E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia “blindon” vendin e tretë!

Ka qenë një nga ato ndeshjet që vendosin shumë në lidhje me të ardhmen e Vllaznisë dhe Tiranës, por kanë qenë shkodranët ata që kanë vuajtur dhe kanë marrë maksimumin nga një sfidë që duhej fituar. Pjesa e parë ka nisur e qetë dhe të dyja formacionet studionin njëra-tjetrën, por sinjalet për bardheblutë nuk janë më të mirat. Hyka dëmtohet shumë shpejt dhe detyrohet të braktisë tapetin e stadiumit “Loro Boriçi”, për t’i lënë vendin Pero Pejiçit. Ka qenë pikërisht kroati, ai që ka gjuajtur nga një pozicion i prirët, por ka pritur Vujadinoviç. Vllaznia trembet dhe fillon të vuajë presionin e miqve. Duhet të vijnë minutat e fundit të pjesës së parë, që djemtë e Josës të kujtohen për të rrezikuar. Në minutën e 44-të, Sinani gjuan me kokë dhe pret Nallbani, ndërsa një minutë më pas Sinani do të shpërdorojë një rast të artë, teksa me portën e boshatisur e ka dërguar topin jashtë kuadratit. Fraksioni i dytë i ndeshjes do të nisë me një 11-metërsh të fituar nga vendësit. Vajushi ka depërtuar bukur në zonë, por është penguar aty nga mbrojtja e 24 herë kampionëve të vendit. Nga pika e bardhë godet mbrojtësi malazez i kuqebluve, Rajoviç, që ka mposhtur portierin Lika duke i dhënë kështu avantazhin Vllaznisë. Tirana është munduar të reagojë, por e ka pasur të vështirë për të thyer barrikadën e ngritur nga Josa në mbrojtje. Në minutën e 62-të, Karabeci për pak sa nuk shënon me kokë, por një pritje spektakolare e portierit te Vllaznisë mbrojti avantazhin. Deri në fund të takimit është Tirana që përpiqet duke sulmuar me të gjitha forcat, por rezultati ngel i pandryshuar deri në fund. Vllaznia ka marrë tri pikë që i kanë siguruar vendin e tretë duke e dërguar në Europa Ligë, ndërsa Tirana tani duhet të fitojë finalen e Kupës së Shqipërisë përballë Dinamos për të ëndërruar një vend në zonën europiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›