E Diel, 1 Nëntor 2026

Një analizë stilistike për fjalimin e RamësNga Dr. Panajot BarkaNuk e di sesa mijërat e pjesëmarrëseve në mitingun përmbyllës të së premtes të socialistëve në Tiranë dhe ata qindra e mijëra të tjerë dashamirës e kuriozë të liderit të PS, Edi Rama, ng

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Një analizë stilistike për fjalimin e RamësNga Dr. Panajot Barka

Nuk e di sesa mijërat e pjesëmarrëseve në mitingun përmbyllës të së premtes të socialistëve në Tiranë dhe ata qindra e mijëra të tjerë dashamirës e kuriozë të liderit të PS, Edi Rama, nga ekrani i vogël, arritën të receptonin dhe të deshifronin fjalimin e tij në këtë miting. Gjithkush mund të priste që Edi Rama të fliste para pasuesve të tij me një frymë populiste dhe ndjellëse të entuziazmit te “turma” dhe që në vijim të pranonte rrymën e saj ta tërhiqte pas vetës në një dalldisje shpërthyese pa kuptim.

Jo! Edi Rama nuk ndoqi këtë rrugë, edhe pse të provuar kaq herë si rezultative nga kundërshtarë të tij politikë apo paraardhës politikë në partinë që udhëheq.

Edhe në këtë drejtim mendoj se ai solli risinë e tij. Së pari, ai nuk i trajtoi pjesëmarrësit në miting si turmë impresioni politik. Së dyti, në fjalimin e tij në një miting të superpopulluar arriti të gërshetojë retorikën, filozofinë politike të programit politik dhe opozitës ndaj kundërshtarit, populizmin elegant dhe bashkëbisedimin e thjeshtë, si dhe batutën shpotitëse duke i prirë show-t. Gjithçka mbi një shtrat letrar metonimik dhe të drejtpërdrejtë. Gjithçka të vendosur në një arkitekturë të thjeshtë dhe të zgjedhur me kujdes brenda logjikës së mitingut që mbartte mesazhin e fitores si fakt të kryer.

Edi Rama zgjodhi të fliste i vetëm mbi një skenë të stërmadhe me bashkëpunëtorë të vendosur mbrapa dhe në të dy krahët e saj. Nuk bëhet fjalë për mishërim të kultit personal, as të mbinjeriut, por të evidentimit të rolit të individit në përpjekje për të stigmatizuar një ndryshim historik. Kjo nuk është një shpikje e Edi Ramës, por një rikonfirmim i përvojës qindravjeçare në kulturën popullore, në filozofi, në shkencë, politikë, arte, në strategji luftarake, në ndryshime sistemesh shoqërore, në reforma ekonomike, në farkëtime ideologjish e deri në sisteme teologjike etj.

Vetë ai, për të eliminuar pikërisht këtë shije kultesh, theksoi duke iu referuar jo pa qëllim një fjale të urtë popullore. “Nëse do të arrish shpejt diku, nisu vetëm. Nëse do të arrish larg, nisu së bashku me të tjerët”.

Kjo risi e Ramës ka një domethënie filozofike që përjashton absolutisht domosdoshmërinë e “unit” gjithëbërës. Në evidentimin e këtij përjashtimi peshën kryesore e zë vota. Rama i kërkon votuesit shqiptar ta përdorë votën “si një të drejtë për të ndërruar faqen e historisë” dhe jo thjesht qeverinë. Në radhë të dytë, në konceptin e Ramës, vlera e votës nuk mund të shndërrohet në një detyrim të imponuar nga politika dhe në shërbim të saj, por në një të drejtë që nuk ezaurohet te momenti i votimit, por në të gjithë kohëzgjatjen e ndryshimit. Në këtë këndvështrim të Ramës “momenti i votës” së 28 qershorit 2009 u mbron fituesve të vërtetë fitoren dhe nuk lejon që ajo të kthehet në humbje për ta dhe në fitore për humbësit si deri më sot. Kjo është vota që lejon votuesin të marrë politikën nga dora drejt qëllimeve shoqërisht të përcaktuara dhe jo vota që lejon politikën të shpërfillë vullnetin e votuesit.

Kjo përcakton nga ana tjetër thelbin filozofik të projektit politik të Ramës. Ai është konceptuar që në fillim si një ndryshim gjithëpërfshirës. Në aspektin politik u përvijua si ndryshim përtej së majtës dhe së djathtës. Në aspektin shoqëror si një e drejtë mirëqenieje dhe mbrothësie për çdo shtetas shqiptar pa dallime ideologjie, moshe, profesioni etnie. Kjo e drejtë, sipas tij, nuk fshihet pas aftësive personale të unit të tij apo të grupit udhëheqës, por buron nga begatia që perëndia i fali këtij vendi dhe politika e deritanishme e shpërfytyron për interesa meskine. Në aspektin individual konstatohet tek aftësia e shqiptarit për të shpalosur vlera të barasvlershme me fqinjët dhe evropianët, si arsimdashës e si punëtorë, në zgjuarsi, intelekt etj. Në aspektin kombëtar fokusohet si një ndryshim historik në emër të së drejtës për t’u integruar në familjen natyrore evropiane.

Për ta bërë sa më qenësishëm mesazhin e tij filozofik të këtij ndryshimi historik, e mbivendos atë në struktura me elementë biblikë që mbartin besim dhe shpresë. Por në qendër të tyre nuk dallohet fryma e shenjtë, por atdheu dhe energjitë që njerëzit e thjeshtë venë në shërbim të tij.

Një element tjetër është transmetimi i mesazhit të fitores nëpërmjet lojës me kohën.

Fjalimi i tij nis pa përshëndetjet rutinë, por me kohën që ndan momentin e fjalimit me momentin e arritjes së qëllimit të ndryshimit, ditës së votimit. Këtë moment Rama e quan historik, realizuar përmes votës. Po sipas tij, kjo do të ishte e pamjaftueshme për vërtetimin e tezës së tij “të ndryshimit historik”. Në dy-tre paragrafët e parë na thotë se nevoja për këtë ndryshim buron nga vetë thelbi i realitetit dhe nevojës për ekzistencë dinjitoze të secilit nga ne, të konstatuar për një kohë të gjatë para momentit zgjedhor. Në vijim e vendos të njëjtin “moment” - zgjedhjet e 28 qershorit - në kohën e shkuar, si fakt të kryer. E bën këtë duke folur në emër të votuesve, në vetën e parë njëjës, por në kohën e shkuar. Është një mjet gjuhësor dhe stilistik shumë efikas që evidenton se votuesit me votën e tyre janë bërë pjesë e këtij ndryshimi, evidenton të drejtën e tyre për t’u krenuar për kontributin me votën e ndryshimit. Njëkohësisht, këtë e bën edhe për të shpalosur pikat thelbësore të programit politik të Partisë Socialiste që pritet të realizojë nga pozitat qeverisëse. Por edhe për ta ballafaquar këtë program me politikën e vjetër dhe për të treguar me gisht shkaktarët e mizerabilitetit ekonomik, shoqëror, politik, kulturor, arsimor në vend.

I ndërgjegjshëm deri në fund se momenti i votimit përbën vetëm të drejtën e startit për të realizuar ndryshimin, në fjalimin e tij “braktis” menjëherë metoniminë retorike të kohës së shkuar. Zgjedh në vijim kohën e tashme të së ardhmes (pas momentit të votimit). E bën këtë për të qenë më i drejtpërdrejtë në kumtimet e tij se ndryshimi historik i pretenduar nuk është gjë e thjeshtë që vjen në mënyrë magjike, por një “betejë”, “jo midis shqiptarëve të majtë dhe të djathtë”, por e vetë Shqipërisë me plagët e saj.

Elementi stilistik i përsëritjes në numërimin e këtyre plagëve nuk është thjesht një nevojë për të ruajtur ritmin nëpërmjet përdorimit të fjalive të shkurtra që të garanton ky stil, por oratori e përdor për të shkallëzuar mendimin në lidhje me gjerësinë e punëve në projektin e ndryshimin historik.

Vijimësia me këtë stil edhe në pjesën e fundit të fjalimit i jep oratorit mundësinë për të prezantuar peshën dhe rrezikun që paraqet faktori (i quajtur nga oratori, kryeplak i politikës së vjetër), që ndërmjetëson në orët e mbetura deri në hedhjen, sigurimin dhe numërimin e votës, që garanton nga ana e vet të drejtën për të startuar në këtë vizion ndryshimi.

Do të ishte e logjikshme që oratori në këtë pjesë të fliste për shpresën dhe besimin për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit. Nuk e bën këtë, por flet për një shpresën e një fitoreje tjetër. Atë të ndryshimit historik të pretenduar. Kështu, fitorja e zgjedhjeve për oratorin i përket faktit të kryer, i përket së shkuarës.

Dhe për të mos e trembur votuesin e tij për punët e mëdha që e presin, e fton atë në ritmin e muzikës dhe të show-t të drejtuar nga ai vetë. Edhe kjo ka vlerën e vet. Tregon se Ai posedon energjitë e duhura për arritjen e qëllimit historik, se mjafton besimi dhe vullneti për të arritur të gjithë së bashku aq larg sa kërkon ndryshimi historik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›