E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flasim, por çfarë themi?

 

Në një debat televiziv, këtë të enjte, njëri prej pjesëmarrësve, në një moment të caktuar, i drejtohet një tjetri pjesëmarrësi pak a shumë me këto fjalë: "Po t'i pse ke ardhur këtu, xhanëm? Për të dalë në televizor?".

Debati dhe diskutimi janë tipar thelbësor i shoqërisë njerëzore në të gjitha sistemet, madje edhe në ato diktatoriale. Gjithmonë ka diçka për të cilën diskutohet. Në shoqëritë demokratike, diskutimet zhvillohen në të gjitha nivelet: në vendet e punës, në shoqëri, në media, në Parlament. Në fakt, kaq e vërtetë është kjo saqë shkencëtarët politikë na mësojnë se diskutimet janë në zemër të drejtimit të një sistemi demokratik dhe se demokracia është sistemi i qeverisjes nëpërmjet debatit. Njerëzit, elektorati, ekzekutivi, partitë politike, legjislativi, drejtësia, grupet e interesit, mediat dhe ekspertët e pavarur, të gjithë janë të përfshirë në një proces debati të vazhdueshëm, dhe për rrjedhojë në një  proces ndikimi të ndërsjellë mbi njëri-tjetrin, përgjatë të cilit herë bindim të tjerët dhe herë bindemi të ndryshojmë këndvështrimin tonë.

Këtë proces shkëmbimi të pareshtur, teoricienët liberalë e kanë quajtur si shprehje të shqetësimeve të përbashkëta në përpjekje për të përcaktuar qëllime të përbashkëta, për të dalë pastaj në vendime dhe zgjidhje konkrete, po të përbashkëta. Çdo nivel në të cilin kryhet ky debat ka sistemin e vet të funksionimit dhe rregullat e brendshme që e qeverisin.

Në këtë shkrim, nuk kam aspak për qëllim t'i referohem boshësisë dhe kaosit që mbretëron në nivelin më të lartë ku zhvillohet debati në Shqipëri - Parlamenti Shqiptar. As edhe debatit brenda vetë partive politike, as atij midis tyre, sepse ajo që po ndodh në këtë vend bërtet aq fort, saqë shqiptarët nuk po i dëgjojnë më ato që thonë liderët e tyre.

Këtu dua t'i referohem një niveli tjetër debati me ndikim të gjerë në opinion publik, dhe pikërisht debateve televizive, e akoma më drejtpërdrejtë, të ashtuquajturave debate televizive të zhvilluara në këto dy javët e fundit mbi tmerrin e Gërdecit. Duke mos marrë përsipër të bëj analistin e "analizave" të analistëve tanë, do të ndalem në dy kërkesa të thjeshta që duhet të përmbushë komunikimi midis njerëzve për të qenë në nivelin e qenieve të arsyeshme që pretendohet se jemi: 1) nevojën e argumentit në debatin publik dhe; 2) nevojën për të mos e reduktuar arsyen njerëzore në një kalkulim të thjeshtë logjik.

Në debatet e ditëve të fundit, kemi parë një garë të shfrenuar të televizioneve për të folur pa reshtur për tragjedinë e Gërdecit. Kaq e vërtetë është kjo sa të njëjtët njerëz bënë jo vetëm raundin e parë dhe të dytë, por edhe të tretë e mbase të katërt të të gjitha kanaleve dhe të të gjithë emisioneve për këtë temë, në të gjitha ditët e javës. Njërin që sot e kishte ftuar S.Balla, nesër e ftonte A.Cani, pasnesër B.Fevziu, më pas R.Xhunga e kështu me radhë. Sillu e mbështillu këta të ngratët e bluaj vetveten. Gjithë sa rrotullonin nëpër gojë ngjanin me po ato muhabete që i dëgjon nga pensionistët në radhët e pensioneve ose në shëtitjet e tyre, kur dalin në grupe mëngjeseve për të diskutuar ngjarjet e fundit. Ngaqë nuk dëgjojnë mirë, flasin me zë të lartë, herë me vete, e herë për shokët, pak rëndësi ka kush dëgjon.

Analistët tanë të kudondodhur në debatet e televizioneve, gjithë-gjithë një grusht njerëzish, në momentin që kanë zbrazur tërë arsenalin që kanë mbledhur copa-copa, e lart e poshtë, nuk ngurrojnë t'i sulen njëri-tjetrit edhe me sharje banale, për gjëra që nuk kanë kurrfarë lidhje me atë për të cilën janë në studio. Dhe e gjitha kjo nën vështrimet e moderatorëve. Madje-madje kaq të pafuqishëm e jashtë loje janë, sa edhe pyetjet panelistët ia bëjnë njëri-tjetrit duke u gufurrur. Gati-gati një teatër absurd.

Këta moderatorë (dhe njëherazi analistë) bashkë me analistët që ftojnë nëpër studio, kanë harruar se detyra e tyre është që në radhë të parë të sjellin fakte dhe argumente. Kjo është ajo çfarë do ta dallonte debatin e tyre nga debati në mjediset e tjera të shoqërisë. Argumentet që analistët prodhojnë mund të jenë të niveleve të ndryshme në pikëpamje teknike dhe në pikëpamje të sofistikimit, por duhet të jenë bindëse dhe të qarta që mënyrë që të merren seriozisht. Për më tepër, duke qenë që problemi i Gërdecit është një çështje komplekse dhe e ndërlikuar, që ngërthen pikat e prerjes të shumë elementëve të organizimit të shoqërisë, funksionimit të shtetit, moralit, drejtësisë, pse jo, edhe çështje ushtarake, teknologjike dhe shkencore, është plotësisht e mundur që në debate të tilla të përshihen njerëz nga këto kategori specialistësh, dhe jo vetëm ata që dëgjojmë pa pushim në gjithë këto vite tranzicioni e që kanë fituar profesionin e "show goers".

Në ngjarjen konkrete, kur kriteret shkencore të së vërtetës përplasen me interesat dhe nocionet politike, kredibiliteti i atij që flet mbështetet dhe ka njësi matëse kompetencën e tij profesionale. Në dallim nga media e shkruar që ka ofruar mendimet e teknikëve për sigurinë e armatimeve, vlerësimin e teknologjisë që përdorej, impaktin që shpërthimi pritet të këtë në afat të shkurtër, të mesëm e të gjatë mbi mjedisin dhe shëndetin e njerëzve dhe kafshëve, si dhe shumë fakte e opinione të marra drejtpërdrejt nga goja e specialistëve dhe atyre që përjetuan tragjedinë, media televizive në masën më të madhe ka bërë "logje pazari" në periudhën post Gërdec.

Prania e shtuar e këtyre "gjeneralistëve" dhe mungesa e ekspertëve na çon në çështjen e dytë, në atë që shumë prej këtyre opinionistëve kokë e këmbë të varur, nuk lënë akrobaci logjike pa bërë për të dalë në supozimet dhe konkluzionet që i kanë paragjykuar politikisht. Pikërisht në momentin e një akrobacie të tillë logjike, erdhi edhe pyetja që përmendëm në krye të shkrimit. Nënteksti i pyetjes retorike mund të lexohej edhe si "Ti vjen këtu për t'u dukur bukur para "princit"?

Argumenti që bind nuk është thjesht dhe vetëm një demonstrim logjik. Në fakt, demonstrimi logjik vetëm sa e mbron artikuluesin nga të tingulluarit si irracional në momentin e parë. Ta kufizosh rolin e arsyes në gjetjen e mjeteve për arritjen e qëllimit, në mos irracional, të bën subjektiv. Dhe këtu hapësira për debat ngushtohet aq shumë sa shkon kundër logjikës së brendshme të demokracisë, si sistem i qeverisjes me anë të debatit. Argumentimi padyshim që i përdor deduksionet logjike, por nuk mbetet vetëm në kuadrin e sistemeve deduktive. Përkundrazi, argumentimi niset nga opinionet, vlerat dhe pikëpamjet e konstestueshme. Dhe është pikërisht kjo përplasje që e mban të ndezur debatin publik.

Të jesh analist politikash (me fjalë të tjera, vendimesh e projektesh që merren e zbatohen në interes të publikut e jo të grupit) domosdoshmërisht kërkon të japësh gjykim për vlerat. Ndarja artificiale midis vlerave dhe kapaciteteve racionale është një kërcënim për vetë qëllimin e debatit publik: qeverisje ku dëgjohet zëri i të gjithëve dhe mbrohen interesat e të gjithëve. Që në momentin që dalin në publik, mbështetësit, këshilltarët dhe bashkëpunëtorët e "princit" nuk janë më diskretë, por aktorë në një proces që arsyeshëm duhet të çojë ujë në hullinë e së mirës publike. Dhe më e pakta që kërkohet prej tyre, është të tregohen më të balancuar në çështjet që lidhen me drejtësinë publike dhe përgjegjshmërinë politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›