Flamuri shqiptar ngrihet në Komandën e Bashkuar të NATO-s

Ceremonia zyrtare në Napoli
TIRANE - Në Komandën e Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, Itali, u zhvillua dje ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar dhe atij kroat në krah të flamujve të vendeve të tjera anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në sheshin kryesor të Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s, në praninë edhe të ambasadorëve të vendeve të tjera anëtare të NATO-s u krye ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar dhe atij kroat në krah të flamujve të vendeve të tjera anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Gjatë kësaj ceremonie në fjalën e tij Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Gazmend Oketa krahas kënaqësisë për të qenë prezent në këtë ceremoni të veçantë të ngritjes së flamurit shqiptar përkrah 27 flamujve të vendeve të tjera anëtare të Aleancës së Atlantikut shprehu edhe njëherë vlerësimin maksimal të qeverisë shqiptare për ndihmën e dhënë nga vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut për ushtrinë shqiptare për arritjen e objektivave të saj për anëtarësim në NATO.