E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri qetëson dhëndrin e Berishës

Nga Antena brenda familjes

Dje ndodhi gjëma. Listës së të papunëve që ka Flamuri, iu shtua dhe Jamarbëri. Kokulur si gjithmonë, ai trokiti në zyrën e Flamurit dhe kërkoi të bisedonte.

- Nuk flas dot me këta të shtëpisë, - tha, - se kam hall se më bërtasin, por mua më hoqën nga puna. Më kanë thënë ata të shtëpisë që ti merresh me këta që kërkojnë punë, ndaj po vij te ty.

- Po pse, ç’ke bërë që të hoqën? - i tha Flamuri i shqetësuar. - Flas unë me Sokolin, se s’ia mban atij të ma kthejë fjalën.

- Jo, nuk është punë e Sokolit. Ai as mua nuk ma kthen fjalën. Por me këta të Bankës Botërore. Ti e ke parë që kanë shkruar gazetat dhe ata janë mërzitur. Sot më njoftuan se do pezullojnë projektin.

- Mos u mërzit. Punë të gjej unë ku të duash ti, po puna është të mos bëjmë hapa të nxituar. Si ishte puna me këta të Bankës Botërore që t’u qepën?

- Asgjë. Unë po e ha kot. Unë jam marrë vetëm me hartat dhe me vijën e ndërtimeve. U kam thënë dhe atyre të shtëpisë, mos më ngatërroni me punë të tjera. Mirë më thanë. Merremi ne me këto të tjerat. Dhe ata janë marrë. Mua, për kokë të babit, s’më ka pyetur njeri. Madje, asnjë biznesmen nuk më ka takuar. Dhe kur kërkonte ndonjëri takim, i thosha shko në një studio ligjore dhe merru me ato, se ato e dinë ligjin. Dhe për koincidencë, të gjithëve që u thosha kështu, shkonin tek Argita. Po për kokë të babit nuk u kam thënë shkoni atje. Shkonin vetë. Dhe as e kam idenë se përse kanë biseduar. Se unë s’ngatërrohem me asgjë.

- E di, e di, - i tha Flamuri. - Njësoj dhe unë. Kurrë nuk ngatërrohem me këto gjëra. Kur vijnë për biznes, u them merrni një avokate të zonjën, kur vijnë për emërime, u them do pyes atë burrin dhe jam rehat. Dhe mua kështu më bën vaki. Sa herë u them u duhet një avokate e zonja, tek Argita shkojnë, po jo se u them unë. Shkojnë vetë. Ekonomi tregu është kjo. Ata te më e zonja do shkojnë. Dhe ty s’ka pse të vret ndërgjegjja.

- Jo, kam hall se do mërziten ata të shtëpisë. Ata më kanë pikë të dobët.

- S’ka gjë se flas unë me Luanin, - i tha Flamuri.

- Jo Luanin, jo. Lëre atë të shkretin në punë të vet. E kam fjalën për këta të shtëpisë, d.m.th., këtej nga Argita.

- Aha. Po normal që do bëhen merak, po hajt se e kalojnë ata.

- ǒtë të them o Flamur se flas si vëlla me ty. Na shkuan gjithë punët ters. U kthyem nga Kosova me shumë plane, asgjë s’bëmë. Më kujtohet kur rrinim në zyrë atje me Lulin. Sa herë e kemi menduar se ç’do bëjmë kur të kthehemi. Asgjë nuk bëmë. Atje ishim perfekt. Mbulonim shumë mirë njëri-tjetrin. Kur ikte Luli në Holandë, nuk i tregonte shefit, e linte derën e zyrës hapur dhe unë herëpashere e mbyllja dhe e hapja gjatë ditës. Nuk e kuptonte njeri fare që kishte ikur. Kur bënin ndonjë kontroll, u thosha iku deri në aeroport dhe kur e thërrisnin në handy gjithmonë në aeroporte ishte. Po nuk e thoshte në cilin. Tani jemi bërë të gjithë copë- copë. Tani s’e mbuloj dot më. Ja, e çuan në prokurori. Po përpiqemi sa mundemi me këta gjykatësit dhe kemi ecur ca. Në të parën kishim Fatmirën, këtu kishte daja atë shokun e vet, Pajtim Hoxhën. E ka daja shok të ngushtë….

- Kush dajë? Kë ke dajë ti? - e pyeti Flamuri.

- Jo, daja i Argitës, jo imi, - tha Arbëri. - Në Gjykatë të Lartë e kemi rregulluar. Akoma s’ka filluar gjyqi realisht se nuk janë legjitimuar palët. Ua kërkoi një nder babi atyre, u tha shtyjeni për datën 27, dhe e shtynë. Me siklet, po e shtynë. Se ata 15 ditë kanë të drejtë të shtyjnë.

- Kush, Luani i mori në telefon o?

- Jo, jo, babi i Argitës, se babi i them unë.

- Aha, e di, e di, më tha ai burri vetë. Se më raporton mua ai për çdo gjë.

- Jemi katandis si mos më keq. Lulin e përfolën, Argitën e përfolën, Zenin e përfolën, dhe unë që kisha ngelë i pastër, më përfolën. E kupton sa duhet të jetë mërzitur babi apo jo. Dhe ata të shtëpisë në fakt. Ndaj nuk dua t’u them që jam pa punë. Më gjej një punë ta shtyj si ta shtyj.

- Po është punë e rrogës, - i tha Flamuri.

- Rrogës. Ku di unë sa e kam pas rrogën. S’e kam pas marrë kurrë, se merrej Argita me financat. Po s’besoj se na duhet. Një vend pune më duhet.

- Mirë, ta gjej, - e qetësoi Flamuri. - Do flas dhe me atë burrin të mos bëhet merak, se ti s’ke faj. Kështu është kur fusin hundët armiqtë e Shqipërisë në Bankë Botërore. Nuk duan të bëhet Shqipëria. Mos ki merak se të ndreq unë diku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›