E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri në hall për zgjedhjet e rejaNga Antena brenda familjesFlamuri kishte dje përvjetorin e tij më të veçantë. Dje u mbush një vit që ai është personazh i përditshëm i rubrikës “Antena brenda familjes”. Për një vit ai nuk ka munguar asnjë ditë në

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Flamuri në hall për zgjedhjet e rejaNga Antena brenda familjes

Flamuri kishte dje përvjetorin e tij më të veçantë. Dje u mbush një vit që ai është personazh i përditshëm i rubrikës “Antena brenda familjes”. Për një vit ai nuk ka munguar asnjë ditë në faqet e gazetës sonë. Dje, në shenjë respekti ndaj përvjetorit të tij, ne nuk e botuam rubrikën tonë. Redaksia ka vendosur të botojë një libër të plotë me pjesët më të përzgjedhura të mbi 300 e ca rubrikave që kanë personazh Flamurin dhe këtë libër do t’ia dhurojmë falas bibliotekës së parlamentit, si kontribut personal i kësaj rubrike për Kuvendin e Shqipërisë.

Por, aq sa u gëzua Flamuri nga “heshtja” e rubrikës sonë dje, po aq shumë u hidhërua nga mundësia e zgjedhjeve të reja.

- Kur bën dasmë fukarai, çahet dhe thesi i miellit, - tha Flamuri. - Dhe një herë që u bëra unë deputet, madje deputeti i parë që mori mandatin nga KZAZ në gjithë Shqipërinë, u prishën zgjedhjet. Eja nise nga e para tani.

Aldo Bumçi, që nuk e kuptonte vajtimin e Flamurit, e pyeste vazhdimisht.

- Më thuaj pak, ç’do bëhet tani, të lutem, se s’kam shumë përvojë në këto raste?

- Do bëhen zgjedhje Aldo, ç’do bëhet. Nuk shtyhet katër vjet duke blerë mandate.

- Po si zgjedhje? - tha Aldo. - Do bëjmë prapë fushatë apo do përsëriten pa fushatë?

- Do bëjmë fushatë Aldo, se pa fushatë nuk e vras mendjen fare, i bëjmë që nesër.

- Po ky është skandal, - tha Aldo. - Ne na mbaruan dhe veprat, çfarë do përurojmë?

- Atë po mendoja, - tha Flamuri. - Kjo rruga Durrës-Kukës mban akoma, se ka nja 4 ura që s’kanë mbaruar dhe një anë e tunelit. Kështu që kemi ç’presim shirita aty prapë.

- Po si i bëhet kryeministrit turk? - tha Aldo. - Vjen prapë ai?

- Marrim atë të Qipros turke, - i tha Flamuri. - Kot s’të kemi çuar në shkollë aty, bëj një punë dhe ti.

- Dakord, - tha Aldo, - po slogani ky që ishte do jetë, se më kanë tepruar shumë postera? I thosha doktorit që i kam shpërndarë, po i kam në magazinë të gjithë, se s’kisha ku t’i ngjisja. Më vinte turp, se më shikonin njerëzit.

- Nejse, ato mbaji, - tha Flamuri, - se i faturojmë prapë, bëjmë ndonjë lek për fushatë të paktën. Po unë s’di si t’ia bëj me koncertet. Na rropën nja 3 milionë euro këto që bëmë. Kush e nis nga e para tani.

- Po këngë tjetër do bëjmë, - tha Aldo, - apo këtë që kemi? Se mezi e mësuam këtë, kush bën tjetër.

- Nuk e di, duhet pyetur ai burri, - tha Flamuri. - Unë vetë s’e mësova që s’e mësova dot. Më ngatërrohej gjithmonë ajo strofa nëpër dhëmbë. Po mendoj që duhet ta ndryshojmë.

- Pu pu, sa telashe na hapën o burrë i dheut! Po takime do bëj prapë unë me këto seksionet e partisë? - pyeti Aldo.

- Po natyrisht do bësh, - i tha Flamuri. - Pse, ç’problem ke?

- Jo mo asgjë, po e kam pak bezdi, se më tallin kur shkoj në mbledhje.

- Ore ai është problem i vogël, - tha Flamuri, - po ç’të bëj unë me Alibeajn. Kemi liruar 250 të burgosur, madje disa me disa vrasje vetëm për votime. U kemi thënë që të shtunën, d.m.th., në fund të kësaj jave të kthehen prapë në burgje. Tani, po dëgjuan për zgjedhje të reja, s’na vijnë fare ata. Na gjeti belaja.

- Po pse i liruat, - tha Aldo, - që të votonin pranë shtëpive?

- Po ç’të votonin o Aldo, s’kupton fare, të ndreqnin votat. Liruam të burgosurit me origjinë nga Fieri nga gjithë burgjet e Shqipërisë, të burgosurit me origjinë nga Shkodra dhe të burgosurit me origjinë nga Berati.

- Sa mirë që e paskeni bërë me rrethe, - tha Aldo. -Thashë se mos e kishit bërë sipas veprave penale.

- Jo, jo, - tha Flamuri. - Ka nga ata që kanë bërë faje të lehta, po ka nga ata që shkojnë në 4 vrasje. S’kemi bërë dallime, i kemi nxjerrë të gjithë. Problemi është se kush i nxjerr prapë tani në tetor, po u bënë zgjedhjet.

- Me ligj ke të drejtë t’u japësh leje sa herë të duash, - tha Aldo, - e di unë ligjin.

- Ik o Aldo mos më ngri nervat, se i di më mirë se ty ligjet, po kam hall kush e nis nga e para. Duhet skenë e re, këngë e re, flamuj të rinj, postera të rinj, inaugurime të reja, leje të reja për të burgosurit. ….Aman se mos thotë ky burri duhen dhe lista të reja deputetësh, se na mori lumi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›