“Si jetojmë me vajzat binjake, Invalide, në një barakë në Kënetë”
Durrës- Babai i dy fëmijëve binjakë është dashur të endet me para borxh tre vite për të përfituar statusin e invaliditetit për të vegjlit. Arben Ibra ka tre fëmijë dhe jeton në një barakë të rrënuar në Kënetë së bashku me gruan. Martesa e gëzoi me tre fëmijë, por dy prej tyre janë të sëmurë dhe nuk zënë në këmbë edhe pse kanë mbushur katër vite. Prindi i fëmijëve të sëmurë është dashur të endet sa në sheshin pranë spitalit të Durrësit për të gjetur punë, sa në dyert e spitaleve dhe të komisioneve ligjore për të kuruar dhe marrë KMACAP-in për dy vajzat e tij binjake. Sueda e Suada janë motra binjake, por për shkak të kësaj sëmundjeje asnjëra nuk ecën. Ato vuajnë nga osteogenesis imperfecta dhe pasi fëmijët nuk kanë mundur të gjejnë asnjë lloj mbështetje në spitalin e Durrësit dhe në Tiranë, me ndihmën e një shoqate fetare janë diagnostikuar në Gjermani.
Orvatjet
Por prindërve të papunë u janë dashur tre vite për të fituar librezën e invaliditetit për të dyja vajzat e vogla. Madje, me paratë e KMACAP-it të dy vogëlusheve jetojnë edhe nëna, babai dhe vëllai 6-vjeçar i Suadas dhe Suedas. Babi i dy vajzave, Arben Ibra, shprehet se e ka shumë të vështirë për t’ia dalë mbanë. “Familja ime përbëhet nga pesë pjesëtarë. Kam tre fëmijë, por vetëm djali 6-vjeçar është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa të dy vajzat binjake janë të sëmura. Ato vuajnë nga osteogenesis imperfecta, nuk ngrihen dot në këmbë, pasi nuk qëndrojnë në ekuilibër. Vajzat janë tani 4 vjeç, saktësisht në shtator mbushin 4 vjeç. Unë dhe gruaja gjatë gjithë këtyre viteve jemi detyruar t’i marrim në krahë sa në një spital tek tjetri, sa në njërin mjek tek mjeku tjetër. Fati e deshi që vajzat e mia të mos jenë si shoqet e tyre. Ato qëndrojnë në krevat gjatë gjithë kohës, ndërsa gruaja i merr me radhë një herë Suedën e herën tjetër Suadën për t’i shëtitur në oborrin e shtëpisë apo në rrugicën e lagjes. Vështirësitë për të rritur fëmijët na janë vështirësuar pasi ne na është dashur shumë kohë dhe shuma të mëdha parash për të arritur deri tek KMACAP-i. Në valixhen time kam raporte, analiza, rekomandime mjekësore, letra dërguar gjithandej, zarfe, adresa të mjekëve, të deputetëve, pushtetarëve, ministrave e kështu me radhë. Halli më ka shtyrë të trokas në çdo derë, me shpresë se do të gjeja mbështetje. Por kam vuajtur shumë. Nuk e kisha menduar se ka në radhët e mjekëve edhe njerëz të tillë që nuk duan t’ia dinë për fatkeqësinë e të tjerëve.
Kërkesa
Arbeni shprehet se në komisionin e KMACAP nuk e trajtonin mirë, duke mos marrë mundimin për të parë realisht gjendjen e fëmijëve. “Kryetarja e komisionit më thoshte se fëmijët nuk janë të sëmurë dhe as që merrte mundimin të shikonte dosjet me rekomandime, analiza, grafi, fatura, mandate etj. Unë ia dërgoja së bashku me gruan fëmijët në komision për t’i parë, por sapo kjo kryetare komisioni më shikonte thoshte të njëjtat fjalë. Nuk kisha njohje e as mbështetje. Kështu më duhej të kthehesha në kasollen ku jetonim”. Vetëm rastësia dhe fati ka bërë që kjo familje të ndihmohet disi nga një mjek i huaj, i cili për shkak se edhe vetë vuan nga e njëjta sëmundje, ka ndihmuar pa kursyer dy vajzat binjake që jetojnë në zonën e ish-Kënetës. Arbeni tregon se kisha katolike në Durrës iu përgjigj menjëherë sapo panë fëmijët dhe shkresat. Kisha mori përsipër të gjitha shpenzimet për të dërguar të dyja vajzat në Këln të Gjermanisë. Atje fëmijët u vizituan në klinikën e dr. J. Oliver Semler, i cili është vetë i prekur nga sëmundja që mundon të dy fëmijët e mi. Atje u bënë të gjitha ekzaminimet dhe u përcaktua përfundimisht edhe diagnoza. Doktor Semler është njeri shumë i mirë. Ai ka ardhur nga Gjermani në Kënetë për të parë vajzat e mia. Ka vizituar edhe të tjerë të sëmurë në vendin tonë. Doktor Semler është shumë human. E shoh sa keq ndihet kur vëren se kushtet e jetesës së familjes sonë janë shumë të këqija. Ai po punon shumë për të bërë ç’është e mundur deri sa të gjejë ilaçet e duhura për të shpëtuar nga sëmundja këtë kategori të prekurish nga steogenesis imperfecta. Doktori ka bërë disa seminare dhe takime pafund me specialistë në Ministrinë e Shëndetësisë, për të ndihmuar shtresën e të sëmurëve me të njëjtën diagnozë që kanë dy vajzat. Më ka dhënë ilaçe dhe interesohet në mënyrë sistematike për ecurinë e shëndetit të Suedas dhe Suadas.