E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri, plan veprimi me Gani BobinNga Antena brenda familjesFlamuri po ndjente dje për herë të parë emocione nga numri dhjetë. Kishte një jetë të tërë në shkolla dhe asnjëherë nuk kishte marrë notën dhjetë. Kjo ishte hera e parë në jetën e tij që nj

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Flamuri, plan veprimi me Gani BobinNga Antena brenda familjes

Flamuri po ndjente dje për herë të parë emocione nga numri dhjetë. Kishte një jetë të tërë në shkolla dhe asnjëherë nuk kishte marrë notën dhjetë. Kjo ishte hera e parë në jetën e tij që njerëzit do shënonin numrin dhjetë, dhe kjo quhej votë për Flamurin.

“Me fat është kjo punë, - thoshte Flamuri. - Ka njerëz që kanë luftuar gjithë jetën për një dhjetë dhe s’e kanë marrë dot, unë që s’kam luftuar kurrë, vijnë mijëra njerëz e më vënë nga një dhjetë.

Mes emocioneve të dhjetës që do marrë sot, dhe ankthit se mos nuk ka aq dhjeta sa duhen në gjithë Shqipërinë, Flamuri vendosi të flasë dhe një herë me atë burrin se çfarë plani kanë për zgjedhjet.

- Flamur, e kena të fitue. Kam folë me Sandrin, Sandri ka folë me ata të Gani Bobit, çdo gjë është në rregull. Nesër në orën 19:00 Klani shpall fitoren e PD në gjithë Shqipërinë. Flamur, ua kam ba tabelat shumë të mira. Janë reale ë, asgjë nuk kam shtuar. Jo, ua kam bërë realiste, se nuk dua t’i dëmtoj. Do hanë dhe ata bukë në të ardhmen. Po këto tabela ua kam bërë të mira. Më tha dhe ai profesori që kanë ata: “Shumë të mira i ke bërë, sikur t’i kemi bërë ne vetë.” Tani Flamur, plani është ky. Ata do fillojnë të japin rezultatet më 7 të darkës, ti do marrësh 300 makina dhe do filloni xhiro në bulevard me sirena dhe flamuj të PD. Flamur, kjo s’duhet bërë vetëm në Tiranë, por në çdo qytet. Duhet t’u bien borive patjetër, pasi duhet të dëgjojnë ata te qendrat e numërimit. Nëse ne e mbajmë dy orë festën me bori në të gjitha anët, ata dekurajohen dhe ne fillojmë numërojmë vetë. Ky është plani. Kur të fillojë numërimi, fitorja duhet të jetë shpallur. Pastaj shifrat i rregullojmë vetë.

- Plan i hatashëm qenka, - tha Flamuri. - Këta të Gani Bobit dakord janë besoj?

- Fola me Frangajn. “Dakord”, - më tha. Tani i rregullon vetë ato punë ai, ç’të them unë. Mirë më duket puna. Mjafton të shpallim fitoren, pastaj shifrat rregullohen. Jo o zotëri se nuk i lë ata të numërojnë votat pa thënë sa është rezultati, se nuk do bëjmë grusht shteti ne. Të biem dakord njëherë për rezultatin, pastaj bëjmë numërimin.

- Të drejtë ke, - tha Flamuri. - Se ne mbajmë përgjegjësi dhe për zgjedhjet. Ja s’i numëruan dot në kohë se lodhen, ne s’do rrimë pa rezultat. Ta kemi një herë rezultatin.

- Flamur, kjo punë ka mbaruar. E zgjidh Sandri. Pastaj ti e ke detyrë specifike Flamur. Në orën 11 të natës këta kosovarët e Gani Bobit duhet të kthehen në Kosovë. Jo, duhet të kthehen Flamur, se nuk i dihet ç’ndodh. Irritohet ndonjëri dhe bën ndonjë skandal. Ne duhet të jemi të qetë. Ti siguro rrugën për Kukës dhe tunelin se mos rrëzohet sa të kalojnë ata. Duhet të jenë shëndoshë e mirë në Prishtinë, kur të fillojë numërimi.

- Meqë ra fjala te tuneli, - tha Flamuri, - dje e kemi ruajtur gjithë natën dhe s’ka pas më shembje. Vetëm një herë u shemb. Dhe s’kishte faj, kaloi një maune e madhe. Ne e hapëm për makina të vogla, jo për maune. Fola me ata inxhinierët. U thashë, më datë 30 e dua të mbyllur, se na ndodh ndonjë hata. Mirë, më thanë. Pastaj njëri prej tyre m’u afrua i shqetësuar. “Pse, ju do humbisni të hënën, që thoni mbylleni të martën?” - më tha. E shikon ku u shkon mendja? Po jo mo, u thashë, si do humbasim, por meqë do fitojmë, ta mbyllim, se aq na duhej.

- Ke bërë mirë Flamur që do ta mbyllësh. Madje unë them që të hapet vitin tjetër, kur të mbarojë krejt rruga dhe tuneli. Atëherë është më mirë.

- Shumë mirë, ashtu e bëjmë, - tha Flamuri. - Se ajo rrugë për patatet e katundit tim duhet. Ata i kan shitë sivjet, se ua bleva unë për fushatë.

- Flamur, të përshëndes. Kështu si e lamë, nga 7 deri më 11 do merresh me mitingjet në çdo qytet, ndërkohë që Gani Bobi shpall fitoren. Pastaj do përcjellësh ata të Gani Bobit të ikin të sigurt në Kosovë, se s’i dihet ç’ndodh, nisin rrëmujat këtu dhe na bëhet ndonjë hata. Të përshëndes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›