E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i armëve, mbërrin dëshmia e Efraim Diverolit

Nga Bledar Lumani

Ka mbërritur dje në Prokurorinë e Përgjithshme dëshmia e Efraim Diverolit, njeriut kyç në hetimet e organit të akuzës për trafikun e armëve mes Shqipërisë dhe Afganistanit. Megjithëse prokuroria nuk ka dhënë detaje nga dëshmia e Diverolit, mendohet që ajo të sqarojë, nëse ka pasur lidhje mes trafikut të fishekëve dhe tragjedisë së Gërdecit. Gjatë një deklarate pak kohë më parë të avokatit të tij, biznesmeni 22-vjeçar akuzonte drejtpërsëdrejti ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si dhe drejtuesit e shoqërisë MEICO, për përfshirjen e tyre në trafikun e armëve. Akuza këto, të cilat janë zbardhur edhe gjatë një telefonate të kryer mes Diverolit dhe biznesmenit tjetër, i cili tashmë nuk jeton më, Kosta Trebicka. Sakaq, prokuroria pret edhe dëshminë e një tjetri të dyshuar si i implikuar në trafikun e fishekëve, Henry Tomey, i njohur me emrin Zoti i Luftës. Organi i akuzës, me anë të Ministrisë së Drejtësisë, i ka nisur një letërporosi shtetit zviceran dhe tashmë pritet vetëm ardhja e dëshmisë së Tomey-it.

Dëshmia

Gjashtë javë para mbushjes së një viti nga tragjedia e Gërdecit, prokuroria tashmë ka në dorë dëshminë e biznesmenit amerikan, Efraim Diveroli, i cili ka pasur lidhje me kompaninë shtetërore MEICO në trafikun e fishekëve. Por, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka pranuar që të japë detaje në lidhje me dëshminë e biznesmenit amerikan. Kjo, duke qenë se përgjigjet e tij konsiderohen nga prokurorët si kyçe, për të sqaruar lidhjet mes tregtisë së fishekëve dhe tragjedisë së Gërdecit. Në dëshminë e tij dhënë për llogari të drejtësisë shqiptare, mësohet se Diveroli ka folur për gjithë trafikun e fishekëve nga Shqipëria në Afganistan. Ajo që pritet të qartësohet me dëshminë e Diverolit, është fakti nëse ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është përfshirë në trafikun e fishekëve. Kjo, duke qenë se, gjatë një intervistë të avokatit të Diverolit dhënë gjatë muajit qershor, 22-vjeçari përmendte Mediun, së bashku me drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinari, të përfshirë në afera të paligjshme në trafikun e municioneve. Mediu dhe Pinari, së bashku me Mihal Delijorgjin dhe Dritan Minxhollin, janë të akuzuarit kryesorë të tragjedisë së Gërdecit, ngjarje kjo, që sipas hetimeve të prokurorisë, është e lidhur ngushtësisht me trafikun e municioneve nga Shqipëria në drejtim të Afganistanit. Dhe njeriu kyç në këtë trafik ka qenë pikërisht Diveroli, i cili pritet që me dëshminë e tij të zbardhë skenarin e trafikut të municioneve, që faktikisht është pranuar nga ana e këtij të fundit. Ndërkohë, në lidhje me hetimet e prokurorisë për trafikun e fishekëve, Prokuroria e Përgjithshme, me anë të Ministrisë së Drejtësisë, ka dërguar një letërporosi në Zvicër, për të marrë dëshminë e një tjetër personi kyç në këtë trafik, Henry Tomey-it, i njohur ndryshme me pseudonimin Zot i Luftës. Me anë të këtyre dy dëshmive, prokuroria pret që të zbardhë shpërthimin e depove të demontimit të municioneve në Gërdec.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›