E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari-Vllaznia, sot luhet superbeteja e javës

TIRANE- Java e gjashtë e Superligës do të startojë sot në orën 14.00 me një superbetejë mes Flamurtarit e Vllaznisë. Në Vlorë do të luhet edhe ndeshja më e rëndësishme e javës, me dy skuadra që synojnë të mos dalin pa pikë, ndonëse përballja vjen në një fazë disi të hershme.

Flamurtari i këtij viti duket një ekip fushe, teksa në shtëpi nuk ka falur asnjë pikë. Ndërkohë, shkodranët nuk fitojnë prej vitesh në Vlorë, por sot duan të thyejnë një tabu. Mes dy kampeve ka mbizotëruar një atmosferë "hermetike" në prag të kësaj sfide.

Vllaznia udhëton për në Vlorë pa sulmuesin Vioresin Sinani, i cili është i dëmtuar dhe do të përbëjë edhe problemin kryesor për Mirel Josën. Ndërkohë, nuk do të jetë as Dritan Smajli, që ka është i pezulluar për arsye kartonash. Një tjetër ndeshje e rëndësishme që do të luhet sot është ajo mes Kamzës dhe Tomorit, që luftojnë për të mos rënë nga kategoria.

Të dy ekipet ndodhen në kuotë të barabartë pikësh, me nga 4 secila, dhe ndeshja e sotme është një shans për të lënë "zonën e ftohtë". Tomori gjithsesi duket në krizë totale në këto momente, teksa një javë më parë u mund edhe nga Laçi. Ndërkohë, përballja tjetër është ajo mes Pogradecit dhe Shkumbinit, një sfidë mes dy skuadrash deri diku të barabarta. Liqenorët janë të frikshëm në shtëpi, ndërsa peqinasit nuk duken të tillë në ndeshjet në transfertë.
(s.g/gsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›