Gjykata e Lartë rikthen në detyrë tre gjyqtarët që liruan nga akuzat Delijorgjin
Gjykata e Lartë ka rikthyer dje në detyrë tre gjyqtarët që liruan nga akuza e evazionit fiskal Mihal Delijorgjin, të akuzuarin kryesor për tragjedinë e Gërdecit. Sipas vendimit të djeshëm të gjykatës, gjyqtarët Ylli Minka, Naum Pejo dhe Shaqir Gradica do të vijojnë të jenë pjesë e Gjykatës së Apelit Ushtarak. Me vendimin e djeshëm, Gjykata e Lartë kë rrëzuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që shkarkoi në tetor të vitit të kaluar gjyqtarët e mësipërm. Gjyqtarët e shkarkuar nga KLD, pas një kontrolli të ushtruar nga kjo e fundit, rezultuan se kishin pushuar dosjen ndaj Delijorgjit, duke i falur këtij të fundit gjobën prej 122 milionë lekësh.
Rikthimi në detyrë
Edhe pse tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak u gjetën me shkelje të rënda nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjykata e Lartë ka vendosur t’u bëjë një “dhuratë” për vitin e ri atyre. Kështu, kjo gjykatë ka vendosur dje që të rikthejë në Gjykatën e Apelit Ushtarak, gjyqtarët Ylli Minka, Naum Pejo dhe Shaqir Gradica, të cilët liruan nga akuzat e evazionit fiskal Mihal Delijorgjin. Sipas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë, tre gjyqtarët e mësipërm kanë zbatuar vetëm ligjin në rastin e pushimit të dosjes ndaj Delijorgjit, duke i falur atij edhe gjobën prej 1.2 milionë dollarësh. Tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak u shkarkuan në tetor të vitit të kaluar nga ana e KLD.
“Në përfundim të procedimit disiplinor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me shumicë të cilësuar të anëtarëve të pranishëm, ka evidentuar shkelje të ligjit procedural penal nga Kolegji Gjyqësor i përbërë nga gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Minka, dhe Naum Pejo, e në mënyrë të veçantë të nenit 68, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas kësaj dispozite, kur ndaj të pandehurit vendoset pushimi i çështjes penale, padia civile në procesin penal lihet e pashqyrtuar. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka konstatuar se, rrëzimi i padisë civile në një proces penal, në përfundim të të cilit është vendosur pushimi i çështjes penale në ngarkim të të pandehurit, vjen në kundërshtim të hapur me dispozitën e mësipërme urdhëruese të ligjit procedural penal, dhe në të njëjtën kohë, ka sjellë pasoja të rënda për shtetin shqiptar, duke i hequr këtij të fundit mundësinë e pretendimit para një gjykate, të shpërblimit të dëmit në masën e konsiderueshme prej 122. 668. 851 lekësh. Për këto arsye, ndaj gjyqtarëve Shaqir Gradica, Ylli Minka, dhe Naum Pejo, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, mori masën disiplinore të shkarkimit nga detyra”, - argumentoi zëvendëskryetari i KLD, Kreshnik Spahiu shkarkimin e tre gjyqtarëve.
Shkarkimi i gjyqtarëve
Tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak u shkarkuan nga detyra me motivacionin e “Shpërdorimit të detyrës”, duke qenë se liruan nga akuza e evazionit fiskal Mihal Delijorgjin, duke i falur këtij të fundit edhe gjobën prej 1.2 milionë dollarësh. Në vitin 2005, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, pasi e gjeti fajtor Delijorgjin për kryerjen e dy veprave penale, e dënoi me 100 milionë lekë të vjetra gjobë, ndërsa pranoi padinë civile të Drejtorisë së Doganës së Durrësit, për dëmshpërblimin nga Delijorgji të një shume prej 122.668.851 lekësh të reja. Kjo, si pasojë e dëmit që kishte shkaktuar nëpërmjet kontrabandës dhe falsifikimit të formularëve doganorë gjatë kalimit të skrapit. Pas kësaj, Delijorgji dhe mbrojtësit e tij e ankimuan këtë vendim në Apel, duke pretenduar pafajësinë. Kur çështja mbërriti në Gjykatën e Apelit të Durrësit, të gjithë gjyqtarët e këtij institucioni hoqën dorë nga gjykimi, duke pretenduar se kishin gjykuar më parë vendime të shkallës së parë. E ndodhur në këtë situatë, KLD u detyrua të delegonte nga Tirana tre gjyqtarë të Apelit Ushtarak, Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo. Këta, pasi shqyrtuan çështjen në ngarkim të Delijorgjit, vendosën të pushonin gjykimin, me argumentet se nuk ekzistonte vepra penale, ndërsa për pasojë rrëzuan edhe padinë civile të doganave në ngarkim të Delijorgjit, duke e nxjerr të pafajshëm atë.
Shkarkimi i gjyqtarëve shkaktoi përplasjen Alibeaj-Spahiu
Gjyqtarët që liruan nga akuzat Mihal Delijorgjin, shkaktuan edhe përplasjen mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ministrit të Drejtësisë. Një ditë pasi KLD bëri publike të dhënat e inspektimit për tre gjyqtarët ushtarakë që shpallën të pafajshëm Mihal Delijorgjin, ministri i Drejtësisë i ka marrë në mbrojtje këta të fundit. Ministria e Drejtësisë i kujtoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë se është ajo përgjegjëse për nxjerrjen e konkluzioneve të raportit të inspektimit dhe më pas fillimin ose jo të procedimit disiplinor ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Ushtarak, Shaqir Gradica, Naum Pejo dhe Ylli Minka. Ndërkohë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë i rekomandoi Alibeajt të nisë procedim disiplinor ndaj tre gjyqtarëve që falën Delijorgjin, ky i fundit u fokusua te kompetencat dhe jo te problemi. Madje, Alibeaj kërkoi nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë ngritjen dhe raportimin e Komisionit të Verifikimit të Mandateve mbi ligjshmërinë e ushtrimit të detyrës nga ana e Spahiut. Në kërkesën e tij, Alibeaj pretendonte se Spahiu kishte tejkaluar kompetencat e detyrës së tij dhe kishte paragjykuar procedimin e mundshëm ndaj tre gjyqtarëve të Apelit Ushtarak. Por Këshilli i Lartë i Drejtësisë e rrëzoi kërkesën e ministrit të Drejtësisë, duke votuar në disfavor të tij