e hoqëm qafe.