Flamurtari 6 “shuplaka” Dinamos Skënderbeu, “dyckë” ndaj Laçit
Skënderbeu e Flamurtari do të vijojnë të paktën edhe për tri ditë udhëtimin në distancën e 2 pikëve, pasi të dyja skuadrat kanë fituar dje në shtëpi përkatësisht me Laçin dhe Dinamon. Korçarët, që luanin në orën 18:00, teksa sfida e Vlorës kishte përfunduar, kanë zhvilluar një futboll të qetë ndaj kurbinasve, duke fituar me rezultatin e pastër 2-0. Ndërsa në stadiumin “Flamurtari”, Xhafaj me shokë bëjnë çmos për t’ua bërë jetën ferr kryeqytetasve, madje në fund vendosin dhe t’i poshtërojnë, duke e lënë portierin Moçka ta shndërrojë në gol penalltinë që vulosi rezultatin 6-2.
Skënderbeu ka shënuar nga një gol për çdo pjesë, duke marrë një fitore që e lejon të ruajë distancën +2 me Flamurtarin. Në minutën e 10-të të pjesës së parë ka qenë Blendi Shkëmbi, ai që do t’i kalojë të tijtë në avantazh. Kapiteni ka shfrytëzuar mjaft saktë një 11-metrësh, të dhënë nga kryesori Janku, duke realizuar golin që e vuri skuadrën korçare në një farë letargjie, pasi Skënderbeu nuk ka sulmuar me forca të shumta, por ka qarkulluar topin në mesfushë duke u lënë gjithnjë kohë kurbinasve të tërhiqen në prapavijë. Në fraksionin e dytë të ndeshjes do të jetë argjentinasi Soza, ai që do të vulosë shifrat 2-0 dhe fitoren e Skënderbeut.
Flamurtari shfryn nervat ndaj Dinamos. 6 gola dhe spektakël në Vlorë, në një ndeshje që u duk se do të kishte tjetër rrjedhë, sepse ata që shënuan të parët ishin miqtë nga kryeqyteti. Tifozëria e shumtë vlonjate irritohet, por ekipi i Maganit do të futet shumë shpejt në shinat e duhura, duke e kthyer disavantazhin momental në një goleadë. Igli Allmuca shënoi një gol të shpejtë për Dinamon në minutën e 5-të. Daniel Xhafaj, rikuperoi disavantazhin në të 20-ën dhe 33-ën, me një gol spektakolar. Këta ishin golat me numër 16 dhe 17 për golashënuesin më të mirë të kampionatit. Odise Roshi i çoi shifrat në 3-1 në minutën e 38-të. Lala shënoi për Dinamon në minutën e 50-të golin e dytë. Pak minuta më pas, Daniel Xhafaj goditi shtyllën e majtë pingule të portës së mbrojtur nga Hoxha i Dinamos. Njazi Lena shënoi golin e katërt, falë një asisti të Daniel Xhafaj në minutën e 63-të. Gerhard Progni shënoi golin e pestë, pas një asisti të Julian Ahmatajt në minutën e 68-të. Pas një topi të marrë nga Daniel Xhafaj, Ardit Shehaj goditi shtyllën në minutën e 86-të, e dyta në këtë ndeshje për vlonjatët. Goleada e Flamurtarit vazhdoi në minutën e 88-të, kur portieri i Dinamos, Hoxha, frenoi Lenën. Portieri i Flamurtarit, Shpëtim Moçka realizoi me penallti përballë homologut të tij Hoxha: 6-2 dhe Flamurtari hakmerret kështu ndaj asaj skuadre që e etiketon si përgjegjësen kryesore për humbjen e vendit të parë pasi, sipas kuqezinjve, ka toleruar në të treja përballjet me korçarët.