Flamurtari merr “OK, gati kthimi në sh.a
Është zhvilluar sot mbledhja e parë e këshillit të ri bashkiak të Vlorës pas konstituimit të tij. Në rend të ditës ishin pesë pika, ku tre prej tyre kishin të bënin me klubin e futbollit “Flamurtari”, e konkretisht me pjesëmarrjen e Bashkisë si aksioner i vetëm në themelimin e shoqërisë “Flamurtari futboll Klub” sh.a, rishqyrtimin e aktit të themelimit dhe statutit për të dhe një ndryshim në VKB, të datës 20 janar, me qëllim shtim fondi për këtë shoqëri.
Për çështjen e rikthyer në këshill nga Prefekti, debati ka përfshirë këshilltarët e kampeve të ndryshme, nisur nga këshilltari i LSI-së Shkëlqim Selami, i cili ka deklaruar se kjo kërkesë në rend të ditës është e paligjshme dhe këshilli bashkiak nuk ka tagrin për të konvertuar shoqërinë e Klubit “Flamurtari” nga sh.k.p, që sipas tij është aktualisht, në sh,a. Selami deklaroi gjithashtu se përpos dokumentacioneve për t’ia vënë në dispozicion krerëve të këshillit dhe anëtarëve të këtij këshilli, ka përgatitur edhe një kallëzim penal në prokurori për çështjen. Ai u kontestua nga kreu i grupi të këshilltarëve të majtë. Kujtim Sulçe e cilësoi pretendim personal sjelljen e Selamit ndaj këtij klubi, ndërsa kreu i Bashkisë, Gjika e cilësoi legjitime kërkesën dhe vendimin e këshillit, duke demostuar se edhe dy bashki të tjera kanë ndjekur të njëjtën procedurë dhe janë cilësuar të ligjshme, pasi të tilla janë theksoi kreu i Bashkisë së Vlorës, z.Gjika, duke cituar edhe FSHF-në, e cila e njeh këtë institucion si titullar të klubit të futbollit. Pavarësisht diskutimeve, të tre pikat u miratuan me shumicë votash nga anëtarët e këshillit, dhe pas tyre edhe dy pikat e tjera që kishin të bënin me ndihmën ekonomike dhe Asamblenë e Aksionerëve të Ujësjellësit sh.a Vlorë. Tanimë pritet dhënia e ligjshmërisë nga ana e prefektit për të pesta vendimet, në një kohë kur çështja e kalimit të klubit Flamurtari në shoqëri aksionere, ishte diskutuar dhe miratuar nga këshilli i një mandati më parë, por rikthyer nga prefekti i Vlorës për pretendime të mosrespektimit të procedurave për një shoqëri aksionere, si dhe vlerën e ulët të kapitalit themeltar të saj.