E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nine Eleven” rrugëtim në pelikulat e kinemasë së re

Festivali i përvitshëm ndërkombëtar i filmit të shkurtër “Nine Eleven Dedication Festival”, i cili mbahet në kujtimin e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit në Amerikë, nisi rrugëtimin e edicionit të tetë me shfaqjen e filmave nga regjisorë të rinj dhe të kinematografisë shqiptare. Filma si “Toka e Zotit” nga Mentor Spahiu, “Kthimi” nga Shefqet Gjocaj, “Ndihmë se jo mahi” nga Getoarbë Mulliqi, “Kofja e zbrazët” nga Antoneta Kastrati, “Mulliri” i Ilirjan Himajt, “Nusja” nga Korab Lecaj, “Aksidenti” nga Lulzim Rashiti, “Lëkura që djersin” nga Valjet Rexhepi dhe “Teatri” nga Besart Sllamniku, ishin skenarët e sivjetshëm që kanë filluar realizimet qysh në muajin maj, për t’u shfaqur tanimë në ditët e festivalit. Festivali këtë vit vë në retrospektivë filmin dhe krijimtarinë e Enver Petrovcit, kurse mysafir special ka kritikun e filmit Dan Webster, i cili përpos vlerësimit do të bëjë një kritikë rreth kinematografisë kosovare dhe asaj shqiptare. Financimi i këtyre filmave mundësohet nga bashkëpunimi i Nine Eleven me PrishtinaFilm. Edicioni i tetë i festivalit kombëtar të filmit të shkurtër “Nine eleven” do të zgjasë deri më 11 shtator dhe do të mbledhë rreth tij filma të metrazhit shkurtër, të cilët paraprakisht kishin fituar në një konkurs që tashmë tradicionalisht përkrahen nga organizatorët. Gjatë ditëve sa do të zgjasë ky festival, do të shfaqen afërsish 18 filma të metrazhit të shkurtër. Mbajtja e këtij festivali, në fakt, është një homazh dhe kujtim për viktimat e 11 shtatorit 2000, ku nga sulmet terroriste në Nju-Jork humbën jetën mijëra njerëz. Mbi të gjitha, mbajtja e tij ka një rëndësi për afirmimin e kineastëve tanë të rinj, të cilët kanë një rast të mirë për t’u promovuar me veprat e tyre. Shumë dramaturgë, regjisorë e aktorë janë promovuar dhe kanë treguar talentin e tyre përmes këtij festivali. Nine Eleven është një festival i cili i mundëson ata të tregojnë talenti për artin e shtatë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›