E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret e një planifikimi të “papërshtatshëm”

Nga Lorjan Agalliu

Planifikimi si katalist shoqëror

“Në kulmin e debateve dhe shqetësimeve mbarëbotërore për krizën ekonomiko-financiare dhe pasojat e saj, në Shqipëri harxhojmë pothuajse tërësisht energjitë politike e sociale për ligjin zgjedhor, ruajtjen e votës, legjitimitetin e përfaqësimit etj. Në kulmin e nevojës për të konsoliduar demokracinë shumë shpesh “humbasim” në problematika specifike biznesi, qofshin këto modeste dhe të parëndësishme për fatet e ekonomisë kombëtare në momentin e dhënë. Duket sikur jemi të pafokusuar dhe të çekuilibruar përballë sfidave të zhvillimit ekonomiko-social dhe raporteve të saj me funksionimin e një demokracie reale.”

Ardian Civici “Zgjedhja e vështirë: Kapitalizëm apo Demokraci”

Nëse politikat e planifikimit, sikurse edhe të gjitha politikat, deri dje bëheshin me “direktiva nga lart”, bëhen edhe sot në të njëjtën mënyrë: nëpërmjet “direktivave” të sistemit të tarafeve, interesave të ngushta legjitime ose jo-legjitime të bizneseve, duke anashkaluar shpesh edhe strukturat ligjore. Rrjedhimisht, modelet që kërkojnë transparencë, hasin në vështirësinë e fshehtësisë që nënkupton kultura e grupit dhe e klanit, modelet që kërkojnë vendime gjithëpërfshirëse hasin në bllokimin e tyre nga grupet e interesit, problemet që kërkojnë njëtrajtshmëri në zgjidhje hasin në mënyrën selektive të aplikimit të ligjit etj... Dhe gjersa të jetë kështu sistemet politike përfundojnë natyrshëm në oligarki, kurse ato ekonomike ne monopole; demokracia nuk e kryen me rolin e saj gjithëpërfshirës, kurse sistemi financiar e humbet karakterin e vet egalitar (barazinë në konkurrencë); dhe së fundi sistemet politike (demokracitë) dhe ato ekonomike nuk janë më dy “binjakë identikë” (nëse do mund të përdor një metaforë po të Civicit nga “Zgjedhja e vështirë: Kapitalizëm apo Demokraci”).

Ndërkohë, aferat e shumta që implikojnë qeveritarët dhe qeverisjen në nivelet më të larta në projekte aspak transparente dhe pjesërisht të imponuara mbi komunitet përkatëse për parqe energjitike apo industriale, fabrika çimentosh, depozita, tenderë rrugësh, privatizime të dyshimta nga nafta deri në telekomunikacion, implikimi me biznesin e inkriminuar rajonal, kontrabanda e armëve dhe Gërdeci, si dhe “tranzicioni paqësor” i këtyre aferave nga qeveritë Meta te qeveritë Nano, Berisha dhe sipas të gjitha gjasave të prirura për t’u kaluar më vonë edhe te Rama, janë shenjat e strukturimit të një oligarkie financiare dhe politike që nuk e njeh vlerën e demokracisë. Përballë kësaj panorame të zymtë qytetari shqiptar ndodhet krejtësisht i çarmatosur dhe ende pa disa nga mjetet më të fuqishme që do mund të transformonin rrënjësisht peizazhin ekonomik dhe rrjedhimisht do ndikonin mbi politikën dhe demokracinë, siç janë zgjidhja e problemit të pronësisë, vendosja e bizneseve në marrëdhënie të drejta ligjore me shtetin (nëpërmjet taksave dhe tatimeve), dhe me bizneset midis njëri-tjetrit, zhdukja e informalitetit etj... por sidomos ajo që edhe preket veçanërisht nga ky shkrim: zgjidhja e problemit (demokratizimi i procesit) të planifikimit.

Papërshtatshmëria

“Nëse ka një mësim që duhej të ishte nxjerrë këto vjet të etiketuara si “të tranzicionit” është se importimi i institucioneve në Shqipëri në përgjithësi ka dështuar; dhe ka dështuar kryesisht, ngaqë shartimi është bërë keq, me ngutje dhe pa e përfillur shumë nevojën e pajtueshmërisë me traditat kulturore...

Kapitalizmi, demokracia, parlamentarizmi, të drejtat e njeriut, tregu i lirë e të tjera fjalë të mëdha kërkojnë një vetëdije shoqërore të caktuar, pa të cilën nuk e bëjnë dot kalimin nga fjalët te sendet.”

Ardian Vehbiu, “Kulti i Kargove”

Së shpejti pritet të miratohet Ligji për Planifikimin e Territorit dhe Plani Rregullues për Tiranën, të dyja projekte – megjithëse të vonuara – të shumëpritura. Megjithatë, nëse i hedhim një sy historisë se si kanë përfunduar shumë ligje dhe ristrukturime të bëra gjatë kësaj kohe të ashtuquajtur “tranzicioni” shqetësimi se ato mund të bëhen të pa-aplikueshëm dhe të trashëgojnë mangësitë e strukturave të mëparshme nuk duket aspak i ekzagjeruar. Nëse i hedhim një sy kulturës totalitare të mbi-planifikimit është e lehtë të thuash se ajo thjesht dështoi. Por nuk është i lehtë injorimi i vazhdimësisë së saj, qoftë institucional ligjor apo politikëbërës. Si metodologji ligjore dhe institucionale planifikimi i sotëm nuk ka asgjë të përbashkët me atë totalitar – që ndiqte logjikën e “direktivave”, në vend që të ndiqte arsyet ekonomike apo aq më tepër logjikën e tregut si rregullator. Dhe megjithatë duhet thënë se ato vuajnë nga e njëjta sëmundje: papërshtatshmëria. Në strukturat e mbi-planifikimit të sistemit totalitar që paracaktonin që nga sasia dhe lloji i mallrave që i duheshin tregut, llojin e industrisë, llojin e zhvillimit, numrin e apartamenteve etj... (duke pasur parasysh të ashtuquajturën “të mirë shoqërore”), ishte papërshtatshmëria me kërkesat reale (në mungesë të tregut rregullator), e përforcuar nga një izolim i pashembullt ekonomik dhe shoqëror që do të shndërrohej në një sëmundje kronike. Po ashtu, thelbi i problemit në mungesën e planifikimit të sotëm – që ia beson formulimin, si të mjedisit ekonomik, ashtu edhe të atij urban, sipërmarrjes individuale dhe tregut me shpresën ose besimin ende të papërligjur e të qenit rregullatori “suprem” – është, përsëri, papërshtatshmëria me interesat e publikut, të cilat nuk mbrohen as me ligj dhe as planifikohen gjëkundi. Janë “direktivat” ato që vendosin mbi logjikën e tij dhe jo mekanizmat: ligjorë (nëpërmjet kodeve të ndryshme te urbanistikës, mjedisit etj...); shkencorë (parashikimi i nevojave të zhvillimit nëpërmjet studimeve dhe aplikimit të tyre nëpërmjet mekanizmave politikëbërës); dhe vendimmarrës (sigurimi, miratimi dhe aplikimin i politikave nëpërmjet miratimit të gjerë mbarëpopullor ose në rang komunitetesh). E thënë ndryshe, roli rregullator, koordinues, integrues etj… i planifikimit është zëvendësuar me rolin e përmbushësit të planeve nevojave dhe interesave të grupit dhe aspak të shoqërisë në kuptimin e saj të gjerë. Në këtë kuptim, për të kapërcyer ngërçin para-qytetar në komunikimin shoqëror ose për të kaluar nga strategjitë e mbështetura te psikologjia e grupit drejt strategjive që reflektojnë koherencë shoqërore, platformat planifikuese dhe urbane kanë një rol veçanërisht të rëndësishëm për të luajtur. Përderisa këto platforma natyrshëm duhet të formulohen nga platforma kulturore, arsimore, mjedisore, turistike, energjitike, kontroll territori, zhvillimi industrial, mbarëvajtje sociale etj.,… janë edhe çelësi i përditësimit të demokracisë në politika. Pikërisht si të tilla ato sjellin në vëmendje procesin e gjithëpërfshirjes si domosdoshmëri. Ndryshe nga bindja se proceset demokratike të planifikimit, miratimi në rang komunitetesh dhe fqinjësie i projekteve apo deri edhe përdorimi i referendumeve, ngadalësojnë zhvillimin (i cili nuk ka ndonjë bazë reale, aq më tepër nëse do konsideronim kundërproduktivitetin e zhvillimit abuzues), proceset gjithëpërfshirës janë pothuajse të vetmit mekanizma që garantojnë koherencën shoqërore të zhvillimit.

Kriteret e zhvillimit

Strategjia e Zhvillimit të Tiranës

5.2 Strategjia e veprimit

Theksimi dhe “kanalizimi” i dinamikave aktuale në sektorin e ndërtimit

“Ajo çfarë po ndodh në Tiranë është rezultat i një energjie të madhe në nivelin individual, familjar dhe komunitar, duke u përhapur si një lumë me drejtim të pacaktuar. Kjo energji nuk mund dhe nuk duhet të ndalohet nga asnjë proces akademik. Pra, procesi i planifikimit duhet të përfshijë energjinë e qytetarëve dhe promovimin e çdo ideje.”

Edi Rama, në “Tirana Metropolis”, raport kërkimor, Berlage Institute, 2004

Pasazh i shkëputur nga raporti i ndërmjetëm i “Planit Rregullues të Tiranës”

Përqasja në mënyrë populiste apo nënvleftësuese ndaj “tutelës akademike” në emër të hapjes së rrugës për “promovimin e çdo ideje” – e cila, për të qenë i ndershëm, më shumë se një ambicie aspak realiste, më duket një retorikë e papërgjegjshme – tërheq vëmendjen gjithsesi mbi problemet kronike të planifikimit në Shqipëri: papërshtatshmërinë të shkaktuar nga mungesën e proceseve gjithëpërfshirëse.

Më duhet të them me keqardhje se dy projektet/dokumentet që priten të miratohen, megjithëse të huazuar nga modelet më të mira perëndimore, janë paraqitur si dy dokumente statike. Ato anashkalojnë pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në planifikim, duke ia besuar atë përfaqësuesve vendorë dhe hierarkisë administrative dhe shtetërore të zgjedhur apo të emëruar, e cila ia ndryshon rrënjësisht karakterin planifikimit duke e kthyer atë në një proces që kryhet nëpërmjet “direktivash” nga lart poshtë, duke e bërë qytetarin që të shijojë vetëm konsekuencat e planifikimit, apo të ftohet për të parë spektaklet e prezantimit, pa qenë asnjëherë pjesë e procesit. Në rastin e Ligjit për Planifikimin e Territorit, me gjithë punën e admirueshme, përjashtimi nga pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e qytetarit në vendimmarrje rrezikon që dy nismat e tij reformuese: ndërveprimin institucional dhe lehtësimin e procedurave administrative, t’i vërë në rrezik dështimi. Në rastin e ndërveprimit (bashkëpunimit) institucional marrja e vendimeve në mënyrë të drejtpërdrejtë është e vetmja rrugë për të shmangur konfliktet midis institucioneve me karaktere të ndryshme, por edhe për të mundësuar politika rajonale dhe lokale të qëndrueshme, afatgjata dhe që i përgjigjen vullnetit qytetar. Po ashtu, nuk duket se lehtësimi i procedurave administrative pa forcuar instrumentet e kontrollit teknik do jetë në gjendje të kapërcejë ngërçin korruptiv nëpër të cilin ngec procesi i miratimit duke pasur parasysh kapacitetin e ulët të gjyqësorit për të adresuar probleme të tilla, siç e dëshmon edhe situata aktuale. Në këtë këndvështrim roli i komuniteti dhe pjesëmarrja e tyre në proceset e miratimit dhe aprovimit të lejeve është garanci më e mirë për të vendosur kontrollin mbi zhvillimin urban.

Të njëjtën gjë do thosha edhe për Planin Rregullues të Tiranës, i cili, ndonëse i huazuar nga modelet e planeve rregullues të qyteteve evropiane, por i zhveshur nga “pjesëmarrja e drejtpërdrejtë”, duket se i është dhënë një kuptim statik që mbart në vetvete rrezikun për t’u kthyer në një mjet të papërdorshëm, të mbingarkuar dhe mbi-sofistikuar. Kjo bën që në thelb, si politikat, si planet e ardhshme të mos jenë pasojë e kërkesave dhe nevojave reale të komunitetit, por rezultat i arbitraritetit, shpesh dhe i kapriçove dhe metodave abuzuese ende prezente. Në thelb, ky Plan Rregullues nuk ka asnjë ndryshim nga metoda e tanishme, ku duhet thënë se ka qenë abuzimi me “planet pjesorë”, shpesh edhe të kundërligjshëm që i kanë hapur rrugën abuzimit. Pra, ai vuan nga tendenca për ta mbështetur zhvillimin urban mbi të njëjtët faktorë dhe të njëjtën filozofi që ka qenë përgjegjëse kryesore për situatën e tanishme në urbanistikë; konceptimi i planit rregullues si një plan ndërtimi, dhe vënia e interesave të sektorit të ndërtimit në rolin e motorit të zhvillimit urbanistik.

Në raportin e ndërmjetëm për Planin Rregullues të Tiranës flitet vetëm për: kriteret e vlerësimit “përdorimi i tokës”; “arritshmëria e parcelave të lira”; “predominimi i zonave informale në pjesën veriore të qytetit si një shtysë shumë e madhe për ndërhyrje” dhe deri edhe paragrafëve dhe citate të Ramës që iu drejtohet qoftë tërthorazi apo drejtpërdrejt ndërtuesve si rastet më poshtë:

“Orientimi i zhvillimit urban”

“Ne, gjithashtu po i themi zhvilluesve të mëdhenj se ne nuk do të pranojmë më projekte arkitektonike që nuk i shtojnë cilësi qytetit. Këto projekte duhet të lënë shenjë në zhvillimin urban të Tiranës, veçanërisht në pikat e “nxehta” të qytetit rrotull qendrës.

Dhe: “Udhëheqja e zhvillimit urban”

“Shansi për ndërtuesit abuzivë është rezultat i komunikimit nga ana jonë se objektet që ata kanë ndërtuar ilegalisht bazohen në një traditë jo të rregullt, por mund të jenë një shans për zhvillimin ekonomik të qytetit tonë.

Me gjithë akrobacitë midis të ligjshmes dhe të jashtëligjshmes që parashtrohen në përfshirjen dhe paraqitjen e një citati të tillë, në një dokument që pritet të jetë ligji i zhvillimit urbanistik të Tiranës, si të ishte kryeshembulli se si një “Udhëheqje e zhvillimit urban” duhet të funksionojë, ajo që të bie më shumë në sy në gjithë raportin e ndërmjetëm është mungesa e politikave të vërteta urbane. Mungojnë aty strategjitë planifikuese në energji (të rinovueshme ose jo); në trajtimin e ujërave; në trajtimin e plehrave dhe mbrojtjen e mjedisit; nuk flitet për strukturat urbane si struktura që kanë për qëllim të sigurojnë shëndetin e qytetarëve; të minimizojë rreziqet nga katastrofa të mundshme dhe të tjerë elementë, të cilët janë aq të nevojshëm të integrohen në mënyrën se si duhet ta konceptojmë planifikimin e qyteteve tona; por sidomos dhënia qytetarëve e një plan së bashku me institucionet që duhet të vijonin prej tij; institucionet e mbrojtjes së mjedisit, mbrojtjes së monumenteve, institucionet e politikave të zhvillimit, të arsimit, të kulturës dhe çka është e rëndësishme institucionet e miratimit/kontrollit qytetar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›