Rubik, 10 grabitje brenda dy netësh
Qyteza e vogël ka mbetur pa policë dhe menjëherë grabitësit janë hedhur në veprim duke marrë ç'të gjejnë
RUBIK- Brenda dy netësh në Rubik kanë ndodhur plot 10 vjedhje, ku nuk janë kursyer dhe objekte të trajtimit profesional që mbulohen nga "Motrat Venerine", që u shërbejnë dhjetëra qytetarëve në kurse trajnimi të ndryshëm profesionalë. Spektri i grabitjeve të këtyre netëve ka qenë i gjerë, duke vazhduar me dy lokale, automjete e kabllo elektrikë, pa harruar dhe linja të tëra elektrike në fshatra. Ndërkohë që deri më tash nuk ka asnjë të ndaluar nga ana e policisë. Vjedhja më madhe e shënuar nga ky "aksion grabitësish" ka qenë ajo e kryer tek qendra kulturore "Abat Doçi"në mes të qytetit në dhomat e trajnimit profesional të të rinjve si dhe fëmijëve të qytetit nga ana e "Motrave Venerine", murgesha të dioqezës të cilat prej vitesh japin kontribut të çmuar për banorët e atjeshëm. Në këtë godinë ku trajnimi kryhet pa pagesë për banorët e qytetit si për rrobaqepësi, kuzhinë, kompjuter, valle etj, janë hapur dyert në mesin e natës nga grabitës të paidentifikuar dhe janë vjedhur 3 makina qepëse dhe disa kompjuterë duke e paralizuar punën e mëtejshme në këtë qendër. Policia ka shkuar në vendngjarje por ende pa identifikuar ndokënd. Po përgjatë një nate tjetër grabitësit u janë avitur lokaleve për t'i thyer e bastisur ato. Kështu natën e festës së Pashkëve është vjedhur me anë të thyerjes një lokal që gjendet në rrugën kryesore të qytetit. Gjithashtu është thyer edhe një lokal tjetër ku janë vjedhur disa objekte dhe para. Lista e vjedhjeve dhe grabitjeve "pasurohet" më tej edhe nga një automjet i vjedhur, tip Benz si dhe një kabull i kushtueshëm elektrikë, që përçonte energji elektrike tek një lavatriçe zhavorri. Gjithashtu mësohet se janë vjedhur dhe disa linja elektrike në qytet e rrethina apo në zonën rurale. Për të gjitha këto ende nuk ka asnjë të ndaluar nga ana e policisë së Rrëshenit apo drejtoria e policisë Lezhë. Kjo situatë e pazakontë vjedhjesh e grabitjesh ka krijuar tension tek qytetarët e Rubikut të cilët prej disa muajve ndihen krejtësisht të pasigurtë në pronat dhe banesat e tyre. Kjo lidhet me faktin se ky qytet, i cili para pak vitesh kishte një postë policore me efektiv prej më se 20 vetë, tashmë ka vetëm një polic, nuk ka patrullë apo shërbim tjetër policor, ndaj qyteti ka mbetur në duart e grabitësve dhe keqbërësve që janë shtuar, qoftë dhe prej faktit se mes përmes këtij qyteti është dhe rruga nacionale që lidh Milotin-Rubikun me Kukësin e Kosovën dhe makinat kalojnë aty, si të rëndat apo të vogla.