E Diel, 1 Nëntor 2026

PS përplaset me policinë për sheshin e mitingutNga TemaIncidenti i Partisë Socialiste me Policinë e Shtetit, për shkak të vendit ku do të zhvillohej mitingu i PS, ka përfunduar mesditën e djeshme, kur policia ka dhënë lejen që PS të zhvillojë mitingu

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

PS përplaset me policinë për sheshin e mitingutNga Tema

Incidenti i Partisë Socialiste me Policinë e Shtetit, për shkak të vendit ku do të zhvillohej mitingu i PS, ka përfunduar mesditën e djeshme, kur policia ka dhënë lejen që PS të zhvillojë mitingun në vendin e kërkuar, para Kryeministrisë. Përgjatë 24 orëve para mitingut të djeshëm të PS, në sheshin përpara Kryeministrisë, ku kishte nisur puna për montimin e podiumeve ku do zhvillohej mitingu, ka patur përplasje të policisë me militantë dhe zyrtarë të PS. Policia e Shtetit i ka kërkuar PS që të zhvillojë mitingun në sheshin “Nënë Tereza”, për shkak se në të njëjtën orë në sheshin “Skënderbej” zhvillohej edhe mitingu i PD dhe hapësira midis dy shesheve ishte e nevojshme për policinë për të mbajtur nën kontroll situatën. PS ka këmbëngulur në zhvillimin e mitingut në sheshin përpara Kryeministrisë, gjë e cila ka çuar në konfrontim me policinë. Gjatë orëve të para të mëngjesit, sheshi para Kryeministrisë ishte rrethuar me makina policie, të cilat tentuan të ndalonin transportin e mjeteve të PS për të ndërtuar infrastrukturën e mitingut. Më pas një grup i madh militantësh socialistë janë afruar para sheshit duke u konfrontuar me policinë. Situata është tensionuar, kur policia ka tentuar të ndalojë makinat e PS për të hyrë në sheshin ku ishte planifikuar mitingu, ndërsa militantët kanë tentuar të rrëzojnë makinat karro-atrec, të vendosura nga policia për të bllokuar rrugën drejt sheshit. Deputetë dhe zyrtarë të tjerë të PS kanë mbërritur në shesh për të kontrolluar situatën, ndërsa janë dukur në ambientet rreth protestës edhe ambasadori amerikan dhe ai i OSBE, të cilët janë njohur me situatën. Kryetari i PS, Rama, e ka konsideruar si turp të Berishës incidentin e djeshëm duke theksuar se PS do të mbrojë votën. Ndërsa Berisha është shprehur se PS i ishte lënë hapësira për të kryer mitingun e saj në cilindo shesh që të kërkonte, por PS ka këmbëngulur pikërisht në bulevard, para Kryeministrisë. Berisha tha se ishte i gatshëm që të linte sheshin “Skënderbej” për mitingun e PS duke zhvendosur orarin e mitingut të PD, por, sipas tij, PS kishte refuzuar. Për këtë arsye, Berisha tha se incidenti me mitingun e PS ishte një provokacion i Ramës dhe krerëve të tjerë të PS dhe se nuk do të ndikojë në standardet e zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›