Të mjerë ata që kanë humbur logjikën ndaj të vetmes media që po i plas në sy të vërtetat
Më tepër se me keqardhje, e prita me dhimbje lajmin se disa bashibozukë me uniforma policie kishin rrethuar redaksinë e gazetës “TemA” dhe kërkonin të mos linin kolegët e mi për të zhvilluar punën e tyre. M’u duk i turpshëm ky fakt për tri arsye: E para, kjo gjë po ndodhte në shkelje flagrante të ligjit, pasi dihet tanimë se ka një vendim gjykate që e pezullon atë që do qeveria. Së dyti, sepse kjo ndodhte në një ditë kur gazeta denonconte rënien e kabinetit Berisha në thonjtë e monopoleve dhe së treti, sepse kjo vinte vetëm pak ditë pas atentatit që iu bë veturës së drejtorit të gazetës. Dhe e njëjta polici, e cila pati guximin e çartur për të vënë në dyshim teknologjinë e makinës BMË, tip i fundit, duke shpallur se ato marrin zjarr vetvetiu si pasojë e fals kontaktit, pati të njëjtin guxim edhe për të penguar gazetarët të kryejnë punën e tyre. Më thanë se ngjanin shumë të mjerë dhe të përbaltur ata policë që iu thoshin gazetarëve se nuk duhet të hynin në redaksi, por mua të tillë më ngjajnë ata që i urdhërojnë dhe tani kanë humbur nervat dhe arsyen e logjikën ndaj të vetmes media që në këtë moment po i plas në sy të vërtetat.